Ndërlidhjet

BANAC:"DUHET KUNDËRSHTUAR FUQISHËM IDETË PËR NDARJEN E KOSOVËS"


Ivo BANAC, Universiteti YALE

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni zhvillimet e fundit rreth përpjekjeve për zgjidhjen e statusit final të Kosovës?

IVO BANAC
Është një rrëfim në zhvillim e sipër. E di që tani po bëhet një përpjekje për të krijuar të ashtuquajturën qeveri të bllokut demokratik në Serbi, që është një lëvizje për të shmangur krizën. Zgjedhja e Nikoliqit, kryetar i Parlamentit, ishte një lëvizje shkatërruese, që në një masë tregoi se sa janë të përafërta pikëpamjet mes partisë së Koshtunicës dhe radikalëve, në lidhje me zhvillimet në Kosovë.
Nuk e di se deri në çfarë mase e kanë ndryshuar këtë zhvillimet e fundit, por mendoj, se për të ardhur te një përfundim logjik, nga perspektiva e Kosovës, pavarësia është projekt i pakthyeshëm. Mendoj se kjo nuk do të pengohet nga bashkësia ndërkombëtare, madje ndoshta as nga Rusia. Por, kjo mbetet të shihet. Jam optimist se ky prag do të kalohet, por pavarësia e Kosovës do të sjellë edhe vështirësi, dhe kjo është tipike për lindjen e të gjitha shteteve të reja. Është e qartë se nuk do të jetë më vështirë se situata në vendet tjera të ish-Jugosllavisë, pas shpalljes së pavarësisë së tyre. Mendoj se ka shumë për t’u mësuar nga përvoja në Slloveni, Kroaci e Bosnje, dhe shpresoj se shumë gabime që janë bërë në këto shtete, do të evitohen. Por, do të ketë vështirësi. Kjo është e qartë. Kosova do të ketë shumë probleme në krijimin e niveleve të ndryshme të autoriteteve, legjitimitetit, komunikimit ndërkombëtar. Dhe, mendoj se as situata ekonomike nuk do të jetë e lehtë. Por, mendoj se shtetësia, edhe nëse është e kufizuar apo e kushtëzuar, do të jetë bazë e mirë për të ecur më tutje. Dhe përfundimisht, zgjidhja e të gjitha problemeve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon do të jetë integrimi në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Banac, e përmendet më herët Rusinë. Duket se sfida më e madhe tash mbetet nxjerrja e një rezolute të re në Këshillin e Sigurimit, duke marrë parasysh këtu qëndrimin kundërshtues të Rusisë për planin e Ahtisaarit. Si i shihni zhvillimet e mëtejme, a do të ketë apo jo rezolutë të re në KS?

IVO BANAC
Mendoj se Solana e ka theksuar se do të ketë një koncentrim në propozimin e mëhershëm, që është sjellë në Këshillin e Sigurimit, që nënkupton se plani i Ahtisaarit është korniza e rezolutës. Sipas mendimit tim, ky plan nuk është i përsosur. Mendoj se ka shumë probleme, mendoj se në disa aspekte ai i kontribuon krijimit të një baze për ndarjen e Kosovës, që sipas mendimit tim, është plotësisht e papranueshme. Jam i sigurt, se ky nuk ka qenë qëllimi i njerëzve që e kanë sjellë këtë plan, por ka disa elemente të tilla. Kjo është korniza, dhe nëse më pyetni se çfarë do të jetë qëndrimi i Rusisë ndaj tij, unë frikësohem se gjithmonë ky qëndrim do të jetë i lidhur me interesa specifike të periudhave përkatëse. Rusia e ka problem ta pranojë atë. Në anën tjetër, luhet me shumë karta, me vështirësitë me të cilat ballafaqohen shtetet perëndimore. Rusia mund të jetë shumë e dobishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çështjet si projektet bërthamore të Iranit etj. Për ta përfunduar, mendoj se Rusia do të udhëhiqet nga gjërat që janë të rëndësishme për politikën e saj të jashtme. Dhe, nuk jam i sigurt, se do të jenë prioritet për të qëndrimet e promovuara nga organizatat e ndryshme nacionaliste serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se plani i Ahtisaarit mund t'i kontribuojë ndarjes së Kosovës. Çka nënkuptoni me këtë?

IVO BANAC
Nënkuptoj një plan të vjetër të qarqeve të ndryshme nacionaliste të Serbisë, posaçërisht të lidhura me Dobrica Qosiqin, ku thuhet se do të heqim dorë nga pjesa jugore e Kosovës, por pjesa veriore është serbe dhe atë do ta mbajmë. Kjo në asnjë rrethanë nuk duhet të pranohet. As nga pala kosovare e as nga komuniteti ndërkombëtar. Çfarëdo tendence që të ekzistojë në ndonjë qark perëndimor për të ndjekur këtë mundësi, mendoj se duhet rezistuar fuqishëm, sepse do të ketë implikime negative tek anëtarët tjerë të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe Ballkanin.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se plani i Ahtisaarit nuk është plani më i mirë. Por, nëse miratohet, sa mendoni se do të jetë i suksesshëm implementimi i tij në terren, veçanërisht në pjesën veriore?

IVO BANAC
Është shumë vështirë, që të parashikohet kjo. Mendoj se përparësia e këtij plani qëndron në atë se është një hap drejt pavarësisë, një hap shumë i madh. Ndërsa, aspekti negativ mund të jetë se pjesa kalimtare mund të shihet si një favor për ata që nuk favorizojnë pavarësinë e Kosovës. Por, mendoj se me zhvillimet shqetësuese në Serbi, ata njerëz që do të donin të shumëfishojnë pengesat, mund të jenë në një pozitë më të dobët, sesa që kanë qenë javë më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, në rast se zgjidhet qeveria e re e Serbisë, çfarë ndikimi do të ketë në procesin e përcaktimit të statusit final të Kosovës?

IVO BANAC
Nëse formojnë qeverinë, do të jenë në një pozitë më të mirë, për të ndikuar në zhvillimet. Por, në anën tjetër, është fakt se partia që do të ketë përgjegjësi të mëdha në Serbi, ishte e gatshme që të lidhë aleancë me radikalët, e kjo ka një domethënie të madhe, dhe rrjedhimisht ia dobëson pozitën asaj. Në ditët e fundit, Serbia ka humbur shumë nga kredibiliteti i saj. Kjo nuk është diçka që do të duhej të na bënte të lumtur, por megjithatë flet për nevojën që t’u jepet kosovarëve e drejta e vetëvendosjes, ashtu që e ardhmja e tyre të mos lidhet me qëndrimet shqetësuese dhe ndryshimet në Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se do të zgjidhet, siç e quajnë tashmë, pjesa e fundit e enigmës së Ballkanit?

IVO BANAC
Po flasim për një të ardhme relativisht të afërt. Nuk mund të them nëse do të jetë një apo dy muaj, por me siguri se do të jetë para fundit të verës, edhe pse më duhet të them se mendoja njësoj edhe para një viti, por procesi u zgjat shumë më shumë se që e kisha paraparë.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG