Ndërlidhjet

logo-print

DUKAGJIN GORANI: STATUSI I KOSOVËS ËSHTË ÇËSHTJE EKSKLUZIVISHT NDËRKOMBËTARE


Intervistë me analistin nga Prishtina, Dukagjin Gorani

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gorani, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, si e vlerësoni ju dinamikën e procesit për përcaktimin e statusit të Kosovës?

DUKAGJIN GORANI
Po mendoj se aktualisht e gjitha është në duart e bashkësisë ndërkombëtare, e cila është në këtë rast e prirë nga Uashingtoni (Shtetet e Bashkuara të Amerikës), kështu që llogaritet që deri kah fundi i këtij muaji të ketë një vendim që duhet të sillet nga Këshilli i Sigurimit. A do të jetë fundi i këtij muaji, kur SHBA-të e përfundojnë kryesimin e Këshillit të Sigurimit, apo do të jetë mesi apo fundi i muajit të ardhshëm, në parim do të jetë ky fillim i verës. Sa për dinamikën që zhvillohet, ato janë çështje të diplomacisë ndërkombëtare, ku pala shqiptare ka fare pak, e ndoshta kurrfarë roli. Unë i takoj grupit të atyre që mendojnë se pala kosovare nuk ka pasur kurrfarë roli që prej fillimit dhe se negociatat, në fakt kanë, qenë një formalitet që është dashur të zhvillohen dhe është përfunduar ashtu siç është përfunduar, pa ndonjë ecje ndërkombëtare. Mirëpo, në parim, dinamika do të zhvillohet asisoj çfarë janë edhe konstelacionet e forcave në bashkësinë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Pikërisht kur jemi te raportet ndërkombëtare, te konstelacioni ndërkombëtar, çfarë janë gjasat për të pasur një rezolutë mbi bazën e projektrezolutës së propozuar nga SHBA dhe BE?

DUKAGJIN GORANI
Unë mendoj që ajo rezolutë do të jetë pikërisht përmbajtja që do të aprovohet, Natyrisht ka të ngjarë të ketë disa detaje të cilat do të korrigjohen në favor të pakicave, e veçanërisht në favor të pakicës serbe. Pra, ka të ngjarë të rishqyrtohet një pjesë e vogël e detajuar e marrëveshjes për decentralizim dhe kjo do të jetë edhe një kompromis i vogël, të cilin me gjasë, bashkësia ndërkombëtare nuk do të ketë mundësi pa e bërë, kundruall refuzimeve të mëdha nga ana e Moskës dhe ka të ngjarë edhe disa frenimeve të caktuara që mund të ndodhin në KS, mirëpo përmbajtja 95 për qind, mendja ma merr, e pakos së Ahtisaarit, për të cilën aktualisht flitet, do të jetë e pranuar nga KS. Mirëpo, desha të kthehem përsëri aty, pavarësisht se në çfarë forme do të aprovohet marrëveshja, pala shqiptare nuk do të ketë kurrfarë qasjeje, domethënë se tash e tutje asgjë nuk ndodhet në duart tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësisht faktit që thoni se pala kosovare nuk ka pasur shumë ose nuk ka pasur asgjë në dorë, duke pasur parasysh faktin tjetër që ka pasur disa kompromise, të paktën siç pretendon pala shqiptare dhe ka pasur disa shtyrje, si do të reflektohet dhe si do të pritet në Kosovë "një kompromis i vogël", siç thatë?

DUKAGJIN GORANI
Kosovarët, edhe pse nuk duan ta pranojnë, janë të vetëdijshëm se statusi i Kosovës do të formësohet sipas dëshirës dhe sipas mundësive të cilat i ofrohen bashkësisë ndërkombëtare. Kosovarët janë të vetëdijshëm që nuk mund ta ndryshojnë as dinamikën dhe as përmbajtjen e statusit të tyre. Diçka tjetër është udhëheqja e tyre politike, se sa ajo do të jetë në gjendje që para popullatës së vet ta mirëmbajë autoritetin, duke marrë parasysh që udhëheqja politike deri tash ka pohuar që ardhja deri në këtë pikë statusore ka qenë meritë e saj. Kosovarët këtë në parim, aq sa unë e njoh opinionin publik në Kosovë, nuk e besojnë, edhe pse pjesërisht, kohë pas kohe, vazhdojnë ta ruajnë një besim në Grupin e unitetit. Mirëpo, është e vërtetë se nëse pakoja e Ahtisaarit do të aprovohet me ndryshime të vogla në aspektin e decentralizimit, atëherë kosovarëve do t’u mbetet që për këtë ta qortojnë Ekipin e unitetit dhe udhëheqjen e vet. Kjo do të jetë një situatë ironike për faktin se kosovarët do ta shprehin pakënaqësinë e tyre në një adresë e cila realisht nuk ka mundur të ndikojë, por që e ka marrë përgjegjësinë që kinse kjo pikë e marrëveshjes dhe përgjithësisht ky stad në të cilin ndodhemi ka qenë meritë e saj. Pra, gabimi i madh që ka bërë udhëheqja kosovare është se për çdo fazë të statusit gjithnjë e ka marrë përgjegjësinë për situatën e zhvilluar, pra për rezultatet e arritura. Pakoja e Ahtisaarit është kompromis ndërkombëtar, por në kontekstin kosovar ajo është shpjeguar kinse është meritë e procesit negociator dhe ekskluzivisht meritë e Ekipit negociator. Tash, nëse del se pakoja e Ahtisaarit është e pamjaftueshme për realizimin e një pavarësia çfarë kosovarët e presin, atëherë pakënaqësinë e kosovarëve duhet ta marrin përsipër institucioni i cili e ka marrë përsipër meritën, pra përsëri Ekipi negociator. Se si do të dilet nga kjo situatë ironike, unë nuk e kam ndonjë ide, por e di se Ekipi i unitetit aktualisht ndodhet në një situatë nervoze të theksuar dhe kjo u vërejt edhe me pamundësinë e gjetjes së çfarëdo kompromisi për arritjen e një vendimi për simbolet e reja të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gorani, ju vazhdimisht përmendni pafuqinë e udhëheqjes kosovare dhe të ekipit negociues të Kosovës. Cila është arsyeja për këtë pafuqi – vetë ata apo konstelacioni ndërkombëtar?

DUKAGJIN GORANI
Mua më duhet të përtëritem këtu, pasi disa herë kam thënë se Kosova është çliruar nga bashkësia ndërkombëtare, pra paqja në Kosovë është arritur përmes intervenimit ndërkombëtar. Me këtë, Kosova është shndërruar në një projekt humanitar ndërkombëtar. Statusi i Kosovës është çështje e kompromiseve të vazhdueshme që bashkësia ndërkombëtare i bën mes vete. Diçka tjetër është internalizimi i kësaj dinamike, do të thotë përfaqësimi i kësaj dinamike brenda Kosovës, kinse kjo është një çështje në të cilën shqiptarët e Kosovës edhe udhëheqja kosovare ka merita ose është e angazhuar. Ajo është diçka tjetër- pra është internalizimi i një problemi që ekskluzivisht është problem ndërkombëtar. Nuk mendoj se pala kosovare ka qenë në gjendje të ndikojë në status, që prej qershorit 1999, mirëpo tjetër është mënyra se si prezantohet politikisht një çështje e tillë. Brenda Kosovës raportet e pushtetit janë krijuar ose janë rrënuar, duke pasur parasysh meritat për status, meritat për liri e të tjera. E vërteta gradualisht po del në shesh, që statusi i Kosovës është çështje ekskluzivisht ndërkombëtare.
Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG