Ndërlidhjet

BASHA: PAVARËSIA E KOSOVËS - PJESË E PANDASHME E STABILITETIT RAJONAL


Rrahman Paçarizi

Shqipëria mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë për stabilitetin në rajon, ndërkohë që pjesë e pandashme e këtij stabiliteti është pikërisht pavarësia e Kosovës, tha sonte në Prishtinë, ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha. Ai i ka bërë këto komente në fillim të vizitës së tij treditëshe Kosovës, me ç’rast ka takuar shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker. Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, tha se vendi i tij është në një linjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe dinamikës së këtij procesi, në mënyrë që të sigurohet një përmbyllje pa tejzgjatje. “Qëndrimi i SHBA-ve dhe i Shqipërisë është identik sa i përket Kosovës. Ne mbështesim fuqimisht pavarësinë e Kosovës. Ne jemi shprehur disa herë që favorizojmë fuqishëm një rezolutë në Këshillin e Sigurimit, si një instrument që garanton konsensusin për pavarësimin e Kosovës. Por, asgjë nuk do të na pengojë në dinamikën tonë diplomatike, që të luajmë rolin tonë krahpërkrah SHBA-ve dhe BE-së, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe për të parë përfundimin e këtij procesi pa tejzgjatje”, tha ministri Lulzim Basha, duke shfaqur shpresën se komuniteti ndërkombëtar, me gjithë përgjegjësinë që ka, do të shërbejë për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës dhe për pavarësimin e saj përmes Këshillit të Sigurimit, duke ruajtur të gjithë përbërësit e paqes dhe stabilitetit në rajon, siç u shpreh ai. Ndërkaq, duke komentuar mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, edhe pa rezolutë të Këshillit të Sigurimit, ministri Basha tha se Shqipëria, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, është e gatshme të jetë pjesë e çdo dinamike që do të ruajë dhe forcojë stabilitetin në Ballkan. “Edhe një herë dua të them, se Shqipëria shpreson shumë dhe nuk dëshiron të paragjykojë zhvillimet që do të vijnë. Ne shpresojmë shumë që Këshilli i Sigurimit do ta miratojë rezolutën, por siç e thashë, jemi të gatshëm, që bashkë me komunitetin ndërkombëtar, të marrim të gjitha përgjegjësitë sa i përket stabilitetit të rajonit, ku pjesë e pandarë e tij është pavarësia e Kosovës”, u shpreh ministri Basha, ndërkohë që shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, e ka falënderuar atë dhe shtetin shqiptar për mbështetjen që i ka ofruar UNMIK-ut dhe vetë procesit për statusin e Kosovës. “Natyrisht, që ne diskutuam për procesin e statusit dhe unë shpreha mirënjohjen tonë për mbështetjen e Shqipërisë për UNMIK-un dhe për rolin e saj në përkrahjen dhe inkurajimin e përparimit, lidhur me procesin e statusit”, ka thënë Ruecker. Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, sot ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, ndërsa nesër do të takojë udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe anëtarët e Ekipit Negociues, ndërsa të shtunën, në përfundim të vizitës së tij të parë Kosovës në këtë cilësi, ai do të vizitojë kompleksin memorial ‘Adem Jashari’, në Prekaz të Drenicës.


XS
SM
MD
LG