Ndërlidhjet

logo-print

KRASNIQI:”NUK DUHET NDËRMARRË HAPA TË NJËANSHËM”


Jakup KRASNIQI, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, rezultati i bisedimeve ndërmjet Washingtonit, Moskës dhe BE-së, është duke përcaktuar nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën. Andaj, si i shihni, në përgjithësi, këto zhvillime dhe a prisni që kjo rezolutë të nxirret në një afat më të shpejtë?

JAKUP KRASNIQI
Në fakt, ne jemi duke pritur përmbylljen e procesit politik. Mendoj që Prishtina, apo më mirë të them delegacioni kosovar, ka kryer gjithë punën e tij, ka bërë një ofertë serioze për të ardhmen e Kosovës, ofertë që është mbështetur nga bota perëndimore, nga SHBA-të dhe Brukseli. Ky është një fat i madh. Pengesë kryesore, tani mund të themi, është Rusia, e cila këtu ka për qëllim të arrijë dy synime; një, dëshiron të nxjerrë përfitime të veta, sigurisht të natyrave politike, dhe dy, ata janë duke ndjekur ose duke ndihmuar politikën e Beogradit, e cila nuk është e interesuar për ta zgjidhur problemin dhe për t’iu rrekur problemeve të brendshme që ka, por dëshiron ta zhagisë sa më shumë çështjen e Kosovës. Ne, megjithatë, presim që diplomacia ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë SHBA-të dhe BE-ja, që janë në unison sa i përket zgjidhjes së këtij problemi, të gjejnë zgjidhje. Pra, mendoj se problemi është deleguar nga Kosova dhe tani është në mekanizma ndërkombëtarë. Presim, që mekanizmat ndërkombëtarë ta zgjidhin vërtet mirë këtë problem.

RADIO EVROPA E LIRË
A prisni ju kompromise të reja, që do të mund të ndikonin edhe në proceset në Kosovë, deri në nxjerrjen e rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit?

JAKUP KRASNIQI
E vërteta është që pala kosovare, në këto bisedime, ka ofruar një kompromis mjaft të dhimbshëm. Këtë nuk e ka bërë për shkak të së kaluarës, por e ka bërë për shkak të së ardhmes së Kosovës dhe rajonit. Ky kompromis, që e ka bërë delegacioni i Kosovës, në fakt edhe Kosova, është mirëkuptuar nga komuniteti ndërkombëtar. Dhe, presim që kjo çështje të definohet. Mendoj, që praktika e deritashme ka treguar se pala e Beogradit nuk është e gatshme pa e imponuar vendimin në favor të paqes, sigurisë dhe të zhvillimit në rajon, të pranojë çfarëdo zgjidhjeje.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, cilat mund të jenë pasojat e zvarritjes së nxjerrjes së kësaj rezolute dhe të vetë definimit të statusit të Kosovës, sa i përket vetë zhvillimeve në Kosovë?

JAKUP KRASNIQI
Mendoj që janë dy pasoja të mëdha. Një, është mosdefinimi i statusit politik të Kosovës, që pengon zhvillimin ekonomik dhe pengon favoret që Kosova, si vend i pavarur, do t’i merrte nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë. Dhe e dyta, mendoj se dëm pëson edhe vetë komuniteti ndërkombëtar, politika e komunitetit ndërkombëtar dhe vendosja ose gatishmëria për të marrë vendime nga ky komunitet. Dhe natyrisht, dëmtohet politika e komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh edhe këtë që tash e thatë, se mund të sjellë pasoja të dëmshme për Kosovën, cilët mund të jenë hapat që Prishtina mund t’i ndërmarrë ndërkohë, deri në nxjerrjen e kësaj rezolute apo edhe pas saj?

JAKUP KRASNIQI
Institucionet e Kosovës dhe politika në Kosovë duhet ta ruajnë koperativitetin që kanë pasur me komunitetin ndërkombëtar. Kjo ka qenë e rëndësishme dhe vazhdon të jetë e rëndësishme. Tani, komuniteti ndërkombëtar thuajse e ka marrë përgjegjësinë e vet për ta përshpejtuar këtë çështje. Qytetarët e Kosovës vërtet duhet të presin edhe pak kohë, por edhe institucionet e Kosovës duhet të presin edhe një kohë deri sa të definohet. Ne jemi të bindur, se ky definim do të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet t’i kryejnë punët tjera të përditshme që i kanë, që vërtet të angazhohen në të gjitha drejtimet, për të ndryshuar kualitetin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Është përmendur disa herë si një opsion rezervë, si një ‘plan B’, vendimi në Kuvendin e Kosovës, në rastin e zvarritjes pakufi në Këshillin e Sigurimit të nxjerrjes së rezolutës së re. Sa është reale të pritet, që Prishtina mund të marrë hapa të njëanshëm, lidhur me përcaktimin e statusit të Kosovës?

JAKUP KRASNIQI
Unë mendoj, që Prishtina dhe politika kosovare derisa ka mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së, përveç Rusisë dhe Serbisë, nuk duhet të marrë hapa të njëanshëm. Por, edhe këtë hap, variantin B, nëse duhet ta bëjë Prishtina, duhet ta bëjë në bashkëpunim të plotë me SHBA-të dhe BE-në.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, ndoshta mund të duket paksa hipotetike, por deri kur pritet që kjo rezolutë të nxirret, sipas bindjeve të politikës në Prishtinë?

JAKUP KRASNIQI
Politika në Prishtinë shpeshherë ka dhënë afate dhe mendoj se ky është një gabim i madh. Politika në Prishtinë është dashur të marrë përgjegjësitë për ndërtimin e shoqërisë së re demokratike në Kosovë pas statusit; mendoj që ky ka qenë obligimi i saj. Kurse, çështja tjetër, se kur do të ndodhë njohja ndërkombëtare, nuk varet nga Prishtina, por varet nga Washingtoni, nga New York-u dhe nga Brukseli.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG