Ndërlidhjet

GRUEVSKI RIKONFIRMON MBËSHTETJEN E SHKUPIT PËR PAKON E AHTISAARIT


Zijadin Gashi

Maqedonia i përkrah angazhimet e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që mbështetet në bazat e përcaktuara në pakon e Ahtisaarit, ka pohuar sot në Prishtinë, kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski. Gjatë vizitës në Prishtinë, Gruevski është pritur në takime të ndara nga presidenti dhe kryeministri i Kosovës, si dhe nga shefi i UNMIK-ut. Kryeministri Gruevski tha se Prishtina e Shkupi kanë marrëdhënie shumë të mira dhe pret që me zgjidhjen e statusit, këto marrëdhënie të marrin dhe një dimension të ri. Ai tha se e mbështet planin e Ahtisaarit, ngase me të zgjidhet edhe çështja e kufirit ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. “Ne e rikonfirmojmë përkrahjen tonë për planin e Ahtisaarit. Besojmë, se menjëherë pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, do të fillohet me implementimin e çështjes së demarkacionit të kufirit”, tha kryeministri Gruevski. Me zgjidhjen e statusit të Kosovës, sipas tij, po përmbyllet çështja e fundit, e hapur në Ballkan, me çka, shtoi ai, po marrin fund dhe tensionet në rajon. Opinione pozitive për raportet e mira ndërmjet Prishtinës e Shkupit kanë shprehur edhe liderët kosovarë. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë miqësore dhe i falënderoi autoritetet e Shkupit, për mbështetjen që i kanë dhënë pakos së Ahtisaarit, si zgjidhje për statusin e Kosovës. “Për ne është shumë me rëndësi, që do të thellojmë bashkëpunimin. Do të jetë bashkëpunim në të gjitha nivelet e mundshme. Popujt tanë kanë raporte të shkëlqyeshme dhe e them se janë raporte historike, sepse jemi të një nënqielli dhe jemi të fateve të përafërta të përjetuara”, është shprehur presidenti Sejdiu. Ndërkaq, pas takimit ndërmjet dy kryeministrave, Nikola Gruevski dhe Agim Çeku, u tha se të dy janë pajtuar, që duhet t’i intensifikojnë takimet në nivel të dy qeverive, në mënyrë që marrëdhëniet e mira Prishtinë – Shkup të thellohen në të gjitha fushat. Kryeministri Agim Çeku tha se me pavarësimin e Kosovës, këto raporte vetëm sa do të thellohen edhe më shumë. “Jemi në pritje të rezolutës së re të Këshillit të Sigurimit, me të cilën do të zyrtarizohet pavarësia e Kosovës. Pavarësia e Kosovës e ka një mbështetje të gjerë ndërkombëtare, një mbështetje të gjerë të vendeve në rajon, si zgjidhja e vetme që garanton paqe e stabilitet në rajon, për çka të gjithë jemi të interesuar”, theksoi kryeministri Çeku. Nikola Gruevski është pritur në selinë e UNMIK-ut dhe nga shefi i administratës ndërkombëtare, Joachim Ruecker. Ky i fundit tha se çështja e definimit të statusit dhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës e Maqedonisë kanë dominuar në agjendën e takimit. “Ai më ka siguruar, se mund ta konfirmonte që Shkupi e përkrah planin e Ahtisaarit dhe është në pritje të zhvillimeve, që do të ndodhin javët e ardhshme në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë Ruecker. Ndryshe, raportet ndërmjet Prishtinës e Shkupit janë cilësuar të mira këto vitet e fundit. Ndërkaq, si çështje që ka mbetur pezull, por që konsiderohet si çështje teknike, është demarkacioni i kufirit mes dy vendeve, që pasoi një marrëveshje ndërmjet autoriteteve të Shkupit dhe Beogradit, në vitin 2001, me të cilën rreth 2.500 hektarë tokë të Kosovës i patën kaluar nën administrim Maqedonisë. Kjo marrëveshje nuk njihet nga Kuvendi i Kosovës, i cili e pati shpallur atë të pavlefshme përmes një rezolute. Kështu që, të dyja palët tani deklarohen, se kjo çështje do të adresohet menjëherë pas vendimit për statusin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG