Ndërlidhjet

SOHLSTROM:“ZGJIDHJA E STATUSIT TË KOSOVËS PËRMES REZOLUTËS SË KS-SË NUK KA ALTERNATIVË”


Tornbjorn SOHLSTROM, i dërguari i BE-së në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sohlstrom, keni thënë më herët, se zgjidhja e statusit të Kosovës përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit, të bazuar në planin e Ahtisaarit, nuk ka alternativë. Duke marrë parasysh kundërshtimet e Rusisë për këtë plan, a besoni edhe më tej se kjo është e mundur?

TORNBJORN SOHLSTROM
Absolutisht. Ne po punojmë shumë ngushtë me Rusinë, me SHBA-të dhe me anëtarët e Këshillit të Sigurimit, për të gjetur zgjidhjen. Procesi është duke ecur përpara. Ka bisedime intensive në nivelin e lartë. E patëm samitin Rusi-BE, dhe bisedimet për tekstin do të fillojnë në New York. Unë jam ende optimist, se do të gjendet zgjidhja, e cila do të përmbushë synimet tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Në çfarë faze është përpilimi i tekstit të rezolutës?

TORNBJORN SOHLSTROM
Diskutimet do të marrin kohë dhe vendet anëtare do të shikojnë; do ta dimë përmbajtjen e saktë të rezolutës, atëherë kur të miratohet. Dhe para kësaj, nuk mendoj se duhet spekuluar për elementet etj. Por, për ne është e rëndësishme, që të kemi një rezolutë, e cila do të lejojë Kosovën të ecë përpara dhe të fillojë implementimi i pakos së Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Rezoluta e re pritet ta zëvendësojë të vjetrën, 1244-shin. Megjithatë, Kosova, edhe pas kësaj, do të monitorohet nga një prani ndërkombëtare. Duke marrë parasysh fuqinë, që do ta ketë përfaqësuesi ndërkombëtar, ku qëndron dallimi me UNMIK-un?

TORNBJORN SOHLSTROM
Është një dallim shumë i madh. Unë jam munduar që ta shpjegoj këtë, duke bërë një krahasim me një ekip futbolli. Nëse Kosova është një ekip futbolli, e bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht UNMIK-u, ishte pronar i këtij ekipi, prania e ardhshme ndërkombëtare do t’i ngjasojë më shumë një trajneri. UNMIK-u qeveriste Kosovën, UNMIK-u ishte përgjegjës për gjithçka dhe mund të bënte gjithçka në Kosovë. UNMIK-u ishte një zgjidhje e përkohshme. Ajo, çka shohim ne tani, është një prani ndërkombëtare, e cila nuk do të jetë më përgjegjëse për qeverisjen në Kosovë. Pasardhësit e UNMIK-ut do të jenë Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Është një dallim shumë i madh. Mendoj se shumë njerëz nuk e kuptojnë implikimin e këtij dallimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekziston një agjendë, e cila duhet përmbushur nga institucionet e Kosovës në periudhën e tranzicionit. Cilat do të jenë sfidat?

TORNBJORN SOHLSTROM
Sfida kryesore është se kjo agjendë është masive. Do të jetë shumë më komplekse dhe do të kërkojë nga institucionet e Kosovës të bëjnë shumë më shumë, se ç’kanë bërë ndonjëherë. Brenda 120 ditësh, Kuvendi do të ketë obligim që të miratojë Kushtetutën, do të ketë nevojë për miratimin e dhjetëra ligjeve që lidhen me tranzicionin dhe implementimin e marrëveshjes së statusit, dhe do të duhen qindra-mijëra urdhëresa administrative, për ta përgatitur Kosovën për përgjegjësi të reja dhe për të përgatitur bazën për implementimin e marrëveshjes së statusit. Në thelb, janë dy sfida. Në njërën anë, të merren përgjegjësitë dhe funksionet nga UNMIK-u dhe, në anën tjetër, të ndërmerren hapat e nevojshëm për dispozitat specifike të dokumentit të Ahtisaarit. Dhe, mendoj se kjo nënkupton, se jo vetëm që duhet përdorur në mënyrë të duhur koha për t’u përgatitur nga ana jonë dhe ajo e institucioneve kosovare, por po ashtu, nënkupton se muajt e parë pas rezolutës së Këshillit të Sigurimit, të bazuar në planin e Ahtisaarit, do të jenë thelbësorë për të ardhmen dhe reputacionin e Kosovës dhe do të jenë muajt më të vështirë për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët Kushtetutën. Ju jeni bashkëkryesues i Grupit Kushtetues të Tranzicionit. Deri ku kanë shkuar përgatitjet e tekstit të Kushtetutës?

TORNBJORN SOHLSTROM
Përgatitjet kanë përparuar, por vendimet nuk mund të merren tash, pikësëpari, pasi duhet rezoluta e Këshillit të Sigurimit, për të formuar komisionin kushtetues. Së dyti, do t’u kërkohet liderëve të Kosovës që të japin udhëzimet mbi rregullat që i duan për Kosovën, si do të bëhet ndarja e pushteteve mes institucioneve të ndryshme. Mendoj se ideja është që të fillojmë t’i adresojmë disa nga këto gjëra. Ideja është që të zgjedhim njerëz për këtë grup punues, për Kushtetutën, në mënyrë që të reflektojë më shumë në komisionin e ardhshëm kushtetues.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të jetë e mjaftueshme periudha 120 ditëshe për të përmbushur këtë agjendë?

TORNBJORN SOHLSTROM
Mendoj se është e mundshme, nëse ka përkushtim të nivelit të lartë politik dhe nëse punohet shumë, si në nivelin e lartë, ashtu edhe në atë lokal. Do të jetë vështirë, pasi që afatet janë mjaft kërkuese. Por, mendoj se zoti Ahtisaari nuk do t’i vendoste këto afate, po të mos mendonte se janë të domosdoshme dhe të mundshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sohlstrom, një nga sfidat tjera është pjesa veriore e Kosovës, ku UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës kanë pasur qasje të kufizuar. A ka Zyra Civile Ndërkombëtare ndonjë strategji, se si të merret me këtë çështje?

TORNBJORN SOHLSTROM
Strategjia shtrihet në pakon e Ahtisaarit dhe ky është propozimi, për të cilin besojmë se do të jetë bazë për rezolutën e Këshillit të Sigurimit, e cila rezolutë do të jetë shumë e qartë. Propozimi duhet të zbatohet gjithkund, në jug, në veri, në lindje e në perëndim. Por, ne nuk jemi naivë dhe të mos kuptojmë, se do të kemi sfida të natyrave të ndryshme në veri. Ne do të merremi me to, sipas mënyrës sonë. Por, në fund të ditës do të jetë obligim për të gjithë, për Kosovën, për Beogradin, për njerëzit në veri, që të implementojnë provizionet. Dhe, implementimi i këtyre dispozitave është në interes të njerëzve në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
A janë të gatshme Zyra Ndërkombëtare Civile dhe misioni i BE-së, që të fillojnë punën menjëherë pas rezolutës së re të Këshillit të Sigurimit?

TORNBJORN SOHLSTROM
Nëse pakoja e Ahtisaarit bëhet bazë për rezolutën e re të Këshillit të Sigurimit, kjo nënkupton se Zyra Civile Ndërkombëtare do të themelohet në ditën e parë pas kësaj rezolute. Ne jemi të gatshëm për këtë. Do të jenë disa përgjegjësi gjatë periudhës së tranzicionit, për të udhëzuar dhe mbikëqyrur përgatitjet për implementimin e marrëveshjes nga ana e institucioneve të Kosovës. Dhe më pas, kjo zyrë do të përfundojë marrjen e përgjegjësive. Ndërsa, misioni i BE-së do të marrë përgjegjësinë në fushën e sundimit të ligjit në ditën e 121-të. Jemi të gatshëm për të dyja përgjegjësitë, për ditën e parë dhe atë të 121-të.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG