Ndërlidhjet

ANDERSON: “KOMPROMISI SHBA-RUSI PËR REZOLUTËN E KOSOVËS S'ËSHTË I PAMUNDUR”


Alex ANDERSON, shef i ICG-së në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, në Këshillin e Sigurimit tashmë është dorëzuar projektrezoluta e e mbështetur në planin e Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur. Në anën tjetër, ka mospajtime nga Rusia. Si e shihni ju këtë situatë?

ALEX ANDERSON
SHBA-të posaçërisht duken mjaft optimiste për një agjendë të shpejtë të zgjidhjes së tyre të preferuar për Kosovën, duke menduar për fundin e majit apo për qershorin. Vërejtjet ruse e bëjnë të duket më e mundshme që kjo të kërkojë më shumë kohë, për të arritur një pajtueshmëri për tekstin e rezolutës. Sidoqoftë, duke parë dinamikat në Këshillin e Sigurimit, nuk mendoj se është e pamundur që Shtetet e Bashkuara dhe evropianët në njërën anë dhe Rusia në anën tjetër të gjejnë një formulim kompromisi për rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
A është njëfarë kompromisi edhe fakti që në këtë projektrezolutë nuk është përmendur pavarësia në mënyrë eksplicite?

ALEX ANDERSON
Ky është një kompromiset e mundshme. Nëse shohim elementet e rezolutës së mundshme që ka qarkulluar në duart e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në njërën anë dhe në anën tjetër versionin paralel të rusëve në ditët e fundit, ne mund të shohim që Rusia së paku ka arritur të fusë disa elemente të propozimit gjithëpërfshirës të zgjidhjes së Ahtisarit në elementet e propozuara nga vetë Rusia.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, kah çon kjo situatë – kah miratimi i një rezolute të re që do ta njihte statusin e Kosovës, apo i mbetet Kuvendit të Kosovës të shpallë pavarësinë?

ALEX ANDERSON
Retorika nga politikëbërësit amerikanë që në javët e fundit kanë inkurajuar disa në Kosovë që ndoshta të shpallin pavarësinë, në rast se dështon rezoluta në Këshillin e Sigurimit, mendoj se janë udhëzime të pamatura. Janë këshilla të pamatura për amerikanët që të shtyjnë aq fort përpara rezolutën, me çka po e nxisin Rusinë që të vërë veto mbi të. Këtu ka një vend për ta sforcuar çështjen e rezolutës së re dhe për një shkallë të një strategjie rreziku nga Shtetet e Bashkuara, por nuk duhet të shkojë aq larg sa për të shkaktuar njëfarë aksidenti në Këshillin e Sigurimit. Mendoj se kaq planifikime të bashkësisë ndërkombëtare, planifikime që i kemi parë të përfaqësuara në propozimin e Ahtisaarit, planifikime të Bashkimit Evropian, të NATO-s dhe të perspektivës së ardhshme të Kosovës që të mund t’u bashkohet institucioneve financiare ndërkombëtare, të jetë në gjendje t’u bashkohet nismave rajonale, krejt kjo varet nga marrja e së paku një shkalle të autorizimit të KS të OKB-së për këtë ndryshim statusi. Do të jetë shumë e dëmshme, si për Kosovën, po ashtu edhe stabilitetin rajonal, nëse Kosova do ta shpallte pavarësinë pa një mbështetje të mjaftueshme ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, sipas jush cilat do të jenë efektet e zhvillimeve të fundit në Serbi, qeveria e re e për shembull, në gjithë procesin?

ALEX ANDERSON
Nëse Serbia nuk do ta formojë qeverinë, e këtë do ta shohim në ditët e ardhshme, nëse kjo marrëveshje do të realizohet, kjo natyrisht do t’ua bëjë më të vështirë atyre si Rusia për të mbajtur linjën se duhet të ketë më shumë negociata në këtë proces, përpara se Këshilli i Sigurimit të dalë me rezolutë. Mirëpo, formimi i kësaj qeverie, edhe nëse i marrim të gjitha parasysh, është një rezultat më i mirë, sesa rasti kur Serbia të shkonte në zgjedhje të reja me një ndjenjë paqartësie. Natyrisht se nga pikëpamja perëndimore ndoshta do të ishte më mirë që Partia Demokratike e Tadiqit të kishte marrë më shumë kontroll mbi sektorin e sigurisë, siç është ministria e brendshme dhe ne kemi parë se partia e Koshtunicës ka marrë kontrollin mbi ministrinë e brendshme dhe mbi mbi Këshillin Koordinues për Kosovën, kështu që kjo jep shkas për njëfarë frike se partia e Tadiqit do të jetë e ftuar për të thurur njëfarë imazhi të orientimit proevropian, sa për të mbuluar linjën e fortë të orientimit të qeverisë së Serbisë në raport me Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, zoti Anderson, cila do të jetë sfida e parë dhe më e rëndësishme për Kosovën, pas rezolutës së re, qoftë ajo e miratuar nga Këshilli i Sigurimit, apo edhe në rastin e shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi dhe njohjes së saj nga shtetet apo grupet e shteteve, siç është deklaruar tashmë?

ALEX ANDERSON
Sfida më urgjente do të jetë reagimi i serbëve të Kosovës. Kjo do të jetë ajo që do të mund të përcaktojë ditët dhe javët e para të shtetësisë së Kosovës. Qoftë një shkallë e mundshme e rezistencës ndaj këtij statusi të ri në veri të Kosovës, që në njërën anë mund të jetë politike dhe retorike, ose ekstremi tjetër ndoshta i një rebelimi dhe përdorimit të armëve. Qoftë edhe reagimi serbëve në enklavat serbe, pasi kemi rreth 60 për qind të serbëve që jetojnë në jug të lumit Ibër në Kosovën qendrore dhe jugore. Ka njëfarë brengosjeje se politika e shqiptarëve të Kosovës është aq shumë e preokupuar me vetveten dhe me përplasjet e brendshme për pushtet prandaj nuk ka mjaft energji dhe vullnet për t’u ngritur mbi ato çështje dhe për të bërë përpjekje për të ndërtuar një strategji e cila do të stabilizonte popullatën serbe në ditët e para të pavarësisë së Kosovës.

INTERVISTOI RRAHMAN PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG