Ndërlidhjet

PETRISCH: BESOJMË SE RUSIA NUK DO TË PËRDORË VETON PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi

Nuk është me rëndësi afati kohor për nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën, sa do të jetë e rëndësishme që Këshilli i Sigurimit të miratojë një vendim të mirë për Kosovën, ka pohuar sot në Prishtinë, ambasadori i Austrisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Wolfgang Petrisch. Ai i bëri këto komente gjatë një konference, të organizuar nga Kolegji Universitar “Viktoria”, me temën “Roli i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në njohjen e pavarësisë së Kosovës”. “Ky është një moment historik, për të cilin Këshilli i Sigurimit duhet të marrë vendim dhe për këtë nevojitet kohë”, theksoi Petrisch. Ai tha se të gjithë duhet ta presin dhe respektojnë vendimin e Këshillit të Sigurimit, duke mos u përqendruar në afatet apo limitet kohore. “Vendimi i mirë është shumë më i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, sesa që mund të jetë koha kur ky vendim mund të merret në Këshillin e Sigurimit. Dhe, ne duhet që t’ia besojmë këtë përgjegjësi kësaj instance”, tha Petrisch. Sipas tij, ende është herët që të mund të flitet për mundësinë reale, që Rusia të përdorë veton e saj në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar rezolutën e re, duke pasur parasysh interesat e Rusisë në relacion me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. “Mendoj se çdo përdorim i vetos duhet të bëhet me kujdes. Dhe, në rend të parë synohet që vetoja të mos përdoret. Po ashtu, besoj se për Rusinë, raportet e saj me SHBA-të dhe BE-në janë më të rëndësishme, sesa përdorimi i vetos për çështjen e Kosovës”, theksoi Petrisch. Ndërkohë, ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, tha se nxjerrja e rezolutës së re e cila do ta shfuqizojë Rezolutën aktuale 1244, nuk do të jetë e lehtë. Por, ai shprehu bindjen e tij se kjo rezolutë do të miratohet, duke ditur se pakoja e Ahtisaarit tashmë është një projekt ndërkombëtar. Milo tha se pret zhvillimin e shumë takimeve në nivelet e larta diplomatike dhe beson që Rusia në fund do të lëshojë pe, për hir të interesave të mëdha që ka në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. “Balancat e rinj që do të krijohen, do të lejojnë që Rusia të lëshojë pe në çështjen e miratimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit. Jam i bindur që këto takime të ardhshme dhe negociata që do të bëhen, pavarësisht se mund të ketë një vonesë në kohë, mund të prodhojnë një rezolutë të re që do të garantojë të ardhmen e Kosovës, sipas vullnetit dhe dëshirës së popullit të saj”, u shpreh Milo. Ish-shefi i diplomacisë shqiptare, Paskal Milo, tha se nuk shpreson që muaji maj, siç proklamohet në Prishtinë, të sjellë miratimin e rezolutës së re për Kosovën. Sipas tij, muaji qershor mund të jetë kohë optimale, kur të gjitha instancat relevante ndërkombëtare do t’i përcaktojnë qartë kahet e zhvillimeve të ardhshme në Këshillin e Sigurimit. “Jam optimist se tendenca e përgjithshme e faktorëve vendimmarrës ndërkombëtarë është që të mos lëvizin nga paketa Ahtisaari, tashmë e konsoliduar me propozimet e baraspeshuara dhe pas negociatave relativisht të një kohe të gjatë, prandaj mendoj se do të kemi një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit. E vetmja gjë që unë nuk mund të përcaktoj tani, është koha kur kjo rezolutë do të dalë në dritë”, theksoi Milo. Ndërsa zhvillimet ndërkombëtare për statusin e Kosovës, nga ish-ministri Milo janë parashikuar si të gjata dhe sfiduese, në anën tjetër, ai u ka dërguar mesazhe liderëve kosovarë që të angazhohen në ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit të Kosovës, në mënyrë që Kosova në asnjë mënyrë të mos paraqitet si pengesë e procesit vendimmarrës për statusin e saj.
XS
SM
MD
LG