Ndërlidhjet

NUK KA PLAN ‘B’, REZOLUTA PËR KOSOVËN MBETET PËRKUSHTIM NDËRKOMBËTAR


Zijadin Gashi

Hartimi dhe miratimi i një rezolute të mirë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit është përkushtimi i Bashkimit Evropian në lidhje me statusin e Kosovës, ka pohuar sot, në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Prishtinë, i dërguari i BE-së për statusin e Kosovës, Stephan Lehne. Sot, Lehne fillimisht ka takuar kryetarin e Kuvendit, Kolë Berisha, me të cilin ka biseduar për rolin e Kuvendit të Kosovës në zbatimin e pakos së Ahtisaarit dhe miratimit të ligjeve të domosdoshme në këtë drejtim. Lehne tha se BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare nuk mendojnë për planin “B” në lidhje me statusin e Kosovës, por angazhohen që aktiviteti i ngjeshur diplomatik të rezultojë me miratimin e rezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, pavarësisht se edhe sa kohë do të nevojiten për këtë qëllim. “Në New York ka filluar puna në hartimin e rezolutës. Kjo do të marrë pak kohë, por ne jemi shumë të përkushtuar për këtë punë, duke përfshirë takimet ndërkombëtare, me qëllim që të tejkalojmë pengesat eventuale. Plani ynë është që të miratohet një rezolutë e mirë në Këshillin e Sigurimit, e bazuar mbi planin e Ahtisaarit”, theksoi Lehne. Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, e ka siguruar diplomatin evropian, se legjislativi kosovar do të angazhohet që të miratojë ligjet e domosdoshme, që kanë të bëjnë me zbatimin e pakos së Ahtisaarit. “Të dyja palët u pajtuan që periudha pas statusit nuk do të jetë e lehtë, por megjithatë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare dhe evropiane, do ta kalojmë këtë periudhë. Jemi të lumtur që bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht BE-ja, është e orientuar dhe ka qëndrim pozitiv ndaj procesit të Kosovës”, vlerësoi Berisha. Lehne ka takuar sot dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. Nga Thaçi, si lider i partisë më të madhe opozitare, Lehne tha se ka kërkuar që të angazhohet në ruajtjen e unitetit te ekipi kosovar për statusin, për çka tha se është ndarë i kënaqur me qëndrimet e Hashim Thaçit. Ndërkaq, ky i dyti tha se Kosova është unike dhe e gatshme të zbatojë marrëveshjen për statusin dhe se Prishtina është në pritje të miratimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit. “Unë e shfrytëzoj rastin edhe sot, të ftoj sërish Rusinë që të jetë pjesë aktive dhe pozitive e përkushtimeve ndërkombëtare, për nxjerrjen e rezolutës së re. Kosova nuk sheh armiq në rrugën e vet për pavarësi, por vetëm ndërton rrugë të sigurta në partneritet me të gjithë, edhe me anëtarët e Grupit të Kontaktit edhe me Këshillin e Sigurimit. Rusia deri më tani ka qenë pjesë e vendimeve ndërkombëtare për Kosovën, që kanë qenë pozitive, dhe uroj që kështu edhe do të ndodhë”, tha Hashim Thaçi. Gjatë kësaj vizite, Lehne tha po ashtu se ka biseduar me autoritetet kosovare edhe në lidhje me vendosjen e misionit të ardhshëm të BE-së në Kosovë. Por, ai në asnjë moment nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjen, se cilat do të ishin reflektimet eventuale në vendosjen e këtij misioni, në rast të mosaprovimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit, duke u shprehur vazhdimisht i bindur se rezoluta do të miratohet.
XS
SM
MD
LG