Ndërlidhjet

HASANI:"PËRSHPEJTOHET DINAMIKA E PËRCAKTIMIT TË STATUSIT"


Ismail HASANI, ligjerues i sociologjisë në UP

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, ditët e fundit është rritur intensiteti i diskutimeve ndërkombëtare lidhur me statusin e Kosovës. Në ç’fazë sipas jush është procesi aktualisht?

ISMAIL HASANI
Që nga propozimi i zotit Ahtisaari, prezantimi i projektit të tij në Këshillin e Sigurimit, ka një dinamikë të përshpejtuar. Por, pas vizitës së misionit faktmbledhës të Këshillit të Sigurimit që i bëri Kosovës, e në mënyrë të veçantë deklarimit të përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Burns, dhe përplasjeve të tjera që kanë ndodhur, ka një trend po ashtu të përshpejtimit të problemit që është në vazhdën e diskutimeve. Dhe në këtë kontekst, unë mendoj që dinamika e përshpejtuar flet për lindjen e kualiteteve të reja në raport me çështjen e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Për çfarë kualitetesh të reja e keni fjalën?

ISMAIL HASANI
Mendoj para së gjithash në zbutjen e qëndrimit, përkatësisht përafrimin e qëndrimit rus karshi problemit të Kosovës. Sado që nuk duket shumë në horizont përafrimi i qëndrimit rus flet për zbutje dhe në mes të rreshtave lexohet kjo qasje. Deklarimet e kundërta që flasin pro mbështetjes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës e që nuk janë të pakta deri më tani, nuk janë shumë të shoqëruara me reagime të vrazhda nga përfaqësuesit rusë. E po ashtu, nuk janë të shoqëruara edhe me reagime ekstreme edhe nga vendet që janë anëtare të përkohshme të Këshillit të Sigurimit, e që nuk kanë shumë qëndrim miqësor karshi propozimit të Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur.

RADIO EVROPA E LIRË


Kosova është vizituar javën e shkuar nga misioni faktmbledhës i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. A ka shenja konkrete që ky mision ka ndikuar mbi dinamikën e procesit për përcaktimin e statusit, qoftë në përshpejtimin ose ngadalësimin e këtij procesi; votimit, për shembull, në Këshillin e Sigurimit?

ISMAIL HASANI
Vendimi për të vizituar misioni faktmbledhës Kosovën, në instanca të OKB-së ka qenë një kompromis ‘xhentëlmen’ që duhej bërë Rusisë dhe atyre që nuk janë shumë miqësorë ndaj propozimit të Ahtisaarit, sepse ka vende që nuk janë shumë miqësore ndaj këtij propozimi. Dhe, unë nuk them që është deri në fund çështje rutinore vizita e misionit faktmbledhës në Kosovë. Por, megjithatë mendoj se nuk ndërron shumë nga vijëzimet që kanë bërë politika dhe diplomacia ndërkombëtare, posaçërisht SHBA-të karshi mbështetjes pa kompromis të propozimit që ka dhënë Ahtisaari për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a ka ndonjë rrezik që propozimi i Ahtisaarit të pësojë ndryshime dhe të miratohet si i tillë, si i ndryshuar, në Këshillin e Sigurimit?

ISMAIL HASANI
Tani, ne nuk mund shumë t’i prejudikojmë gjërat. Ka mendime ekstreme që flasin për të ashtuquajturat shpallje të njëanshme të autonomive të njerëzve që u teket të bëjnë, ose autonomi territoriale, etj. Por, pakoja si e tillë, si propozim, që ka marrë mbështetjen e faktorëve relevantë vendimmarrës në politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare, po të fillonte të pësojë ndryshime, atëherë këto ndryshime do të nënkuptonin ndërrimin komplet të strategjisë së qasjes ndaj Kosovës, çmim i cili është shumë i shtrenjtë për diplomacinë ndërkombëtare tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, sipas jush, sa janë të përgatitura institucionet e Kosovës që të përballen me sfidat e implementimit të një rezolute eventuale në Këshillin e Sigurimit, e cila do ta ndryshonte statusin aktual të Kosovës?

ISMAIL HASANI
Ne morëm një kalim shumë të mirë prej udhëheqësit të misionit faktmbledhës, ambasadorit belg, për pritjen që u bë, një besim ‘blanko’ në strukturat institucionale të Kosovës, në mekanizmat vendorë etj. Por, megjithatë, unë mendoj që Kosova ndodhet para sfidave shumë të mëdha, sa i përket nevojës së ngutshme për t’iu përshtatur një rrethane të re. Për arsye se njerëzit tanë në Kosovë me vite kanë jetuar me percepcionin për pavarësinë, me percepcionin për Kosovën e pavarur. Por, të jetosh është tjetër, të perceptosh është tjetër. Në këtë kuptim, mendoj që lidershipit kosovar i shtrohen detyra të ngutshme shtëpiake, që të konsolidojnë jetën institucionale, që të implementojnë standardet, posaçërisht t’i implementojnë ato standarde që janë të lidhura me kornizën e propozimit të pakos së Ahtisaarit. Në këtë kontekst, mendoj në ofertën serioze për komunitetet, të gjitha pa përjashtim, që t’u krijohet ambient për ta ndjerë veten në Kosovën e ardhshme si njerëz që i takojnë këtij nënqielli. Kjo është detyra e parë. Detyra tjetër, po aq e rëndësishme, është instalimi i një mënyre të re, një filozofie të re të politikës, ku mendoj para së gjithash, përpjekjet për të mbjellë frytet e demokracisë në Kosovën e pavarur, për arsye se mbikëqyrja nga BE-ja, për mendimin tim, do të duhej të ishte po aq e rreptë sa ishte mbikëqyrja deri më tani e administratës ndërkombëtare të UNMIK-ut. Normalisht, është një kontekst krejt tjetër shoqëror, por megjithatë është mbikëqyrje e cila sanksionon gabimet.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG