Ndërlidhjet

ÇEKU: ZGJIDHJA E STATUSIT – SHENJË PËR KTHIM TË TË ZHVENDOSURVE


Albana Isufi

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka deklaruar në qendrën e mediave në Çagllavicë, se zgjidhja e statusit të Kosovës nuk është shenjë për largim, por është shenjë për një të ardhme të qartë dhe për kthimin e atyre që janë larguar nga Kosova. Në një tryezë me temën ‘Të rinjtë dhe integrimi në shoqërinë kosovare’, kryeministri Çeku u ka thënë disa të rinjve serbë nga Prishtina dhe rrethina, se ai dhe Qeveria e tij angazhohen që me zgjidhjen e statusit, të zgjidhen të gjitha dilemat. “Me zgjidhjen e statusit do të zgjidhen të gjitha dilemat që sot i keni në kokë. Kthimi do të jetë i mundur shumë shpejt. Njerëzit do të dinë se ku janë, ku do të kthehen, çka është Kosova, çfarë u ofron dhe çfarë u garanton Kosova, çka u garanton Ahtisaari në pakon e tij, çka u garanton bashkësia ndërkombëtare, çka u garanton Qeveria dhe institucionet e Kosovës“, u ka thënë kryeministri të rinjve serbë. Ai është shprehur i bindur, se në Kosovën e pavarur të gjithë do të kenë jetë më të mirë. “Jam i sigurt, se për të gjithë do të jetë më mirë. Askujt asgjë e keqe nuk do t’i ndodhë kur të përcaktohet statusi. Këtë ua garantoj. Do të jetë për të gjithë më mirë dhe përfundimisht do të lirohemi nga politika. Kur të zgjidhet statusi, do t’i kthehemi çështjeve ekonomike, investimeve dhe shërbimeve në arsim, shëndetësi, sport dhe kulturë”, ka theksuar Çeku. Të rinjtë serbë kanë shprehur shqetësimin e tyre, se në Kosovën e pas statusit do të ketë trazira. Por, kryeministri Çeku i ka siguruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. “Së pari nuk ka arsye, e as synim. Cilido variant që do të ndodhë në Kosovë, asgjë e keqe nuk do t’ju ndodhë. Nuk do të jenë serbet e Kosovës fajtorë për këtë. Nuk ka asnjë arsye që serbët të jenë cak i çfarëdo sulmi apo dhune. Nëse vonon pavarësia, pse ju të jeni fajtorë për këtë? Kjo çështje tashmë gjendet në Këshillin e Sigurimit në New York dhe nuk ka kurrfarë lidhjeje me serbët e Kosovës”, u ka thënë kryeministri Çeku serbëve në Çagllavicë. Ai ka thënë se siguria do të jetë e garantuar nga Shërbimi Policor i Kosovës e KFOR-i, por sipas Çekut, këto forca të sigurisë s’kanë pse të mbrojnë njeri. “Unë jam i bindur se nuk kanë nevojë që ta mbrojnë askënd, sepse askush nuk do të vijë të trokasë te porta dhe të thotë që ti je serb dhe duhet ta lëshosh Çagllavicën apo Kosovën. Nuk do të ndodhë. Për këtë garantoj, sepse e njoh vullnetin e qytetarëve, çdo ditë jam me ta”, është shprehur kryeministri Çeku. Ai i porositi qytetarët serbë, që përfundimisht nuk duhet t’i frikësohen të ardhmes së tyre në Kosovën e pavarur. “Sot serbët e Kosovës nuk e dinë se në cilin shtet po jetojnë, kush është kryeministri i tyre, kush është ministri i tyre, nga kush të marrin pagën, çfarë tabelash të vendosin në veturat e tyre, cilin letërnjoftim ta marrin me vete. Të gjitha këto janë të paqarta. Mendoj se të gjithë duhet të punojmë, që përfundimisht këtu të arrihet qartësia”, ka theksuar kryeministri Çeku.
XS
SM
MD
LG