Ndërlidhjet

EYAL: RUSIA NUK DO PËRPLASET ME SHBA NË KS PËR KOSOVËN


BRANKA TRIVIÇ

Jonathan Eyal, ekspert nga Instituti Mbretëror për Studime të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Londër, thotë se qëndrimi i Moskës, me gjasë nuk do të manifestohet me përplasje midis SHBA dhe Rusisë në Këshillin e Sigurimit, kur nga fundi i Majit do të vihet në votim rezoluta për statusin e Kosovës.
Jonathan Eyal thotë se nëse nuk do të ketë rezolutë, dhe Shtetet e Bashkuara njëanshëm do ta njohin pavarësinë e Kosovës, atëherë Bashkimi Evropian do ta ketë vështirë të ndjekë shembullin e partnerit të vet veriatlantik.
Me gjithë përkrahjen që i ka shprehur Beogradit lidhur me statusin e Kosovës, deri vonë Rusia është shmangur të përdorë fjalën veto, por së fundi e ka përmendur. A thua Moska vërtetë e mendon atë që ka thënë. Eksperti Ajll pohon:
"Pozicioni rus, ajo që z. Churkin e paralajmëroi si mundësi të vetos duhet parë kështu: asgjë nuk do të arrihet me sforcimin e votimit pa vazhdim të bisedimeve. Nëse votimi sforcohet, atëherë përgjigja e Moskës do të jetë një JO e fortë, respektivisht veto. Pra, jemi dëshmitarë se Moska nuk është e gatshme të pranojë ultimatum në Këshillin e Sigurimit. Deri tash në Amerikë ekzistonte ndjenja se rusët nuk do të rrezikojnë konfrontim me perëndimin për shkak të Kosovës. Por, kjo jo vetëm që nuk ndodhi. Madje ndasitë janë thelluar, sepse amerikanët treguan vendosmëri që rezoluta të votohet këtë muaj, dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë njëanshëm të njohin Kosovën. Mendoj se kjo do të zgjidhet në mënyrë që të mos vijë te një konfrontim i hapur midis Moskës dhe Uashingtonit në Këshillin e Sigurimit. Pres që vendet evropiane në Grupin e Kontaktit të shohin nëse qeveria e re në Beograd do të shfaqë gatishmëri për disa zgjidhje kompromisi, përpara se rezoluta të vihet në votim", thotë eksperti britanik.
Por a thua ka vend për kompriomise shtesë? Jonathan Eyal thotë se në pjesën statutore të planit 'Ahtisaari', ku insistohet për sovranitetin, vështirë që mund të priten lëshime.
"Mund të ketë hapësirë për kompromis sa i përket statusit autonom për bashkësinë serbe në veri të Kosovës, qasjen e serbëve në manastiret e tyre, kompensim financiar për serbët e zhvendosur që do të vendosnin të mos kthehen. Gjithashtu mund të ketë ndonjë zgjidhje kushtetuese në favor të pakicës serbe dhe pakicave tjera. Pra, ka mundësi për kompromis, por vetëm nëse Beogradi është i gatshëm të bisedojë", pohon Eyal.
Mundësinë e njohjes së njëanshme të Kosovës nga disa shtete, nëse në Këshillin e Sigurimit nuk do të ketë rezolutë për statusin, Jonathan Eyal e sheh si opcion më të keq.
"Po, kjo është një zgjidhje të cilën disa diplomatë dhe politikanë amerikanë e kanë përmendur. Ky do të ishte makthi më i keq sepse do t'i inkurajonte shqiptarët e Kosovës që të mos e përfillin planin e Ahtisaarit, sepse nuk do të ishin të obliguar. Gjithashtu, nuk do të kishim status të pranuar të forcave ndërkombëtare, të cilat do të mbeteshin në Kosovë për të ruajtur paqen. Pra, Rusia mund ta shfrytëzojë këtë që njëanshëm të njohë pavarësinë e disa territoreve në Moldavi dhe Gjeorgji.
E dyta, një vendim të tillë nuk do të mbështesnin disa anëtare të BE-së, si Rumania, Bullgaria, Sllovakia dhe Spanja. Nuk besoj se Bashkimi Evropian menjëherë do të ndiqte hapin e Shteteve të Bashkuara nëse ato vendosin njëanshëm të njohin pavarësinë e Kosovës", thotë Eyal.
Në pyetjen nëse Kosova mund të jetë si kusht për integrimin e Serbisë në strukturat evro-atlantike, Jonathan Eyal thotë:
"Nuk do të thoja se Kosova do t'i vihet Serbisë si një kusht zyrtar në rrugën drejt integrimeve evropiane. Megjithate, kjo çështje do të jetë pengesë në bisedimet e Beogradit me Brukselin. Nuk duhet harruar se një nga kushtet për vendet kandidate është që të kenë kufij të përcaktuar qartë, gjë që nuk është rasti me Serbinë deri sa të zgjidhet çështja e Kosovës. Por edhe në BE ka mendime të ndara për këtë. Diplomatët në Londër, Berlin dhe Paris konsiderojnë se qeveria serbe asnjëherë formalisht nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por me kalimin e kohës, atë de fakto do ta pranojë", përfundon eksperti britanik Jonathan Eyal.
XS
SM
MD
LG