Ndërlidhjet

JUNG: PUNIMET NË REZOLUTËN E RE PËR KOSOVËN KANË FILLUAR


Zijadin Gashi

Gjermania vazhdon të besojë, se vendimi për statusin e Kosovës do të kalojë përmes Këshillit të Sigurimit, është shprehur sot në Prishtinë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Jung. Ai tha se punimet në rezolutën e re vetëm se kanë filluar, ndërkaq pohoi se ka dhe lajme të mira nga Londra, ku dje është mbajtur takimi i Grupit të Kontaktit për Kosovën. Jung ka filluar vizitën e tij në Kosovë dje, me ç’rast ka vizituar kontingjentin ushtarak gjerman në kuadër të KFOR-it, kurse sot është pritur në takime të ndara nga komandanti i KFOR-it, Roland Kather, presidenti Fatmir Sejdiu, si dhe kryeministri Agim Çeku. Jung tha se Gjermania e mbështet fuqishëm zbatimin e pakos së Ahtisaarit dhe në këtë drejtim vendi i tij, tha se i mbështet edhe përpjekjet aktuale të diplomacisë botërore, për nxjerrjen e rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit. Në këtë drejtim, ministri gjerman tha se do të jetë i rëndësishëm edhe qëndrimi rus, për çka ai nuk deshi të spekulojë se do të përdorë apo jo veton në Këshillin e Sigurimit. “Ne duhet të koncentrohemi në zgjidhjen e përbashkët, që do të arrihet në Kombet e Bashkuara. Rusia është pjesë e Grupit të Kontaktit dhe besojmë se në fund, vendimi për rezolutën e re do të jetë i përbashkët”, theksoi ministri Franz Jozef Jung. Ai nuk deshi të spekulojë asgjë lidhur me pozicionin e Gjermanisë, në rast se kosovarët do të humbnin durimin dhe do të shpallin pavarësinë. Mirëpo, në këtë çështje, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e siguroi ministrin gjerman, se vendimet e palës kosovare do të jenë çdo herë në harmoni me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë. “Për ne është me rëndësi, që të ketë një vendim të përbashkët, mbështetës ndërkombëtar. Kosova e ka deklaruar shumë qartë vullnetin e saj politik dhe dihet. Nuk dëshirojmë të mendojmë për variante të këqija apo të vështira të bllokimit, që mund të ndodhin. Për ne është me rëndësi, që të vazhdojmë bashkëpunimin edhe në këtë proces dhe të sjellim vendimin meritor. Pavarësia e Kosovës është ‘alfa’ dhe ‘omega’ e popullit të saj dhe s’ka zgjidhje tjetër”, u shpreh presidenti Sejdiu. Po ashtu, edhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha se Prishtina në asnjë moment nuk e nënçmon rolin e Rusisë në procesin vendimmarrës për statusin, dhe u shpreh i bindur se edhe Moska do të bindet, se Rezoluta aktuale 1244 është rezolutë e së kaluarës. “Rezolutës 1244 i ka skaduar afati dhe realiteti i ri në Kosovë e ka bërë këtë rezolutë të paqëndrueshme. Të gjithë jemi të fokusuar, si Këshilli i Sigurimit, Unioni Evropian, të gjithë të fokusuar në nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën, e cila në pikën e parë të saj do ta anulojë Rezolutën 1244. Assesi nuk duhet të humbim kohë, energji dhe të bëjmë përpjekje për vazhdimësinë e Rezolutës 1244”, theksoi kryeministri Çeku. Në anën tjetër, ministri gjerman tha se qëllimi është, që për statusin e Kosovës të diskutohet brenda muajit maj, por ai nuk mundi të parashikojë nëse do të ketë apo jo një vendim gjatë këtij muaji. “Kam marrë informatat më të reja nga Londra, nga Grupi i Kontaktit, që thonë se negociatat po shkojnë kah përpilimi i një rezolute, që do t’i dorëzohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kështu që, ka njëfarë ardhmërie për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës”, theksoi Jung. Ai tha po ashtu, se i siguronte kosovarët, se vendi i tij do të angazhohet në vazhdimësi edhe për zhvillimin e Kosovës. Jung e ka cilësuar si shumë të rëndësishme për procesin e pas statusit edhe formimin e Forcës Mbrojtëse të Kosovës. “Përgatitjet e Qeverisë së Kosovës për krijimin e forcave vetanake të sigurisë, për ritrajnimin e forcave policore, por edhe për krijimin e Forcës së Sigurisë, është një rrugë e mirë dhe e mbarë, e cila do të mundësojë kushte të volitshme për zhvillimin e këtij vendi”, u shpreh ministri Jung. Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, Roland Kather, tha se në Kosovë gjërat po shkojnë mirë dhe ka qetësi dhe siguri të lartë. Edhe sot, Kather përsëriti qëndrimin dhe vendosmërinë e NATO-s, që forca e KFOR-it do të qëndrojë në Kosovë për aq sa të jetë e nevojshme.
XS
SM
MD
LG