Ndërlidhjet

KOMBET E BASHKUARA


Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në takimin e sotëm për Kosovën ndanë të njëjtin mendim se status quo-ja nuk mund të vazhdojë.
Këto qëndrime ata i shprehën pas paraqitjes së raportit nga Johan Verbeke, ambasadori i Belgjikës, rreth misionit informues të Këshillit të Sigurimit në Kosovë.
Ashtu si dhe një javë më parë Verbeke në raportin e tij përveç përshkrimit të qëndrimit të palëve theksoi se pozicionet rreth statusit mbeten të ndara dhe shumë të kundërta. Ai u shpreh kundër status quos.
Megjithatë, vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit kishin koncepte të ndryshme për të dalë nga gjendja aktuale.
Ambasadori rus Vitaly Churkin tha se askush nuk po mbron idenë e status quos, por kërkoi edhe vazhdimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ndërkaq, amabasadori amerikan, Zalmay Khalilzad, që është dhe kryesuesi i radhës i Këshillit të Sigurimit, tha se plani i presidentit Ahtisari është zgjidhja më e mirë e mundshme për Kosovën.
"Kur reflektova mbi qëndrimet në Beograd dhe Prishtinë nuk kishte mundësi për kompromis në çështjen e pavarësisë dhe asgjë nuk mund të sjellin bisedimet shtesë", tha Khalilzad.
Të njëjtin mendim ndanë dhe ambasadori i Francës dhe përfaqësuesja britanike.
Nga ana tjetër vende që janë përmendur si dyshuese ndaj pavarësisë së Kosovës si Indonezia, Kina apo Panamaja në deklarimet e tyre theksuan se zgjidhja për Kosovën do ketë ndikim më të gjerë se rajoni ku gjendet.
XS
SM
MD
LG