Ndërlidhjet

EKSPERTËT THONË SE DRAFT REZOLUTA PËR KOSOVËN ËSHTË AMBIVALENTE


BRANKA TRIVIÇ

Në draft rezolutën për statusin final të Kosovës, e cila tashmë u është shpërndarë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe që pritet të votohet deri në fund të këtij muaji, nuk përmendet fjala 'pavarësi e Kosovës', por as edhe 'sovraniteti i Serbisë'.
Lidhur me këtë, kemi biseduar me dy ekspertë për Ballkanin Perëndimor, Daniel Server, drejtor i Institutit për Paqe në Uashington dhe ekspertin rus për Evropën Juglindore, Andrej Pjontkovski.
"I kam parë të ashtuquajturat 13 pika të draftit, dhe aty nuk ka fjalë si 'sovraniteti i Serbisë' dhe 'pavarësia e Kosovës', thotë Server, për të shtuar se fjalori i projekt rezolutës mbi statusin e Kosovës është shumë ambivalent.
"Ideja, ideja themelore e draftit është që t'i vihet fund rezolutës 1244, të krijohet baza për një prani të re ndërkombëtare në Kosovë dhe të konfirmohet plani i Ahtisaarit, thotë Server.
Në pyetjen nëse rezoluta e re do të duket si plani i Ahtisaarit, në të cilin nuk përmendet fjala pavarësi, Server thotë:
"Po, mendoj se ashtu është. Për këtë arsye mua nuk më pëlqen shumë. Mendoj se do të ishte më mirë që statusi i ardhshëm të cilësohet qartë, por mendoj se shumë më parë është vendosur që rezoluta të jetë e këtillë, të mos përmendë sovranitetin e as pavarësinë. Sigurisht, një nga arsyet që teksti është i papërcaktuar është që të kënaqej kërkesa e Rusisë, por me sa po shohim, kjo nuk ka patur sukses", pohon eksperti amerikan Server.
Edhe analisti rus Pjontkovski vlerëson se ambivalenca e rezolutës së ardhshme për statusin e Kosovës, ku nuk përmenden 'pavarësia e Kosovës' dhe 'sovraniteti i Serbisë', paraqet përpjekje për të zbutur qëndrimet e palëve, të cilat kundërshtojnë rezolutën.
"Me siguri, në këtë mënyrë hartuesit e draft rezolutës janë përpjekur të pacifikojnë Rusinë dhe Serbinë, dhe t'i bindin që ta mbështesin rezolutën. Por Rusia shumë qartë e ka bërë me dije se qëndrimi i saj është krejtësisht i kundërt. Qëndrimi i Rusisë nuk mund të shpjegohet me simpatinë e madhe për argumentet e Serbisë, por me vendosmërinë e Moskës që të konfrontohet me Amerikën në të gjitha frontet e mundshme", thotë Pjontkovski.
Sipas analistit rus, e gjithë kjo bëhet për përfitime të brendshme politike në Rusi.
Ndërkohë, duke komentuar paralajmërimin e ambasadorit rus në Kombet e Bashkuara se Rusia mund të vërë veto në projekt rezolutën për Kosovën, Daniel Server thekson.
"Fjala MUND është ndoshta më e rëndësishme se fjala veto. Gjithmonë ka qenë e qartë se rusët mund të përdorin veton, por edhe Amerika ka porositur qartë se nëse nuk arrihet në Këshillin e Sigurimit, atëherë zgjidhja do të kërkohet jashtë Këshillit të Sigurimit", thotë Server, duke shtuar se gjasat për këtë janë 50-50.
Ndërkaq, i pyetur se çfarë do të ishte reagimi i Moskës nëse ngjarjet marrin kahje tjetër, pra në rast të njohjes së njëanshme të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera, analisti rus Pjontkovski pohon:
"Do të ketë vetëm shumë llafe, dhe e gjitha do të paraqitet si një shembull i ri i unilateralizmit politik amerikan. Por që në fund, shumë bukur do të inkuadrohet në fushatën e brendshme të Rusisë, konkludon analisti rus Pjontkovski.
XS
SM
MD
LG