Ndërlidhjet

ETHET HEMORRAGJIKE – SFIDË EDHE KËTË VIT


Nadie Ahmeti

Institucionet shëndetësore pohojnë se janë përgatitur në betejën e tyre për t’u përballur me rastet e infektimit me rriqra, sëmundje kjo e cila njihet me emrin Ethet Hemorragjike. Kështu është thënë sot gjatë një konference për sfidat përballë shëndetësisë kosovare, në raport me këtë epidemi. Ngritja e temperaturave, rrjedhimisht po ndikon edhe në shfaqjen e etheve hemorragjike, të cilat në Kosovë përsëriten çdo vit dhe përfshijnë 60 për qind të territorit të saj. Fadil Kryeziu, nga Ministria e Shëndetësisë, tha se kjo ministri ka marrë të gjitha masat e duhura për parandalimin e kësaj sëmundjeje. “Ministria e Shëndetësisë, me të gjitha institucionet e saj, është mjaft e angazhuar në plan të parandalimit dhe të diagnostifikimit më të shpejtë, apo marrjes së masave të domosdoshme, në mënyrë që të përballojmë sa më lehtë këtë sëmundje”, tha zoti Kryeziu. Sali Ahmeti, drejtor i Klinikës Infektive në Qendrën Klinikën Universitare të Prishtinës, tha se vetëm gjatë këtij viti janë paraqitur 50 raste nga infektimi i rriqrave, ndërkaq të hospitalizuar në këtë klinikë janë 5 persona. Megjithatë, zoti Ahmeti nuk e përjashton mundësinë, se gjatë muajve të ardhshëm do të ketë rritje të rasteve të infektimit. “Faktorët klimatikë premtojnë për mundësinë e shpërthimit të një epidemie. Prezenca e rriqrave është e madhe, si në vitin e kaluar, edhe në këtë vit. Me sa kam unë informacione, ka mjaft rriqra në terren. Kjo konstatohet edhe me pickimet e shpeshta. Dimri i butë, pranvera me shi dhe temperaturat e larta janë kushte klimatike, që i ofrojnë kushte shumë të mira mundësisë së shumimit të rriqrave”, u shpreh zoti Ahmeti. Epidemiologu, Isuf Dedushaj, tha se pavarësisht mundësisë së rritjes së numrit të personave me ethet hemorragjike, situata është nën kontroll. “Ekziston një projekt kombëtar, se si të parandalohet dhe të eliminohet kjo sëmundje deri në vitin 2010-2015. Nuk ka nevojë për shumë shqetësime, sepse ekipi epidemiologjik i shëndetit publik të Kosovës dhe QKU-ja janë shumë të trajnuar, për parandalimin dhe kryerjen e veprimtarive, lidhur me këtë sëmundje”, tha zoti Dedushaj. Institucioneve të shëndetësisë në Kosovë, në ndihmë u ka ardhur Organizata Botërore e Shëndetësisë. Udhëheqësi i kësaj organizate për Kosovën, Skënder Syla, tha se ethet hemorragjike nuk paraqesin problem të sigurisë shëndetësore vetëm për kosovarët, por edhe për ndërkombëtarët. Dhe për këtë arsye, zoti Syla tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë është e interesuar, që ky problem të trajtohet ashtu siç duhet. “Hapat konkretë janë në disa nivele. Njëri hap do të jetë trajnimi i vazhdueshëm i stafit shëndetësor të të gjitha niveleve. Po ashtu, ofrimi i udhëzuesve të ndryshëm, protokolleve dhe udhërrëfyesve, të cilët duhet të përditësohen, si dhe elementeve të komunikimit, ngritjes së vetëdijes dhe mobilizimit social të popullatës, me qëllim të parandalimit sa më të mirë të kësaj sëmundjeje”, theksoi zoti Syla. Ndryshe, ethet hemorragjike, për herë të parë në Kosovë, janë paraqitur në vitin 1954, nga të cilat kanë humbur jetën tetë anëtarë të një familjeje. Për herë të dytë janë paraqitur më 1986, dhe që prej atëherë, këto ethe kanë shkaktuar vdekjen e 73 personave; tre prej tyre kanë vdekur vitin e kaluar.

XS
SM
MD
LG