Ndërlidhjet

logo-print

GJENDJA EKONOMIKE (S’) ËSHTË NË KRIZË


Nadie Ahmeti

Gjendja e përgjithshme ekonomike në Kosovë është në krizë, me vetë faktin se nuk është radhitur si prioritet në agjendën e institucioneve vendore. Ky është vlerësimi i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës. Hashim Thaçi, kryetar i kësaj partie, tha se zhvillimi ekonomik në Kosovë ka shënuar rënie, ndërkaq përqindja e papunësisë është rritur. Zoti Thaçi pohoi se në kohën kur Kosova gjendet në prag të zgjidhjes së statusit, duhet të merren veprime të shpjeta dhe politika zhvillimore për zgjidhjen e këtyre problemeve. “Kosova, tash, veç po pavarësohet. Duhet të jemi të përgatitur, që të fillojmë zhvillimin ekonomik, të merremi drejtpërdrejt me hallet dhe shqetësimet e qytetarëve të Kosovës. T’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë për krijimin e vendeve të reja të punës, natyrisht edhe me paga më të larta”, tha zoti Thaçi. Këto vlerësime ai i bëri gjatë një takimi që ka pasur me përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës. Besim Beqaj, kryetar i këtij institucioni, pajtohet me konstatimin, se gjendja ekonomike është në krizë. Ai thotë se ka ardhur koha që institucionet vendore t’i kushtojnë vëmendje komunitetit të biznesit dhe zhvillimit ekonomik në përgjithësi. “Shqetësimet e biznesit janë që të ketë një legjislacion të mirëfilltë, të mos bëjmë veprime të njëanshme, të mos merren vendime laboratorike, por të merren vendime të cilat përkojnë me biznesin. Të mos trajtohet biznesi vetëm si vend, ku duhet të merren të holla për mbushjen e buxhetit, mirëpo si subjekt që ndihmon në punësim”, u shpreh zoti Beqaj. Por, me këto konstatime nuk pajtohet Dardan Stublla, këshilltar i ministrit të Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë e Kosovës. Ai thotë se gjendja ekonomike në Kosovë është stabile dhe madje, sipas tij, kohët e fundit, në sektorin ekonomik është shënuar një rritje prej 5 për qind. “Ekonomia kosovare nuk është në krizë. Vetë fakti, duke parë që prej përfundimit të luftës, çdo vit ka përmirësim të dukshëm në ekonomi, nuk parasheh një krizë të ekonomisë, por sheh një zhvillim të ekonomisë”, pohoi zoti Stublla. Por, zoti Thaçi thotë se problemet, me të cilat përballet komuniteti i biznesit, po ndodhin pikërisht për faktin se Qeveria e Kosovës, sipas tij, e ka vënë në shërbim të vetin këtë komunitet. “Natyrisht se ka pasur vështirësi edhe në raport me statusin ekonomik. Por, tash pavarësia po zgjidhet, dhe dallimi qëndron këtu, mes nesh dhe Qeverisë aktuale. Qeveria aktuale e ka vënë në shërbim të vetin biznesin, duke e shfrytëzuar. Ndërkaq, ne mendojmë t’i shërbejmë biznesit, t’i krijojmë hapësirë dhe perspektivë më të mirë dhe më të sigurt”, theksoi zoti Thaçi. Dardan Stublla thotë se komuniteti i biznesit gjithnjë ka qenë një nga prioritetet e Qeverisë. Vlerësimet e opozitës në këtë drejtim, zoti Stublla i cilëson si fushatë parazgjedhore. “Opozita është duke kryer punën e vet. Dhe, duke marrë parasysh se në të ardhmen do të ketë edhe zgjedhje, ata e përdorin këtë si fushatë elektorale. Kështu që, këto janë aludime të opozitës dhe në asnjë mënyrë nuk janë të vërteta. Qeveria e Kosovës, prej fillimit të mandatit e deri në fund, është e zotuar që të ndihmojë bizneset kosovare, duke filluar prej lirimit të tatimit, lirimit të doganave”, u shpreh zoti Stublla. Sidoqoftë, të dyja palët pajtohen se zhvillimi ekonomik në Kosovë vazhdon të jetë një nga sfidat më të rënda përballë institucioneve vendore, që shpresojnë se me zgjidhjen e statusit politik, do të zgjidhen edhe shumë pengesa të tjera në aspektin ekonomik.
XS
SM
MD
LG