Ndërlidhjet

BUXHETI PËRCAKTON SIGURINË E KONSUMATORIT KOSOVAR


Nadie Ahmeti

Në Kosovë ekziston ligji për mbrojtjen e konsumatorëve, por këta të fundit nuk ndihen edhe aq të mbrojtur, veçanërisht nga malli me afat të skaduar. Nëpër raftet e disa dyqaneve të ndryshme në Kosovë, jo rrallë mund të hasësh në mallra ushqimore me afat të skaduar, thotë Myrvete Muharremi, e cila disa herë është detyruar ta kthejë prapë në dyqan produktin e blerë. “Ka ndodhur, por tash nuk më kujtohet se në cilin vend; kanë qenë gjëra ushqimore”, thotë zonja Muharremi. Edhe Adnan Veseli tregon se shumë herë ka parë nëpër dyqane mallra me afat të skaduar. “E shikoj mallin dhe nuk e marr me afat të skaduar. Kam parë në këto dyqanet e vogla, nëpër dyqanet e mëdha nuk kam hasur në to”, thotë zoti Veseli. Zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë gjithashtu pohojnë, se në tregun kosovar ekzistojnë parregullsi. Jusuf Prelvukaj, drejtor i Departamentit për Tregti, ndërkaq thotë se konsumatorët janë të mbrojtur, aq sa ministria ka mundësi buxhetore. Zoti Prelvukaj këtë e arsyeton me faktin, se numri i inspektorëve që kontrollojnë tregun është shumë i vogël, në krahasim me numrin që kërkohet, dhe rritja e numrit të tyre është pamundësuar, për shkak të rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për zvogëlim të punëtorëve në administratën publike. “Nëpër komuna duhet të rritet numri i inspektorëve, për shkak se janë shumë shitës dhe numri i vogël i inspektorëve nuk arrin t’i mbulojë të gjitha dyqanet. Ne, momentalisht në Ministrinë e Tregtisë, i kemi tetë inspektorë. Por, kemi kërkuar edhe nëpër komuna, që të rritet numri i inspektorëve, në mënyrë që konsumatori të mbrohet”, shprehet zoti Prelvukaj. Pavarësisht numrit të vogël të inspektorëve, zoti Prelvukaj pohon se për çdo ankesë që bëhet në zyrën për mbrojtjen e konsumatorëve, ministria merr masa për eliminimin e atij malli nga tregu. “Me gjoba në shumë prej 2 mijë deri në 10 mijë euro dënohet për kundërvajtje personi juridik; tregtari, nëse vë në shitje prodhimet, të cilat nuk kanë deklaracion apo nëse deklaracioni nuk përmban të gjitha shënimet e përcaktuara nga ky ligj”, thekson zoti Prelvukaj. Por, numri i atyre që ankohen në këtë zyrë është shumë i vogël. Myrvete Muharremi thotë se pavarësisht asaj që ka blerë mall me afat të skaduar, ajo nuk ka dashur të ankohet. “Jo, nuk jam ankuar, më ka ardhur keq të bëj probleme. Kam shkuar në të njëjtin dyqan, e kam kthyer produktin e blerë, kam marrë diçka tjetër, kështu që është kompensuar”, tregon zonja Muharremi. Adnan Veseli ndërkaq thotë, se nuk e din ku duhet të bëhen ankesat. “Personalisht, nuk kam pasur nevojë për ankesë, edhe pse nuk e di ku duhet ankuar. Interesimi im ka qenë pak më i vogël, përkundër asaj, prapë nuk kam pasur nevojë dhe është fat për mua”, shprehet zoti Veseli. Ndryshe, për të mbrojtur konsumatorët, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tashmë ka nxjerrë edhe një udhëzim administrativ për etiketa dhe deklarim të mallit. Sipas këtij udhëzimi, prodhuesit vendorë, por edhe ndërmarrjet importuese, janë të obliguara që në produktet e tyre, të shkruajnë në gjuhën shqipe të gjitha të dhënat e atij malli. Dhe, nëse tregtari nuk i përmbahet këtij udhëzimi, pason dënimi prej 2 mijë deri në 10 mijë euro.
XS
SM
MD
LG