Ndërlidhjet

KOSOVA DËNON KOMPLOTIN TERRORIST NË FORT DIX


Arbana Vidishiqi

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, i ka shkruar një letër shefes së zyrës amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanow, për të shprehur dënimin lidhur me incidentin për, siç thuhet, tentim terrorizmin në New Jersey të Shteteve të Bashkuara. “Nuk duhet ta ripërsëris ndjenjën e jashtëzakonshme që populli i Kosovës ka për Shtetet e Bashkuara dhe qytetarët e saj dhe as idenë e neveritshme se shqiptarët kudo që janë mund të përfshihen në kësi lloj sulmesh mbi një komb, i cili ka qenë shumë bujar deri më tani”, thuhet në letrën që kryeministri i Kosovës i ka dërguar zonjës Kaidanow, duke ofruar edhe mbështetjen e plotë dhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve të sigurisë në Kosovë për hetimet mbi këtë rast. “Në qoftë se ata janë fajtorë, nuk kanë të drejtë të quhen apo ta quajnë veten shqiptarë. Unë nuk mund të besoj që ka shqiptar në botë, që është i gatshëm të bëjë akte të tilla kundër popullit amerikan”, është shprehur kryeministri Çeku. Ai ka shprehur besimin e tij të plotë në partneritetin me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se as incidentet e tilla të izoluara nuk do të mund ta dëmtojnë këtë partneritet. “Edhe pse ndoshta dikush e ka pasur këtë qëllim, nuk mund të ketë ndikim negativ në statusin e Kosovës, as ndikim negativ në qëndrimin e popullit shqiptar kudo që jeton, as në qëndrimin e Kosovës kundrejt përpjekjeve të SHBA-ve në luftë kundër terrorizmit”, ka thënë zoti Çeku.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ngjarjen e ka cilësuar si tronditëse, të turpshme dhe të panjohur në historinë mijëravjeçare të popullit shqiptar. “Pavarësisht nga ajo se terroristët janë me prejardhje nga ndonjë pjesë e trojeve shqiptare, me një mendësi të këtillë, njëherë e përgjithmonë vetëprivohen nga përkatësia e tyre shqiptare dhe, për shqiptarët, ata do të mbesin një trup i huaj”, thuhet në reagimin e zotit Berisha.
Në emër të Grupit Negociator, zëdhënësi Skënder Hyseni e ka cilësuar këtë incident si një ngjarje fatkeqe në mënyrë të papërshkrueshme, me gjithë faktin se, siç tha zoti Hyseni, informacionet rreth prejardhjes së saktë të personave të përfshirë janë të mangëta. “Ajo që është e sigurt dhe dihet, është se populli i Kosovës, shqiptarët e Kosovës, përgjithësisht shqiptarët, janë popull i orientuar kah vlerat demokratike, evro-perëndimore, e kurrsesi kah do vlera të tjera që nganjëherë aty-këtu përpiqen të na inputojnë të tjerët”, theksoi zoti Hyseni. Ai tha se fundja, kultura pluraliste shqiptare në aspektin fetar, nuk ka të bëjë asgjë me një kulturë që prodhon terrorizëm për qëllime politike.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, lajmin për këtë incident e ka cilësuar si lajm shokues për kombin shqiptar, duke vlerësuar se njerëzit e tillë janë kundër humanizmit, demokracisë dhe vlerave civilizuese. “Kosova dhe shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të jenë pjesë aktive e luftës kundër terrorizmit global”, thuhet në reagimin e zotit Thaçi, i cili në fund ka nënvizuar se shqiptarët janë krenarë për faktin se janë populli më proamerikan në Evropë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se është tmerruar me faktin se objekti, i cili shërbeu edhe si strehimore për 4 mijë shqiptarë refugjatë, ishte kërcënuar të shkatërrohet. “Si kosovarë, ne ndjejmë sikur të ishim edhe ne drejtpërdrejt të kërcënuar”, thuhet në reagimin e Aleancës, i cili përfundon me një falënderim për Shtetet e Bashkuara, për lirinë dhe prosperitetin e Kosovës.
Ngjarjen e kanë dënuar edhe partitë tjera politike, organizatat civile dhe institucionet e ndryshme, përfshirë këtu edhe Bashkësinë Islame të Kosovës, në reagimin e së cilës thuhet: “Të planifikosh një akt terrorist mbi një bazë ushtarake të një shteti mik të Kosovës, do të thotë të jesh kundër interesave të popullit shqiptar. Ndërsa të sulmosh Shtetet e Bashkuara, do të thotë të sulmosh shtetin që promovon vlerat demokratike”.

XS
SM
MD
LG