Ndërlidhjet

PAGE:"EKSTREMISTËT E TË DYJA PALËVE - KËRCËNIM PËR SIGURINË E KOSOVËS"


Michael PAGE, ekspert i sigurisë, ISSR

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Page, derisa vendimi për zgjidhjen e statusit final të Kosovës po afrohet, një nga shqetësimet kryesore mbetet situata e sigurisë dhe kërcënimet e mundshme ndaj saj. Cilat, në të vërtetë, janë kërcënimet ndaj sigurisë?

MICHAEL PAGE
Situata aktuale e sigurisë duket që po stabilizohet, veçanërisht në mesin e popullatës shumicë, pasi që tashmë është e qartë se gjërat janë duke ndodhur. Kështu që, kërcënimi kryesor për sigurinë bie mbi disa ekstremistë në mesin e popullatës shumicë të shqiptarëve, të cilët mund, eventualisht, të mobilizohen kundër minoriteteve. Por, natyrisht çështja tjetër që duhet të kuptohet është, se nëse statusi final do të jetë ai, që disa media po e sugjerojnë, atëherë, me siguri se minoritetet do të mund të kundërshtojnë, dhe kjo është çështje tjetër që duhet të adresohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju përmendët ekstremistët nga të dyja anët. A ka ndonjë indikacion se ata paraqesin kërcënim, apo mund të shkaktojnë sulme, shumica ndaj pakicave, apo pakica ndaj shumicës?

MICHAEL PAGE
Aktualisht jo. Një çështje që ishte interesante disa muaj më parë, apo në fund të vitit të kaluar, ishte një rritje e lehtë e hedhjes së bombave, ku duket se kishte disa lëvizje. Por, kjo situatë u stabilizua sapo u bë e qartë, se jemi në fazën përfundimtare të statusit final. Por, mendoj se tash do të shtrohet pyetja kryesore, se si do të zbatohet decentralizimi, dhe po ashtu, nëse institucionet që do ta dalin menjëherë pas statusit, do të kenë shtrirje te tërë popullata e Kosovës dhe nëse mund t’i ofrojnë siguri atyre. Nëse kjo ndodh, do të kemi një tranzicion shumë, shumë të qetë, por vetëm nëse kjo ndodh.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni situatën e sigurisë në veriun e Kosovës, posaçërisht në Mitrovicë?

MICHAEL PAGE
Aktualisht mbetet situatë e tensionuar, dhe do të mbetet kështu derisa të gjendet një zgjidhje politike. Por, nëse ka tension nuk do të thotë se do të ketë trazira apo dhunë. Edhe pse është situatë që paraqet rrezik, dhe në këtë moment të gjitha palët e përfshira duhet të kenë shumë kujdes se çfarë thonë dhe se si sillen.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit, në Serbi është krijuar një njësit paramilitar, i quajtur Garda e Car Lazarit, anëtarët e të cilit kanë thënë se do të luftojnë, nëse Kosova bëhet e pavarur. Sa është i rrezikshëm ky grup?

MICHAEL PAGE
Çdo grup potencial paramilitar është i rrezikshëm. Por, unë deri më tash, nuk kam indikacione se ka ndonjë prani të këtij grupi në Kosovë dhe duket se formimi i tij është më tepër retorik. Por, në anën tjetër duhet thënë, se duke njohur historinë e ish-Jugosllavisë në 20 vjetët e fundit, duhet të jemi të brengosur nga çfarëdo lloj grupi ekstremist që shfaqet.

RADIO EVROPA E LIRË
Mali i Zi ka nënshkruar një marrëveshje teknike me EUFOR-in, më anë të së cilës i lejohet EUFOR-it, që të kalojë lirshëm përmes Malit të Zi, nëse KFOR-it i duhen përforcime. Çka tregon ky veprim, a i duhen Kosovës më shumë trupa?

MICHAEL PAGE
Është një hap i thjeshtë dhe shumë i kuptueshëm, që në rast të përkeqësimit të situatës në Kosovë, i lejon forcat e EUFOR-it, që të ndihmojnë apo përforcojnë forcat e KFOR-it këtu, në një mënyrë shumë të shpejtë. Në anën tjetër, kjo po ashtu nënkupton se nuk do të ketë shtim të trupave këtu, nëse nuk ka përkeqësim të situatës. Mendoj se është një hap i mirëseardhur dhe i kuptueshëm, që është arritur mes EUFOR-it dhe Qeverisë së Malit të Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
A janë të mjaftueshëm trupat e KFOR-it, për të ruajtur sigurinë në kohën e përcaktimit të statusit final?

MICHAEL PAGE
Në situatën aktuale, forcat e KFOR-it janë të mjaftueshme për të ofruar siguri. Është e qartë, se nëse situata e sigurisë përkeqësohet, atëherë do të duhet të ketë një rritje të numrit të tyre. Por, mendoj se për këtë situatë është niveli i duhur, veçanërisht nëse kihet parasysh prania e policëve te UNMIK-ut, të cilët do të zëvendësohen nga misioni i BE-së këtu, dhe po ashtu prania e mbi 7 mijë policëve të SHPK-së. Kështu që tash për tash ka prani të mjaftueshme, por natyrisht, nëse ka nevojë, do të ketë përforcim nga Bosnja apo ndonjë vend tjetër.

INTERVISTOI: Albana ISUFI
XS
SM
MD
LG