Ndërlidhjet

SHBA DHE BE PARALAJMËROJNË RUSINË PËR KOSOVËN


FINANCIAL TIMES

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po përpiqen që gjatë muajit maj ta shtyjnë përpara në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rezolutën për Kosovën, dhe kanë paralajmëruar Rusinë se nëse përdor veto, do jetë përgjegjëse për shpërthimin e dhunës eventuale apo jostabilitetin në Kosovë.
Zyrtarët amerikanë dhe evropianë shpresojnë se Moska do të përmbahet dhe nuk do t'i vë veto planit, përkundër mospajtimeve të fundit mes Rusisë dhe Perëndimit për disa çështje.
"Do të ishte një hap tepër i madh nëse Rusia do të bllokonte një rezolutë, e cila fundamentalisht është çështje e Evropës", ka thënë një zyrtar i lartë britanik.
Kryenegociatori Martti Ahtisaari ka shfaqur shpresën se "Këshilli i Sigurimit do të bie dakord këtë muaj, për një arsye të thjeshtë, se në takimin e grupit G8 mund të ketë dakordim për agjenda më pozitive. Në të kundërtën, kjo çështje do ta ndjekë edhe samitin", ka thënë Ahtisaari, për të shtuar se "plani i tij për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës është zgjidhja e vetme e mundshme". Ahtisaari gjithashtu ka parashikuar prani ndërkombëtare në Kosovë edhe për 5 vjet të tjera.
Rusia gjithmonë ka thënë se zgjidhja duhet të mbështetet nga serbët dhe shqiptarët e Kosovës, dhe vazhdimisht e ka kundërshtuar planin e Ahtisaarit. Por argumentimet e Uashingtonit dhe Brukselit janë se vetoja ruse do të ishte e paqëndrueshme, meqë paqëruajtësit evropianë dhe amerikanë do të ishin ata që do të ndodheshin në mesin e një situate në Kosovë, e cila mund të dalë nga kontrolli.
"Jam i sigurtë se kosovarët do të shpallin pavarësinë në çfarëdo rrethanash", tha zëvendës kryenegociatori Albert Rohan. "Çështja shtrohet nëse duam këtë proces ta zgjidhim në mënyrë të qetë apo të çrregullt? Rusia thjesht nuk mund t'i thotë JO një zgjidhjeje, e cila është e qetë, ndonëse nuk është ideale", tha Rohan.
Ky pohim lë të kuptohet se Evropa e Shtetet e Bashkuara mund ta fitojnë shumicën e anëtarëve në Këshillin e Sigurimit, por zyrtari i lartë britanik tha se plani i Ahtisaarit është mbështetur nga 11 apo 12 vende të Këshillit. Ai shtoi se në vend që Kosova thjesht ta shpallë pavarësinë, rezoluta e Kombeve të Bashkuara do t'i jepte Kosovës "platformë" për pavarësi, duke i dhënë të drejtën t'i bashkangjitet organizatave ndërkombëtare. Për pasojë, Rusia mund të refuzojë të njohë Kosovën, madje edhe pas miratimit të rezolutës, dhe ndoshta mund t'i vë veto aplikimit të Kosovës për t'u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Nënsekretari amerikan të shtetit Nicholas Burns ka thënë se SHBA dhe BE gjatë kësaj jave do ta paraqesin projekt rezolutën në Kombet e Bashkuara. "Ne shpresojmë shumë se Rusia do të punojë me ne dhe do të jetë anëtare produktive e këtij grupi. Është e vështirë të ndalësh historinë", ka thënë Burns.
XS
SM
MD
LG