Ndërlidhjet

logo-print

PREMTIMI PËR KULM MBI KOKË


Zijadin Gashi

Familja Kërstiq është zhvendosur nga Kosova gjatë vitit 1999 dhe deri në prill të këtij viti ka gjetur strehim në një qendër kolektive në Smederevë të Serbisë. Kjo familje thotë, se kryesuesit e Këshillit Kombëtar Serb nga Mitrovica i kishin premtuar, se do t’i gjejnë një banesë për qëndrim të përhershëm në pjesën veriore të Mitrovicës, por kjo nuk ka ndodhur. Siç thotë kryefamiljari Dragan Kërstiq, Këshilli Kombëtar Serb i ka premtuar se nëse i bashkohet turmës së njerëzve në kufi me Kosovën, ditën e vizitës së Këshillit të Sigurimit, në Jerinë afër Leposaviqit, atëherë si shpërblim do të marrë një shtëpi në veri të Mitrovicës. “Kryetari Kasalloviq na ka premtuar shtëpi. Unë, bashkë me familjen, e kemi parë shtëpinë dhe ajo ka qenë në gjendje të shkëlqyer”, shprehet Dragan Kërstiq. Sipas tij, Momir Kasalloviq, kryetar i rrethit të Mitrovicës, i kishte premtuar se me pjesëmarrjen e tij në tubimin e refugjatëve në kufi me Kosovën, do të marrë atë shtëpi dhe do të punësohet. Mirëpo, Kasalloviq, në anën tjetër, thotë se për familjen Kërstiq, në kuadër të programit social, është paraparë përkujdesje, por nuk i është premtuar shtëpi. Ai e konsideron sjelljen e familjes Kërstiq, si tendencë për të përfituar materialisht pas pjesëmarrjes në tubimin e të zhvendosurve në kufi me Kosovën. “Nuk i kemi premtuar asgjë, për faktin se ai ishte i pari në rendin e masës së të tubuarve në Jerinë. Ne kemi llogaritur se ai dhe familja e tij, si patriotë, mund të kthehen në Kosovë dhe jo të tentojnë që ta materializojnë pjesëmarrjen në atë tubim”, thotë Kasalloviq. Por, ashtu nuk dëshmon Dragan Kërstiq. “Kur u ktheva unë në Mitrovicë, Kasalloviq më tha, ti i paske sjellë me vete gruan dhe fëmijët..., e unë ia ktheva që është e natyrshme, sepse unë nuk do të jetoj vetëm në atë shtëpi. Por, ai mu drejtua me fjalët, dil jashtë nga zyra ime”, thotë Kërstiq, duke rrëfyer ngjarjen. Ndërkohë, Kasalloviq thotë se rrëfimi i Kërstiqit nuk është i vërtetë. “Ai e kishte parë një shtëpi, të cilën ne e kemi paraparë për bibliotekën e qytetit. Këtë shtëpi ai e kishte zgjedhur dhe kishte sjellë fëmijët me vete që të vendosen, ku ka hasur në rezistencën e rojeve, kështu që më pas filloi skenat e tij”, thotë Kasalloviq. Ndryshe, familja Kërstiq, pas gjendjes së krijuar, është detyruar që të gjejë strehim jo në pjesën veriore, siç i është premtuar, por në Graçanicë. Sipas Dragan Kërstiqit, kjo familje është detyruar të qëndrojë para dyerve të manastirit të Graçanicës, kurse më pas, asaj i është siguruar një kontejner për strehim. Në këtë kontejner, ai thotë se familjes së tij i janë ofruar ushqime dhe gjëra të tjera elementare nga Kryqi i Kuq dhe Komisariati i OKB-së për Refugjatë. Gjatë kohës së vizitës së Këshillit të Sigurimit në Kosovë, Këshilli Kombëtar Serb pati organizuar një tubim të personave në kufi me Kosovën, por kjo përpjekje nga qarqet politike dhe analistët në Prishtinë, ishte komentuar më shumë si një gjest i motivuar politikisht dhe jo si një gjest që do t’u ndihmonte të zhvendosurve që të kthehen nëpër shtëpitë dhe pronat e tyre.
XS
SM
MD
LG