Ndërlidhjet

LLUKIANOV: RUSIA NUK DO PËRDOR VETON, PASI NUK RREZIKON RAPORTET ME PERËNDIMIN


Fjodor LLUKIANOV, kryeredaktor i revistës 'Rusia në Marrëdhëniet Globale'

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Llukianov, ka përfunduar takimi mes Sekretares amerikane të Shtetit Kondolisja Rajs dhe presidentit rus Putin. A mendoni se pozicionet e palëve janë më afër apo më larg pas këtij takimi? A u arrit diçka në këtë takim?

FJODOR LLUKIANOV
Mendoj se arritja më e madhe dhe e vetme e këtij takimi u formulua nga ministri i jashtëm rus Lavrov. Ai tha se Rusia dhe SHBA-të ranë dakord të zbusin gjuhën e përdorur në marrëdhëniet mes dy palëve. Kjo është ajo që është arritur, e cila merr rëndësi të vecantë kur dihen shkëmbimet e fundit të deklaratave mes Moskës e Uashingtonit.
Vizita e zonjës Rajs ka tërhequr vëmendjen e shumëve duke menduar se do arrihet dicka. Por kjo nuk është objektive pasi kundërthëniet mes dy vendeve janë të mëdha dhe nuk mund të zgjidhen përmes një vizite të vetme.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova është një nga cështjet ku Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk pajtohen. Ministri i jashtëm rus Lavrov tha pas takimit Rajs - Putin se palët ranë dakord të punojnë për një zgjidhje të pranueshme, por ende nuk është gjetur një e tillë. A mendoni se do arrihet një marrëveshje rreth statusit të Kosovës?

FJODOR LLUKIANOV
Jo, nuk mendoj se do ketë një marrëveshje. Pas takimeve zyrtare, zonja Rajs dha një intervistë për radion moskovite Echoja e Moskës. Ajo e tha qartë se Kosova kurrë nuk do të kthehet më në Serbi dhe ky tashmë është fakt. Ky pozicion nuk lë hapësirë për të manovruar në këtë cështje, pasi pozicioni rus është se plani i Ahtisarit është i papranueshëm.
Besoj se në fund Rusia nuk do përdorë veton në Këshillin e Sigurimit, pasi marrëdhëniet me perëndimin edhe kështu janë të këqija. Këtu nuk kam parasysh vetëm marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por dhe me Bashkimin Evropian. Samiti i ardhshëm me Bashkimin Evropian është më i vështiri.
Në këto kushte që Rusia të shkatërrojë dhe më tej marrëdhëniet me perëndimin për hatër të Serbisë nuk më duket e arsyeshme.
Nga ana tjetër pozicioni rus është i vështirë.
Nuk është në interes të Rusisë që zgjidhje të tilla të imponohen mbi Kosovën dhe Serbinë. Ajo që besohet në perëndim se Rusia do përdorë këtë precedent në Abkazi apo Oseti në fakt nuk është kështu. E vërteta është se Rusia trembet se zgjidhja e Kosovës do përdoret si precedent nga popujt e Abkazisë apo Trasndnjistries, që nuk shohin shumë dallime mes tyre dhe kosovarëve.
Nga ana tjetër është një lob i fuqishëm në Moskë që kërkon nga Rusia të njohë menjëherë këto territore si shtete të pavarura pas pavarësisë së Kosovës.
Ky presion në kushtet kur ka filluar fushata zgjedhore nuk është dicka e mirë.
Nga ana tjetër pzoicioni rus është jo realist, pasi nuk mund të imagjinoj ndonjë zgjidhje që pranohet nga të dyja palët.
Rusia do vazhdojë këtë pozicion kundërshtues sa më gjatë, në mënyrë që t'i japë Serbisë kohë, për të përmirësuar kushtet lidhur me statusin final. Por nuk e di se sa Serbia do ta pranojë një gjë të tillë, kur dihet qëndrimi i tyre se kurrë nuk do pranojnë një Kosove të pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush do vendosë për qëndrimin rus në Këshillin e Sigurimit, diplomacia ruse apo Kremlini?

FJODOR LLUKIANOV
Kremlini, padyshim.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri kur do ta mbajë Rusia këtë qëndrim, kur dihet se nuk ka interesa në Kosovë?

FJODOR LLUKIANOV
Kjo është e vërtetë, pasi Rusia nuk ka interesa në Kosovë. Por problemi filloi nga SHBA-të dhe NATO-ja.
Është një situatë irracionale, pasi aktorët kryesorë në këtë përballje, Rusia dhe SHBA-të nuk kanë interesa të drejtpërdrejta në Kosovë. Është cështje statusi dhe ambicje.
Nga ana tjetër Rusia ka dhe ndjesinë, bazuar në një histori të gjatë se Perëndimi po përpiqet të imponojë zgjidhje të ndryshme në situata të caktuara, si Ballkani apo Iraku. Problemi është se modelet e rekomanduara nga perëndimi nuk kanë funksionuar dhe rezultati nuk ka qenë ai i prituri.

Intervistoi: Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG