Ndërlidhjet

JOHNSON:”RUSIA NUK E KA FUQINË E VETOS MBI STATUSIN, POR VETËM MBI REZOLUTËN E KS-SË”


A.Ross JOHNSON / analist në Institutin HOOVER

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Johnson, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë hartuar projekt-rezolutën për Kosovën, por miratimi i saj në Këshillin e Sigurimit duket se do të jetë një sfidë e madhe, marrë parasyshë kundërshtimin e Rusisë. Si e shihni ju zhvillimin e këtij procesi?


A.ROSS JOHNSON
Fjalët dhe veprimet e Rusisë duhet t’i vëmë në kontekst. Rusia është duke bërë përpjekje që të rikthehet në skenën ndërkombëtare dhe kjo është e kuptueshme. Ka një numër çështjes që janë kundërthënëse midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Kosova nuk është çështja më e rëndësishme në këtë kuadër, por është njëra prej tyre dhe siç e pamë është diskutuar edhe gjatë vizitës së Sekretares Rice në Moskë. Për një kohë të shkurtër, për disa javë, do të shohim se çfarë do të ndodhë në Këshillin e Sigurimit. Rusia nuk e ka fuqinë për të vënë veton mbi zgjidhjen e statusit të Kosovës. Rusia mundet, nëse vendosë ashtu, të vë veto mbi rezolutën në Këshillin e Sigurimit. Tashmë e kemi projekt-rezolutën në tavolinë, të hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, por kjo rezolutë gjithashtu mund të pësojë ndryshime si përgjigje ndaj shqetësimeve të Rusisë. Në cilindo rast, tash e kemi projekt-rezolutën dhe besoj se në një formë do të miratohet në Këshillin e Sigurimit. Dhe nëse nuk miratohet, atëherë procesi do të shkojë përpara edhe pa Këshillin e Sigurimit, edhe pse kjo nuk është një zgjidhje e preferueshme. Por, duhet të kuptojmë se statusi i paqartë i Kosovës nuk mund të vazhdojë dhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë të vendosura që ta zgjidhin këtë çështje gjatë pranverës dhe verës së këtij viti. Prandaj, nëse procesi duhet të ecë përpara pa Këshillin e Sigurimit, atëherë do të ecë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, cilët janë skenarët e mundshëm që do të pasonin, nëse Moska megjithatë vendosë të vë veto mbi rezolutën?

A.ROSS JOHNSON
Është si një “lojë shahu”, nëse do të ishte e qartë që në fillim se do të vihet vetoja mbi rezolutën, atëherë ajo do të tërhiqej nga tavolina. Të rikujtojmë se edhe Rezoluta 1244 është miratuar vetëm pas intervenimit ushtarak të NATO-s në Kosovë dhe jo më parë. Rusia deri më tash ka mbështetur deklaratat e Grupit të Kontaktit, në bazë të të cilave zgjidhja për Kosovën duhet të jetë në përputhje me vullnetin e popullit, 90 për qind e të cilit natyrisht janë shqiptarë. Unë besoj se do të ketë rezolutë të Këshillit të Sigurimit, por nëse nuk do të ketë, atëherë do të jetë vendim i shteteve individuale të merren me këtë çështje, sepse fundja Këshilli i Sigurimit nuk është institucion që mund të vendosë nëse një territory është shtet dhe aktor ndërkombëtar. Udhëheqësit shqiptarë në Kosovë kanë vepruar me mençuri sipas mendimit tim kur e kanë bërë të qartë se nuk do të veprojnë në mënyrë të njëanshme. Dhe nëse megjithatë vijmë në një situatë pa rezolutë të Këshillit të Sigurimit, atëherë mendoj se fuqitë e interesuara, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, do ta njohin Kosovën si shtet, natyrisht me mbikqyrjen që është paraparë sipas planit aktual.


RADIO EVROPA E LIRË
Pas vendimit për statusin, është thënë se një prej sfidave më të mëdha mbase do të jetë reagimi i serbëve në Kosovë dhe në Serbi. A shihni ndonjë rrezik në këtë kuptim?


A.ROSS JOHNSON
Mund të ketë ndonjë reagim dhe shpresoj se qeveria aktuale serbe do ta shmangë dhunën, duke bërë krejt çka mundet për të siguruar në mënyrë legjitime të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Sipas mendimit tim, Serbia duhet të veprojë ashtu siç ka vepruar Austria pas Luftës së Dytë Botërore, duke kërkuar mbrojtjen e të drejtave të gjermanëve në Tirolin Jugor, pasi ishte bërë e qartë se Tiroli Jugor nuk do të jetë në Austri. Kështu duhet të veprojë edhe qeveria në Serbi. Se a do të veprojë kështu, megjithatë mbetet të shihet. Kryeministri Koshtunica në adresimin e tij të parë nuk e ka zbatuar këtë qasje, duke përmendur vetëm disa, jo të gjitha, qytete të Kosovës si pjesë të Serbisë. Megjithatë, nuk besoj se do të shohim dhunë në shkallë të gjerë në Kosovë apo në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe sa keni shpresa se Kosova do të mund të funksionojë si shteti më i ri në Evropë?

A.ROSS JOHNSON
Kjo natyrisht është sfidë e vërtetë. Ekziston një fjalë e urtë: “Ke kujdes se çfarë dëshiron”. Natyrisht, aktualisht zgjidhja e vetme për situatën e krijuar në Kosovë është krijimi i shtetit të ri, i një aktori të ri ndërkombëtar. Por, pastaj do të jetë në duart e lidershipit kosovar dhe të popullatës ta bëjë këtë një rrëfim suksesi. Në këtë kuadër, ka shumë sfida, qofshin ato ekonomike, ndasitë e brendshme, rrespektimi i të drejtave të pakicave kombëtare, veçanërisht të serbëve dhe mbi të gjitha, shmangia e çdo shpërthimi të mundshëm të dhunës, që mund të jetë fatale për suksesin e këtij shteti të ri.

INTERVISTOI ARBANA VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG