Ndërlidhjet

LEHNE: SHTOHEN PËRPJEKJET PËR MIRATIMIN E REZOLUTËS


Zijadin Gashi

Bashkimi Evropian dhe instanca të tjera ndërkombëtare i kanë intensifikuar përpjekjet e tyre, për të siguruar mbështetjen për miratimin e rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, ka pohuar sot në Prishtinë, i dërguari i BE-së për statusin e Kosovës, Stephan Lehne. Zyrtari evropian është pritur në Prishtinë, në takime të ndara, nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim Çeku. Lehne tha se vizita e Këshillit të Sigurimit në Kosovë i ka ofruar si mundësi kësaj instance, që të informohet më mirë dhe të shohë nga afër gjendjen reale në Kosovë. Rrjedhimisht nga kjo, Lehne tha se pret që tani të shtohen përpjekjet ndërkombëtare, për të siguruar mbështetjen për miratimin e rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. “Ne mendojmë që përpjekjet tash duhet të shtohen në New York, për të arritur deri te përgatitja e një rezolute të mirë. Do të ketë edhe shumë konsultime në përpjekje që të arrihet një marrëveshje, kurse ne vazhdojmë ta mbështesim propozimin e Ahtisaarit”, u shpreh Lehne. Sipas tij, fuqitë e ndryshme botërore, sidomos Moska, ende mban qëndrimin se pakoja e Ahtisaarit nuk është propozim i mirë, kështu që në këtë drejtim, theksoi ai, duhet të bëhen përpjekje më të mëdha për marrëveshje. Lehne tha po ashtu, se nuk dëshiron të spekulojë asgjë në lidhje me mundësitë që kjo rezolutë të dështojë të miratohet në Këshillin e Sigurimit, duke besuar se me gjithë vështirësitë, kjo rezolutë do të miratohet në New York. Diplomati evropian theksoi se nuk mund të parashikonte as kohën se kur kjo rezolutë do të mund të miratohej, por personalisht tha se e sheh të arsyeshme që ajo të miratohet në bazë të një dinamike më të shpejtë, apo sa më shpejt që të jetë e mundur. Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se beson që përpjekjet e shtuara ndërkombëtare do të prodhojnë rezolutën e re, e cila do të shënojë, sipas tij, edhe zbatimin e statusit, përkatësisht pavarësisë së Kosovës. Baza e kësaj rezolute, tha Sejdiu, do të duhej të ishte pakoja e Ahtisaarit. “Ne i çmojmë angazhimet e veçanta që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Unionit Evropian, pra udhëheqja e BE-së. I dini takimet e javës së kaluar dhe të gjitha përpjekjet që janë bërë ndërkohë, dhe mendojmë se kjo do të jetë baza, duke pasur parasysh sanksionimin apo mbështetjen e propozimit të presidentit Ahtisaari dhe ecjen tonë të mëtejshme në realizimin e pavarësisë së Kosovës. Ne nuk shohim bazë tjetër, absolutisht”, theksoi presidenti Sejdiu. Po sot, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ka shprehur besimin e tij se Bashkimi Evropian do të paraqitet me një qëndrim unik në New York, në kohën e marrjes së vendimit për rezolutën e re. Këto komente, Ruecker i bëri pas kthimit nga Brukseli dhe një takimi që zhvilloi sot me kryeministrin Agim Çeku. “I referohem ministrit të jashtëm Shtanmajer, i cili ka pohuar se BE-ja do të flasë me një zë në New York, lidhur me rezolutën e re për Kosovën”, tha Ruecker, duke shpresuar se kjo rezolutë do të kalojë në Këshillin e Sigurimit. Kurse lidhur me kohën, Ruecker tha se beson që kjo rezolutë do të miratohet më së largu brenda një muaji.
XS
SM
MD
LG