Ndërlidhjet

REAGIMET NË RAPORTIN E ICG-SË


Albana Isufi

Propozimet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për disa ndryshime në planin e Ahtisaarit, siç është sjellja e një të dërguari special për minoritetet apo moratoriumi dyvjeçar para se Kosova të aplikojë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara, janë pritur me rezerva nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se institucionet tashmë kanë pranuar planin e Ahtisaarit dhe nuk ka nevojë për ndryshime të mëtejme të planit.
“Ekziston një përkrahje e fuqishme e këtij plani nga SHBA-të dhe BE-ja, si dhe nga një numër i madh i shteteve demokratike anekënd globit. Kështu që konsiderojmë, se nuk mund të bëhen kurrfarë ndryshimesh të këtij plani, pa pasur miratimin e institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj, sepse po vendoset për fatin e tyre, për të ardhmen e tyre”, tha Beqiri. Duke komentuar propozimin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për një të dërguar special për minoritetet, këshilltari politik i kryeministrit, Arben Qirezi, thotë se plani i Ahtisaarit ka paraparë mjaft mekanizma mbikëqyrës dhe nuk ka nevojë për të tjerë. “Ne do të kemi një prani të konsiderueshme ndërkombëtare në Kosovë. Për këtë arsye, nuk konsiderojmë se duhet të ndërtohet një institucion shtesë për këtë çështje. Megjithatë, mendojmë se bashkësia ndërkombëtare do t’i marrë vendimet, ashtu që Kosova, si shtet i pavarur, të funksionojë në mënyrë të papenguar dhe të mos jetë e stërngarkuar me institucione mbikëqyrëse jashtë asaj që është paraparë me planin e zotit Ahtisaari. Ne mendojmë se plani i Ahtisaarit ka paraparë mjaft mekanizma mbikëqyrës dhe kontrollues për Kosovën”, theksoi Qirezi. Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në raportin e tij të fundit për Kosovën, thotë se nuk ka alternativë të mirë ndaj planit të Ahtisaarit. Megjithatë, edhe pse në plan parashihet anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, Grupi Ndërkombëtar i Krizave propozon një moratorium dyvjeçar para anëtarësimit të Kosovës në OKB. Arben Qirezi nuk pajtohet me këtë propozim. “Kosovës do t’i nevojitet anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare, para së gjithash për shkak të zhvillimit të saj ekonomik dhe afirmimit të saj. Nuk mund të ketë tërheqje të mirëfilltë të investitorëve të huaj pa pasur një afirmim ndërkombëtar. Kosova duhet t’i ketë të drejtat e saj, sikurse edhe çdo vend tjetër i pavarur. Dhe në këtë aspekt, duhet të ketë të drejtë të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, pra edhe në OKB”, u shpreh Qirezi. Grupi Ndërkombëtar i Krizave paralajmëron se situata e sigurisë në Kosovë mund të përkeqësohet, nëse statusi i Kosovës nuk arrin të zgjidhet këtë verë. Ky paralajmërim, nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, vlerësohet si i rrezikshëm. Lideri i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, thotë se komuniteti ndërkombëtar, gjatë zgjidhjes së statusit final të Kosovës, duhet të marrë parasysh edhe destabilizimin e mundshëm të Serbisë. “Qëndrimet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave përputhen me qëndrimet e Ekipit të Unitetit. Mendoj se ky qëndrim, në thelb është i rrezikshëm, ashtu sikurse edhe ai që flet për përgjegjësitë në rast të trazirave. Nuk është rrugë e mirë kërcënimi me trazira, si një masë presioni. Më duket se është shumë më mirë, që të shqyrtohen të gjitha mundësitë dhe të merret parasysh edhe ai që është qëndrim i Serbisë, sepse pa pajtimin e saj, është shumë vështirë të arrihet deri te ndonjë vendim, që do të ishte stabil dhe afatgjatë”, tha Ivanoviq. Grupi Ndërkombëtar i Krizave, pengesë kryesore në zbatimin e planit të Ahtisaarit e me këtë edhe zgjidhjen e statusit final të Kosovës, e sheh kërcënimin me veto të Rusisë. Megjithatë, në mesin e institucioneve të Kosovës ende ka optimizëm, se plani do të kalojë në Këshillin e Sigurimit. Ngjashëm mendon edhe zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri. “Gjatë gjithë procesit të deritanishëm, Rusia ka qenë pjesë aktive në kuadër të Grupit të Kontaktit. Ne besojmë, se pavarësisht hezitimit që ka shfaqur, në fund do të mbizotërojë një mendim i përbashkët i të gjitha fuqive vendosëse. Në këtë kuadër, presim që edhe Rusia të jetë në kompozicion me faktorët tjerë në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë Beqiri. Në rast të mosmiratimit të rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit, Grupi Ndërkombëtar i Krizave u ka rekomanduar kosovarëve, që të vetëpërmbahen nga shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës. Por, për një gjë të tillë kanë siguruar sërish përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, të cilët thonë se në rrugën e zgjidhjes së statusit final, nuk do të ecin vetëm, por bashkë me partnerët ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG