Ndërlidhjet

E ARDHMJA EVROPIANE E KOSOVËS


Rrahman Paçarizi

Ne nuk duam të eksportohemi në Evropë, por mbi vlerat tona nacionale dhe tradicionale të ndërtojmë vlerat e civilizimit evropian, tha sot në Prishtinë kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, në një manifestim kushtuar 9 Majit, Ditës së Evropës, që ishte vetëm një nga manifestimet. Ai me këtë rast tha se Kosova është në prag të pavarësisë së saj, por ky nuk është synimi i vetëm i institucioneve dhe popullit të Kosovës. “Ne nuk jemi vetëm duke e ndërtuar Kosovën si vend të pavarur, por jemi duke e ndërtuar edhe si vend evropian”, është shprehur kryeministri Çeku. Ai tha se Kosova synon të përfitojë nga modeli evropian i ndërtimit të bashkëjetesës, meqë një gjë e tillë është e mundur. “Sot, anëtarë të Bashkimit Evropian janë vendet dhe popujt që dikur kanë luftuar ndërmjet vete, që dikur kanë ushqyer urrejtje ndërmjet vete, që dikur kanë qenë të armiqësuar, ndërsa sot jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin, në partneritet dhe dashuri me njëri-tjetrin. Ne këtë e synojmë sot, dhe synojmë ta bëjmë duke përdorur modelin evropian dhe standardet evropiane”, tha kryeministri Çeku. Sidoqoftë, shtoi ai, kombet që kanë ndërtuar shtetet e tyre kanë kaluar fillimisht nëpër procesin e pavarësimit, e pastaj në procesin e anëtarësimit, ndërsa Kosova ka një fat më të mirë, meqë po kalon njëkohësisht nëpër të dy proceset. “Ne nuk dëshirojmë të transferohemi apo të eksportohemi në Evropë. Por, dëshirojmë që në radhë të parë, t’i ruajmë vlerat tona tradicionale, vlerat tona nacionale dhe mbi to të ndërtojmë vlerat më të larta të civilizimit, vlerat dhe normat evropiane. Me fjalë të tjera, ta sjellim Evropën në Kosovë dhe ta bëjmë Kosovën vend evropian”, theksoi kryeministri Çeku, ndërkohë që në një manifestim tjetër për nder të ditës së Evropës, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës, Stefan Lehne, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një rrugë e vështirë, por jo e pamundur. “Ju mund ta imagjinoni se sa punë e komplikuar është përmbushja e këtyre kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mirëpo, shumë vende i kanë përmbushur ato kritere, e edhe Kosova do t’i përmbushë”, ka theksuar Lehne, duke premtuar se menjëherë pas statusit, institucionet evropiane do të organizojnë dhe përkrahin një konferencë të madhe donatorësh për implementimin e statusit.
XS
SM
MD
LG