Ndërlidhjet

logo-print

BETEJA E RE E KOSOVËS


THE ECONOMIST

Në kafenetë e Prishtinës, shumica flasin se kush më së miri do ta kremtojë pavarësinë e vendit, të cilën liderët e Kosovës e kanë premtuar për javët që vijnë. Por nëse rezoluta për statusin e Kosovës shtyhet përsëri, atëherë zemërimi i kosovarëve mund të ndjehet shumë shpejt.
Këtë javë në Këshillin e Sigurimit kanë qarkulluar dy propozime të kundërta të rezolutës së re për Kosovën.
Shumica e vendeve, përfshirë amerikanët dhe të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, e favorizojnë planin e hartuar nga i dërguari i posaçëm i KB, Martti Ahtisaari, i cili parasheh një shtet me pavarësi të kushtëzuar. Por diplomatët rusë janë vendosmërisht kundër. Ata kanë lëshuar në qarkullim një draft të kundërt me këtë dhe i janë afruar vetos, ndonëse nuk kanë premtuar se do ta përdorin veton ndaj rezolutës që mbështet planin e Ahtisaarit. Një diplomat amerikan është kundërpërgjigjur se nëse Rusia e bllokon rezolutën që mbështet planin e Ahtisaarit, Kosova duhet të shpallë pavarësinë dhe Amerika do ta njohë ate.
Deri tash, me shpresë se Rusia do të ndryshojë qëndrimet, diplomatët perëndimorë kanë insistuar se nuk ka plan B. Diplomatët amerikanë madje e kanë kundërshtuar ashpër edhe propozimin e Rusisë të quajtur "Ahtisaari minus statusi", sipas të cilit, Moska do të pranonte shumicën e planit Ahtisaari, ndërsa statusi do të mbetej të shqyrtohet pas një viti. Por diplomatët amerikanë pohojnë se statusi i Kosovës tash duhet të zgjidhet.
Çka nëse Kombet e Bashkuara dështojnë në miratimin e pavarësisë së Kosovës? Atëherë supozohet se Kuvendi i Kosovës, të cilin shumica e serbëve e bojkotojnë, do të shpallë njëanshëm pavarësinë, duke lënë Amerikën dhe të tjerët që ta njohin shtetin e ri. Por liderët e Kosovës thonë se asgjë nuk do të bëjnë pa u thënë Amerika. Nëse Kuvendi do të shpallte pavarësinë pa rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara, atëherë përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, legalisht do të ishte i detyruar që ta anulojë vendimin, duke ua vështirësuar vendeve tjera njohjen e Kosovës. Misioni i UNMIK-ut i ka pyetur avokatët në Nju Jork se çfarë duhet të bëjë, dhe ende po e pret përgjigjen.
Muaji maj mund të jetë vendimtari. Nëse rezoluta nuk miratohet në javët që vijnë, atëherë çështja mund të shtyhet për në vjeshtë. Përfaqësuesi i serbëve në pjesën veriore të Kosovës, Marko Jakshiq, është optimist për këtë, dhe shpreson se nuk do të ketë rezolutë të re falë Rusisë, mikut të Serbisë që po rigjallërohet. Madje edhe nëse do të ketë një rezolutë, ai thotë se pjesa veriore e Kosovës nuk do ta përfillë shpalljen e pavarësisë.
Ndërkohë në Beograd, kryetari i sapozgjedhur i parlamentit, ultranacionalisti Tomisllav Nikoliq, tha se është për të ardhur keq që Serbia nuk është një krahinë e Rusisë. Nëse deri më 15 maj nuk formohet qeveria e re, atëherë në Serbi duhet të mbahen zgjedhje të reja, nga të cilat pritet të përfitojnë radikalët. Mjerisht, kundërshtimet në shumë vende të Bashkimit Evropian për zgjërimin e unionit, e kanë reduktuar levën e Brukselit kundër ringjalljes nacionaliste në Ballkan.

XS
SM
MD
LG