Ndërlidhjet

logo-print

ÇEKU: ANGAZHIMI I SHBA-VE DHE BE-SË DO TË JAPË REZULTAT


Rrahman Paçarizi

Procesi rreth statusit po ecën me dinamikën e paraparë, ndërkohë që gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile dhe pa indikacion për ndonjë përkeqësim, që lidhet me përcaktimin e statusit, thanë sot udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe të pranisë ndërkombëtare. Pas një takimi me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, dhe me komandantin e forcës paqeruajtëse KFOR, gjeneralin Roland Kather, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha se është i bindur që angazhimi amerikano-evropian, për të miratuar rezolutën për pavarësinë e Kosovës, do të japë frytet e veta. “Procesi është duke ecur me dinamikën e paraparë. Ne jemi dëshmitarë të një gatishmërie dhe të një përkushtimi të madh të SHBA-ve dhe të BE-së për miratimin e shpejtë të një rezolute, të cilën ata tashmë e kanë prezantuar para Këshillit të Sigurimit. Jemi dëshmitarë të përpjekjeve diplomatike të SHBA-ve dhe do ta shohim edhe zonjën Merkel, të enjten, në Moskë, që po bën përpjekje të sigurohet vota apo, së paku, abstenimi i Rusisë për një rezolutë të re”, u shpreh kryeministri Çeku. Sidoqoftë, në takimin e sotëm kanë mbizotëruar diskutimet për çështjet e sigurisë, në përpjekjet e përbashkëta për të garantuar një mjedis të qetë, në të cilin do të pritej zgjidhja e statusit të Kosovës dhe implementimi i atij statusi. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha se kjo është një fazë tepër e rëndësishme për Kosovën, por edhe e ndjeshme njëkohësisht. “Që të tre jemi të bindur, lidhur me situatën aktuale dhe me ditët e javët e ardhshme, ndërsa po hyjmë në këtë fazë shumë të rëndësishme të diskutimeve në Këshillin e Sigurimit dhe përderisa po arrijmë në prag të përcaktimit të statusit”, është shprehur Ruecker. Edhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Roland Kather, tha se siguria është një prioritet dhe se nuk do të tolerohet kurrfarë dhune. “Mesazhi ynë është i qartë, se nuk do të tolerojmë kurrfarë dhune. Dhe, të gjithë duhet ta dinë se ne jemi të përgatitur për këtë, mirëpo aktualisht nuk kemi kurrfarë indikacionesh për dhunë”, ka thënë Kather. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha se situata e sigurisë në Kosovë është stabile dhe e qetë. “Si çdoherë, në situata historike në të cilat ne gjendemi, mund të përballemi me situata të ndryshme të sigurisë, mund të përballemi me reagime të ndryshme. I shqyrtuam të gjitha opsionet e mundshme dhe shprehëm bindjen, që ne bashkërisht kemi potencial, që të përballemi dhe t’i zgjidhim të gjitha sfidat e sigurisë, me të cilat ne mund të ballafaqohemi tani, në kohën e përcaktimit të statusit të Kosovës”, tha kryeministri Çeku, i cili bashkë me zotin Ruecker dhe me gjeneralin Kather, i kanë siguruar pjesëtarët e pakicave, se ata do të jenë krejtësisht të sigurt, qoftë gjatë zgjidhjes së statusit, qoftë pas zgjidhjes së tij.
XS
SM
MD
LG