Ndërlidhjet

logo-print

KURTI: NUK DO TA RESPEKTOJ VENDIMIN PËR ARREST SHTËPIAK


Zijadin Gashi

Një ditë pasi që është liruar nga paraburgimi prej tre muajve, edhe pse nën masën e arrestit shtëpiak, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është paraqitur sot para mediave në zyrat e kësaj lëvizjeje, në Prishtinë, duke kundërshtuar të zbatojë urdhrin e gjykatës. Kurti tha se nuk i njeh gjykatat e UNMIK-ut dhe nuk do t’i respektojë urdhëresat e tyre, andaj edhe kishte vendosur të vazhdonte aktivitetin e tij në “Vetëvendosje”, pavarësisht se gjykata ka kërkuar që ai të mbetet në shtëpi, sipas urdhrit për arrest shtëpiak. Vendimet e gjykatave të UNMIK-ut, theksoi Kurti, janë vendime politike dhe nuk do t’i respektoj në asnjë moment. “Unë s’kam nevojë dhe as respekt për drejtësinë e këtyre gjykatave politike. Gjykatat politike kanë nevojë për drejtësi. Jam plotësisht indiferent ndaj vendimeve të gjykatës dhe nuk i përfilli ato. Gjykatat që s’janë të pavarura, s’kanë se si të jenë të drejta. Pavarësisht prej tyre dhe vendimeve të tyre, unë do të vazhdoj aktivitetin politik në Lëvizjen Vetëvendosje, si gjithmonë, e cila është e vetmja opozitë në Kosovë”, theksoi Kurti. Në vazhdim, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje tha po ashtu, se nuk pajtohet me vendimet që po përgatiten për statusin e Kosovës. Ai tha se nuk e sheh pakon e Ahtisaarit si një dokument, që i përmbush as për së afërmi aspiratat e Kosovës për pavarësi, sikurse që nuk e sheh zgjidhje aspak të drejtë formën, siç tha ai, të kompromiseve që po bëhen në dëm të Kosovës për nxjerrjen e rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit. “Në Këshillin e Sigurimit, madje edhe duke u bazuar në pakon e Ahtisaarit, nuk mund të ketë një rezolutë, e cila do ta pranonte vetëvendosjen për popullin e Kosovës. Aty do të bëhen kompromise të mëtutjeshme, dhe rrjedhimisht, ato do të jenë të papranueshme për ne. Jo vetëm që e zbrazën pavarësinë nga përmbajtja, ia vënë 100 bishta, që në fakt e kontestojnë esencialisht pavarësinë. Por, atë po e shtyjnë pa mbarim, gjithnjë duke i përfillur apetitet e Serbisë, dhe njëkohësisht, edhe Rusisë përmes saj”, pohoi ai. Albin Kurti dhe aktivistët e “Vetëvendosjes” kanë paralajmëruar sot edhe organizimin e protestave të tjera, në kundërshtim të zbatimit të pakos së Ahtisaarit, si marrëveshje për statusin e Kosovës. Kurti është arrestuar në natën e 10 shkurtit në Prishtinë, pas protestës e cila la pas vetës 2 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Për këtë bilanc tragjik, Kurti akuzoi UNMIK-un dhe policinë ndërkombëtare, fajësi kjo, që sipas tij, u dëshmua edhe me ikjen e kontingjentit policor rumun nga Kosova, për shkak të vrasjes së dy protestuesve të paarmatosur. Ngjarjet e 10 shkurtit, sipas tij, ishin një skenar i paramenduar i UNMIK-ut, që kishte si qëllim shtypjen e nismave dhe kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje.
XS
SM
MD
LG