Ndërlidhjet

TRAJKOVIQ: "PA DIALOG NUK MUND TË ZBATOHET ASNJË MARRËVESHJE"


Rada TRAJKOVIQ, udhëheqëse e Këshillit Nacional Serb

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Trajkoviq, si i vlerësoni ju zhvillimet lidhur me përcaktimin e statusit të Kosovës?

RADA TRAJKOVIQ
Para së gjithash, më duhet t’ju them se aktualisht në mesin e qarqeve ndërkombëtare, më të fuqishmit janë pikërisht zërat nga Rusia dhe nga Amerika. Rusia me diçka që është mundësi e vetos, ndërsa Amerika me atë që mund të jetë njohje e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, natyrisht pas shpalljes së saj nga Kuvendi i Kosovës. Mendoj se qoftë njëra, qoftë tjetra zgjidhje, janë zgjidhje ekstreme, të cilat me siguri nuk mund t’i sjellin stabilitet Kosovës, e me këtë as rajonit. Në anën tjetër, më duket që të gjithë nga pak po e anashkalojmë faktin se ne jemi pragu apo oborri i Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian në masën më të madhe bart edhe shpenzimet financiare për misionin civil dhe shpenzimet për misionin ushtarak, dhe me këtë po anashkalojmë parimet e Bashkimit Evropian. Ndërkaq, qëndrimi i Bashkimit Evropian gjithnjë e më shumë po bëhet unik në mbështetje të planit të Ahtisaarit. Por, është po ashtu gjithnjë më unik dhe me i qartë qëndrimi për të mos pranuar njohjen e njëanshme pa vendim të Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, zonja Trajkoviq, cila sipas jush do të ishte zgjidhja për të dalë nga kjo situatë?

RADA TRAJKOVIQ
Më duhet t’ju them, para së gjithash, se ajo që kemi dëgjuar nga shefi i misionit të Këshillit të Sigurimit, se nuk ekziston komunikimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, si dhe ndërmjet shtetit serb dhe udhëheqjes politike dhe institucionale të shqiptarëve të Kosovës, do të thosha se ai raport yni i ndërsjellë nuk është një truall i frytshëm për implementimin e çfarëdo marrëveshjeje apo çfarëdo zgjidhjeje përfundimtare. Pra, që të mund të implementojmë zgjidhjet, janë të nevojshme komunikimi, dialogu dhe kompromisi ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Prishtinës. Në këtë kontekst, unë pres që ato që aktualisht janë institucione të Kosovës, të legalizohen tërësisht dhe që procesi i negociatave për statusin e ardhshëm të Kosovës, në njëfarë mënyre duhet të definohet, sipas parimit të asaj se çka në të vërtetë dëshiron bashkësia ndërkombëtare në Kosovë – dëshiron që ta zgjidhë çështjen shqiptare në Ballkan apo çështjen e të drejtave të njeriut. Nëse ka të bëjë me zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe zgjidhjen e çështjeve që do të hapnin çështje të tjera në Ballkan, kam frikë se do të kishim probleme. Unë mendoj megjithatë, se edhe Beogradi, edhe Prishtina, edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjnë diçka, që do të ishte zgjidhje e statusit të ardhshëm të Kosovës si proces, me diçka që është perspektivë e zgjidhjes së statusit final, kur komunikimi dhe standardet e përgjithshme që vlejnë në perëndim, të jenë të aplikueshëm në këto hapësira.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, analistët dhe politikanët në Kosovë thonë se sfida më e madhe për institucionet e Kosovës pas statusit do të jetë pikërisht mënyra se si serbët e Kosovës do ta presin zgjidhjen eventuale për pavarësinë. Sa janë realiste këto pritje?

RADA TRAJKOVIQ
Serbët e Kosovës e përjetojnë Kosovën vërtet si vendin e tyre dhe për këtë arsye ata ndihen si në vendin e tyre. Ata do të gjejnë mënyra për të mbijetuar në këto hapësira, ndërsa se si do të bëhet kjo, do të varet nga zgjidhja e statusit të Kosovës, që besoj se nuk do të jetë pavarësia. Ky është një plan, në të cilin duhet të punojnë së bashku edhe Prishtina, edhe Beogradi edhe bashkësia ndërkombëtare. Mua më duket problematik fakti, se udhëheqja shqiptare e institucioneve me kurrfarë deklaratash nuk mund të ndikojnë që serbët të kenë besim tek ata, pothuaj në mënyrën e njëjtë siç shqiptarët nuk kanë besim tek institucionet e Beogradit, pasi kemi përjetuar shumë të këqija nga ato institucione dhe mossinqeriteti i tyre. Në këtë kontekst, mendoj se politika serioze serbe, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare, do të duhej ta përcaktonte pozicionin e serbëve në Kosovë me garanci ndërkombëtare, pa mundësinë që Kuvendi i Kosovës t’i ndryshonte ato garanci për serbët e Kosovës. Në këtë kontekst, unë pres gjithsesi që serbët ta negociojnë si partnerë pozicionin e tyre dhe ekzistencën në territorin e tyre historik.

INTERVISTOI: RRAHMAN PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG