Ndërlidhjet

FREIZER: "BE-ja UNIKE RRETH KOSOVËS"


Sabine FREIZER, drejtore për Evropën në GNK

RADIO EVROPA E LIRË
Tomisllav Nikoliq është zgjedhur kryetar i Parlamentit të Serbisë. Çfarë do të thotë kjo për Serbinë dhe rajonin, veçanërisht për Kosovën, nëse ka ndonjë ndikim?

SABINE FREIZER
Natyrisht ishte befasi që zoti Nikoliq u zgjodh. Kjo pasohet nga pikëpyetjet lidhur me krijimin e qeverisë në Serbi.
Siç e dimë qeveria duhet të krijohet deri në 14 maj dhe është pikëpyetje e madhe nëse do mund arrihet kjo në një kohë kaq të shkurtër si dhe çfarë lloj koalicioni do jetë i mundur.
Por zgjedhja e Nikoliqit me votat e Partisë Demokratike të Serbisë tregon se mund të krijohen aleanca të reja. Megjithatë nga deklaratat në terren duket e pamundur të kemi një qeveri mes demokratëve dhe radikalëve, çfarë do të thotë se ka më shumë gjasa për zgjedhje të reja parlamentare deri në korrik.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e përmendët Serbia nuk ka ende qeveri, ndonëse zgjedhjet janë mbajtur në janar. Moskrijimi i qeverisë lidhet me mungesën e konsensusit apo është taktikë për të shtyrë zgjidhjen e statusit të Kosovës?

SABINE FREIZER
Mendoj se është pak nga të dyja. Kemi mungesë konsensusi në Serbi dhe është e vështirë që partitë kryesore të krijojnë koalicione. Gjatë muajve të fundit kemi pasur shumë diskutime mes partive dhe tregëti për poste të ndryshme në Beograd, por pa rezultat.
Njëherësh çështja e Kosovës rëndon mbi çdo gjë, ndaj mund të jetë një vendim taktik moskrijimi i qeverisë derisa të mos jetë vendosur për statusin e Kosovës.
Natyrisht do jetë e vështirë për çdo qeveri të marrë përgjegjësinë për humbjen e Kosovës, pasi nga shumica në Serbi shihet si humbje. Në një mënyrë ekziston ndjesia se është më mirë ta vonojmë krijimin e qeverisë para se të kemi vendim për Kosovën. Por kjo shtyrje ka vënë në pozitë të vështirë disa nga partnerët ndërkombëtarë të Serbisë që nuk janë shumë të gatshëm ta zgjidhin çështjen e Kosovës para se të jetë krijuar qeveria.

RADIO EVROPA E LIRË
Kemi parë informacionet për krijimin e njësive paraushtarake që do luftonin në rast të pavarësisë së Kosovës. Duke i shtuar këtij fakti zgjedhjen e Nikoliqit, a ka rrezik për konflikt të çfarëdo lloj shkalle kur Kosovës t'i jepej pavarësia?

SABINE FREIZER
Ajo që kemi kuptuar është se ushtria e Serbisë në këtë moment nuk ka asnjë interes të ndërhyjë në Kosovë, pasi kjo do të thoshte përballje me NATO-n. Por siç e thatë është problemi i paraushtarakëve. Është shenjë e mirë se autoritetet serbe arrestuan disa prej tyre gjatë tubimeve në fundjavë dhe duan t'i ndalojnë ata.
Gjithë ideja e rezolutës së KS-së është të garantojë paqe dhe siguri në rajon. Ekziston gjithmonë rreziku se disa individë mund të marrin armët duke u përpjekur të krijojnë trazira, por shpresojmë që autoritetet serbe do jenë të forta që t'i kontrollojnë këto elementë për të mos lejuar dhunën.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se është çështje e fuqisë së autoriteteve apo e vullnetit për t'i ndaluar këto grupime, veçanërisht kur shtrohet çështja e veriut të Kosovës?

SABINE FREIZER
Duhet t'i kushtojmë vëmendje të veçantë gjendjes në veri të Kosovës dhe gjendjes në enklavat serbe, ku jeton shumica e serbëve në Kosovë.
Plani i Ahtisarit u jep jashtëzakonisht shumë të drejta serbëve që jetojnë në Kosovë. Në këtë kuptim shpresojmë që të mos ketë dhunë. Por veriu mund të reagojë negativisht pas miratimit të çdo lloj rezolute nga Këshilli i Sigurimit dhe deklarimit të pavarësisë nga Kosova.
Aktualisht duket e qartë se trupat e NATO-s në Kosovë janë të angazhuara të ruajnë paqen në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet planin e Ahtisarit, derisa ende nuk kemi një zgjidhje për rezolutën rreth Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Cilët janë skenarët e mundshëm në Këshillin e Sigurimit? A do kemi ndonjë marrëveshje së shpejti?

SABINE FREIZER
Ka opcione të ndryshme. Ekziston opcioni që KS-ja do miratojë rezolutën në maj apo më së largu në qershor. Kemi amerikanët dhe evropianët që mbështesin këtë afat kohor.
Alternativa e dytë është ta shtyjmë atë deri në shtator nëse do duhet të sigurojmë moskundërshtimin e Rusisë.
Por ajo që di është se bisedimet po ecin me të shpejtë, disa projektrezolta janë hartuar dhe do ketë përpjekje që të kalohet rezoluta gjatë majit apo qershorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Projektrezolutat që po qarkullojnë a e përcaktojnë në mënyrë të qartë statusin e Kosovës?

SABINE FREIZER
Natyrisht kjo është një pyetje e madhe dhe këtu ka opcione të ndryshme. Një nga pikëpytjet më të mëdha është nëse do kemi një rezolutë që do mbështesë gjithë paketën e Ahtisarit, pra pjesën teknike dhe rekomandimet, ku përfshihet dhe rekomandimi për pavarësi të mbikqyrur.
Kjo është një nga pikëpyetjet që duhet t'i japë përgjigje KS-ja. A duhet të mbështesë gjithë paketën e Ahtisarit apo të mbështesë vetëm pjesën teknike, pa rekomandimin. Ende nuk është e qartë nëse KS-ja do ta mbështesë rekomandimin për pavarësi të mbikqyrur apo do ta lëjë atë të vagullt.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit e BE-së, Solana dhe Rehn kanë përsëritur edhe se uniteti i Unionit në mbështetje të statusit të Kosovës është kyç. Cfarë po i mban ende të ndara vendet e Unionit dhe sa serioze janë dallimet?

SABINE FREIZER
Ndarjet brenda Bashkimit Evropian nuk janë shumë serioze. Disa vende nuk kanë qenë të gatshme të mbështesnin pavarësinë e mbikqurur për Kosovën. Këtu kam parasysh para së gjithash Sllovakinë. Por ka pasur dhe vende të tjera si Italia apo Spanja.
Por megjithatë ekziston uniteti i Bashkimit Evropian, veçanërisht uniteti i vendeve evropiane anëtare të Këshillit të Sigurimit. Uniteti është i rëndësishëm jo vetëm për rezolutën, por dhe për vendosjen e misionit evropian atje. Pas rezolutës do kemi Bashkimin Evropian që do ketë rolin drejtues në zbatimin e asaj që do thotë rezoluta.
Kjo do jetë një përpjekje afatgjatë dhe e kushtueshme ndaj është kyçe që vendet anëtare të BE-së të mbeten të bashkuara dhe të përfshira në këto përpjekje.

Intervistoi: Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG