Ndërlidhjet

logo-print

PËRDORIMI I NARKOTIKËVE NË RRITJE


Nadie Ahmeti

Përdorimi i substancave narkotike në Kosovë është në rritje e sipër dhe Kosova vazhdon të mbetet vendi transit i këtyre substancave, që vijnë nga Evropa Juglindore dhe depërtojnë në Evropën Qendrore. Kështu thonë zyrtarë të Shërbimit Policor të Kosovës, duke shtuar se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, për përdorim dhe shpërndarje të produkteve narkotike, prej 145 të dyshuarve, 88 persona janë arrestuar, 45 prej të cilëve u është caktuar masa e dënimit. Veton Elshani, zëdhënës i SHPK-së, pohon se marihuana është substanca që përdoret më së shumti nga të rinjtë kosovarë. Prej vitit 2001 e deri në vitin 2006, nga SHPK-ja janë konfiskuar 248 kg marihuanë dhe 125 kg heroinë. “Kemi statistikat tremujore, që punohen zakonisht. Prej janarit deri në mars 2007, kemi njësi të ndryshme që merren me këto raste. Për janar kemi pasur numrin e rasteve 28, shkurt 18 dhe mars 33. Numri i të ndaluarve në janar ka qenë 10, shkurt 15, mars 20, ndërkaq numri i të arrestuarave, në janar 39, në shkurt 21, në mars 28. Do të thotë se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë arrestuar 88 persona”, tha zoti Elshani. Ndryshe, personat që shfrytëzojnë këto substanca, sipas kodit për kundërvajtje, dënohen me burgim dhe gjobë, shpjegon Mehmet Neziri, kryetar i Gjykatës për Kundërvajtje. “Është paraparë dënimi me burgim deri në 60 ditë, apo dënimi me gjobë në të holla prej 45 deri në 450 euro”, theksoi zoti Neziri. Shërbimi Policor i Kosovës, kohëve të fundit, ka pasur më shumë raste të konfiskimit të narkotikëve në sasi të mëdha, sesa arrestim të shfrytëzuesve të substancave narkotike, thotë Veton Elshani. “Duke marrë parasysh se kemi një bashkëpunim shumë të mirë edhe me policinë në rajon, dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi, në mënyrë që të zbulojmë rrjetin, ka mundësi që kjo sasi e substancave narkotike nuk ndalohet në Kosovë, por ndalohet në destinacion apo rrugës për atje, si në Shqipëri, Itali, Spanjë apo në Austri”, tha zoti Elshani. Shpërndarja, blerja dhe posedimi i drogës konsiderohen vepra penale, sipas Kodit Penal të Kosovës. Aleksandër Lumezi, zëvendësprokuror komunal në Prishtinë, thotë se për këtë vepër, të dyshuarit mund të arrestohen deri në 10 vjet burg. “Janë të sanksionuara veprat penale, të cilat kanë të bëjnë me substancat narkotike dhe psikotropike, vetëm sa i përket blerjes, posedimit dhe shpërndarjes apo shitjes së paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm. Dhe, për këtë vepër penale është paraparë dënimi maksimal prej 3 deri në 10 vjet”, tha zoti Lumezi. Numri i personave, për të cilët dihet se përdorin substanca narkotike në Kosovë, sillet prej 5 mijë deri në 7 mijë, nga mosha 15 deri në 24 vjeçare, ndërkaq mbi 3 mijë prej tyre shfrytëzojnë heroinën.
XS
SM
MD
LG