Ndërlidhjet

ÇFARË MENDOJNË PËRFAQËSUESIT E SERBËVE PËR ‘GARDËN E CAR LAZARIT’?


Rrahman Paçarizi

Dalja publike e së ashtuquajturës ‘Garda e Car Lazarit’, që kanë shprehur gatishmërinë të mbrojnë Kosovën brenda Serbisë, ka zgjuar reagime të ndryshme te përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Përderisa të gjithë e konsiderojnë të dëmshme shfaqjen publike të organizatave të tilla, qëndrimet janë të ndara lidhur me efektet e formimit të organizatave të tilla. Oliver Ivanoviq, nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, mendon se nismat e tilla janë të paarsyetueshme. “Është më se e qartë, se shumë serbë nuk janë të kënaqur me zhvillimet. Por, kjo nuk e arsyeton një nismë të tillë, e cila nuk mund të sjellë asgjë, së paku jo ndonjë gjë të mirë”, tha Oliver Ivanoviq. Edhe Milan Ivanoviq, nga Këshilli Nacional Serb, mendon se paralajmërimi i formimit të njësive të tilla është shprehje e shqetësimit dhe pakënaqësisë së njerëzve ndaj zhvillimeve. “Çka do që do të formohej në kuptim të sigurisë, duhet të bëhet në mënyrë legale dhe në kuadër të strukturave të policisë dhe të ushtrisë së Serbisë”, u shpreh Milan Ivanoviq. Sipas tij, ekziston brengosje, interesim dhe dëshirë e njerëzve në Serbi, që të mbrohet shteti dhe integriteti i tij territorial, mirëpo kjo duhet bërë brenda strukturave të shtetit. “Të gjitha nismat që janë në funksion të forcimit të njëfarë vetëmbrojtjeje apo preventive, por në kuadër të ligjit, mendoj se janë pozitive”, theksoi Milan Ivanoviq, duke vlerësuar megjithatë, se organizimet jashtë sistemit janë të dëmshme. Në anën tjetër, Marko Jakshiq, nga asociacioni i komunave serbe të Kosovës që nuk njihet nga UNMIK-u, tha se në muajt e fundit ka pasur shumë organizata që janë ofruar për t’u vënë në mbrojtje të Kosovës. “Unë i përshëndes të gjitha këto gatishmëri, mirëpo unë personalisht jam mbështetës i idesë që të veprojmë më pak në planin e marketingut e të punojmë më shumë”, tha Jakshiq, duke shtuar se mënyra se si punojnë shqiptarët duhet t’u shërbejë si shembull serbëve, pasi sipas zotit Jakshiq, shqiptarët organizohen mirë, por nuk bëjnë shumë reklamë rreth asaj. Në anën tjetër, edhe Oliver Ivanoviq nga Lista Serbe, mendon se nismat e tilla mund edhe të keqpërdoren në një situatë të ndjeshme si kjo. “Gjithsesi, kjo nismë mund të keqpërdoret nga institucionet e shqiptarëve në Kosovë, të cilët edhe ashtu po flasin për formacione paramilitare të serbëve dhe përmes këtyre fitojnë edhe argumentime”, tha Oliver Ivanoviq. Përgjithësisht, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës mendojnë se tubimi i qindra mbështetësve të formacionit paraushtarak, të shtunën në Krushevc, është shprehje e pakënaqësisë së serbëve me zhvillimet rreth statusit të Kosovës, por pajtohen se këto shqetësime duhet të adresohen përmes strukturave legale.

XS
SM
MD
LG