Ndërlidhjet

SHQIPËRIA - DORË E DJATHTË E KOSOVËS, VLERËSOJNË LIDERËT KOSOVARË


Albana Isufi

Shteti shqiptar vazhdon të mbështesë fuqishëm pavarësinë e Kosovës, përderisa premton se do të vazhdojë të lobojë për këtë çështje edhe më tej, në qendra të rëndësishme ndërkombëtare. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, u ka thënë liderëve kosovarë, se sjelljet e klasës politike në Kosovë, si dhe të vetë qytetarëve të Kosovës, janë duke u vlerësuar lart nga partnerët ndërkombëtarë. Pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu, ministri Basha tha se qëndrimi i Shqipërisë për statusin e Kosovës mbetet i palëkundur. “Diskutuam për qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në mbështetje të plotë të pavarësisë së Kosovës, si zgjidhja e vetme që garanton paqe dhe stabilitet në rajon dhe që i hap rrugë integrimit evropian; për hapat që po hedhen për fqinjësinë e mirë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe bashkëpunimit në çdo fushë, ekonomike, politike, diplomatike etj.”, tha ministri Basha. Ai ka përgëzuar kosovarët për unitetin e treguar deri tani dhe ka kërkuar që Kosova edhe më tej të flasë me një zë të vetëm. Presidenti Fatmir Sejdiu ka falënderuar Shqipërinë, si dhe diplomacinë e saj për angazhimin në çështjen e Kosovës. “Për ne është shumë me rëndësi, që ky bashkëpunim, kaq i thellë, do të vazhdojë natyrshëm, sepse nuk mund të ketë barriera mes nesh. Dhe, do të ecim në rrugën e mirë të qasjes sonë për integrimet euroatlantike. Shqipëria ka bërë veprime të jashtëzakonshme. E këto do të jenë për ne një model i rëndësishëm, që edhe ne të shpejtojmë hapin tonë dhe do të ecim bashkë”, ka thënë presidenti Sejdiu. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të Shqipërisë dhe Kosovës edhe pas zgjidhjes së statusit. “Biseduam më shumë për periudhën pas statusit. Neve na nevojitet një bashkëpunim shumë i ngushtë. Duhet të vazhdojë apo të intensifikohet bashkëpunimi dhe mbështetja e Shqipërisë, ndihma e Shqipërisë në ndërtimin e kapaciteteve tona, sidomos atyre diplomatike”, ka thënë Çeku. Kryetari i Kuvendit, Kolë Berisha, ka falënderuar Shqipërinë për rolin që pati në konferencën e vendeve islamike, ku 57 vende, përmes një rezolute të hartuar nga Shqipëria, i thanë ‘po’ pavarësisë së Kosovës. “Shqipëria është një dorë e djathtë, është një avokat i Kosovës. Jam i bindur se pjesa më e madhe e takimeve, që i kanë me të jashtmit, i kushtohet Kosovës. Mora premtimet e tyre se do të vazhdojnë me këtë tempo, që do të na ndihmojnë”, tha Berisha. Ministri i jashtëm i Shqipërisë, gjatë takimit me liderin opozitar, Hashim Thaçi, ka përgëzuar opozitën për rolin, siç e quajti, konstruktiv, që ka luajtur në procesin e përcaktimit të statusit final. Ndërkaq, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shfaqur shpresën se ky proces do të zgjidhet shpejt. “Unë besoj, se së shpejti, ne do të jemi së bashku në ceremonitë festive për Kosovën e pavarur dhe është mjaft shpresëdhënës dhe për t’u përshëndetur qëndrimi unik i Shqipërisë për statusin politik të Kosovës, që është një qëndrim në përputhshmëri të plotë me qëndrimin e Washingtonit dhe Brukselit, apo komunitetit ndërkombëtar”, u shpreh Thaçi. Lideri tjetër opozitar, Veton Surroi, ka thënë se fitorja më e madhe e diplomacisë shqiptare për çështjen e Kosovës u tregua në konferencën e Islamabadit. “Fitoren e parë, të madhe, diplomatike, të një veprimi të përbashkët, të heshtur, jo shumë të zhurmshëm, e kemi pasur në Islamabad. Ka qenë mu fitorja e Shqipërisë, e bashkëpunimit që kemi pasur dhe e bashkëpunimit që ka pasur Shqipëria me shtetet tjera, në mënyrë që të bindet një bllok shumë i fuqishëm i vendeve brenda OKB-së, që të përkrahë planin e Ahtisaarit dhe projektin për pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Surroi. Shefi i diplomacisë shqiptare, edhe në takimet tjera me përfaqësues të partive më të vogla politike, ka thënë se statusi i Kosovës duhet të përfundojë sa më shpejt dhe pa tejzgjatje. Ai ka theksuar nevojën e ruajtjes së integritetit të pakos së Ahtisaarit. Lulzim Basha vizitën e tij treditëshe Kosovës e përfundon nesër, me vizitën në kompleksin memorial ‘Adem Jashari’, në Prekaz.
XS
SM
MD
LG