Ndërlidhjet

SURROI: EKIPI I UNITETIT PO BËN IMPROVIZIME


Albana Isufi

Brenda Grupit të Unitetit ka çalime dhe nuk ka konsistencë, por improvizim të veprimeve. Kështu tha sot anëtari i Ekipit të Unitetit, Veton Surroi, duke tërhequr vërejtjen se edhe tre ekipe të unitetit po të ekzistonin, nuk do të mund t’i bënin ballë sfidave, që Kosova ka në këtë kohë të përcaktimit të statusit final. “Fakti se po e ndaj këtë brengë me ju, nuk është se do të ketë thyerje të mëdha ose nuk do të ketë thyerje. Thjesht dua t’ju tregoj, se gjendja është serioze. Gjendja është serioze në çalimin brenda Grupit të Unitetit dhe gjendja është serioze karshi sfidave që i kemi përpara”, tha Surroi. Këto komente të Surroit vijnë në kohën kur ka pasur mosmarrëveshje në Ekipin e Unitetit, rreth pjesëmarrjes ose jo të Kosovës në Konferencën e Vendeve Islamike, që u mbajt në Islamabad. Atje ishte paraparë që të shkonte Surroi. Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë dje, se ai është president i vendit dhe mund të vendosë vetë për politikat e jashtme, gjë që është hedhur poshtë sot nga Surroi. Sidoqoftë, Surroi tërë këtë gjendje e ka quajtur një debat, që sipas tij, i duhet një shoqërie, dhe ka përjashtuar mundësinë se mes tij dhe presidentit Sejdiu ka mosmarrëveshje. Në një konferencë për gazetarë, lideri i partisë opozitare Ora, Veton Surroi, ka kritikuar mosqëndrueshmërinë e vendimeve, që merren në Ekipin e Unitetit. “Ekipi i Unitetit merr një qëndrim, por nuk vazhdon ta implementojë atë qëndrim politik, dhe kjo quhet improvizim. Nuk mund të improvizosh në çështje kaq fundamentale. Nëse merr Ekipi i Unitetit një vendim, ai vendim duhet të përcillet deri në fund. Dhe ky është që të sugjerohet, të hapet procesi brenda Kuvendit, brenda Kryesisë”, u shpreh Surroi. Në këtë kuadër, lideri i Ora-s mori shembull çështjen e simboleve shtetërore, për të cilat Ekipi kishte premtuar se do të bëheshin deri në fund të majit, por kjo çështje ende nuk ka hyrë në procedurë parlamentare. “Si rrjedhojë e kësaj, tash jemi para një qëndrimi, ku të premten duhet të marrim vendim për pasaporta të përkohshme. Unë, t’ju them të drejtën, jam i lodhur nga gjendjet e përkohshme. Prandaj, ka qenë insistim i imi që nga fillimi, që pasaportat të kenë simbolet e Kosovës, mos të fillojë dita e parë e pavarësisë me gjendje përkohshmërie. Le të fillojë dita e parë e pavarësisë me një gjendje identifikuese të një shteti, që i ka themelet e veta, e edhe simbolet e veta”, ka theksuar Surroi. Ai tërhoqi vërejtjen, se improvizimet e tashme do ta dëmtojnë shumë imazhin e Kosovës së pavarur. “Nëse ne vazhdojmë kështu, Kosova e pavarur, e unë jam i bindur se do të mbërrijmë atje, institucionet e Kosovës së pavarur do të jenë në një gjendje serviliteti ndaj pranisë së ardhshme ndërkombëtare. Kjo është faza kritike, sepse me mënyrën se si do të fillojmë punën si Kosovë e pavarur, ashtu do të ecë ky vend”, tha Surroi. Lideri i Ora-s, Veton Surroi, ka sugjeruar që hapi i ardhshëm i Ekipit të Unitetit të jetë shqyrtimi i të gjitha çështjeve dhe sfidave, me të cilat do të përballet Kosova tash dhe pas statusit.

XS
SM
MD
LG