Ndërlidhjet

logo-print

LIDERËT KOSOVARË THONË SE NUK DO TA SHPALLIN PAVARËSINË PA PËLQIMIN NDËRKOMBËTAR


Albana Isufi

Pavarësisht mundësisë së përdorimit të vetos ruse ndaj rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, përfaqësuesit kosovarë nuk parapëlqejnë, që të bëjnë asnjë hap për të shpallë pavarësinë njëanshëm, nëse për këtë nuk ka pëlqim ndërkombëtar. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, në adresimin e tij të përjavshëm në radio, ka shfaqur shpresën, se zgjidhja për Kosovën do të gjendet brenda Këshillit të Sigurimit, edhe pse dallimet për Kosovën mes fuqive perëndimore dhe Rusisë nuk janë zbutur ende. “Jemi shumë pranë finalizimit të statusit tonë, por nuk dëshiroj që pritja të shndërrohet në një garë bastesh, rreth ditës kur do të miratohet rezoluta e re. Është e vërtetë, që çështja është në Kombet e Bashkuara. Ne kemi ndikim shumë të kufizuar atje, por miqtë tanë janë aktivë. Ne kemi besim te miqtë tanë, kemi sprovuar miqësinë e tyre, pasi që na janë gjendur pranë në kohë të vështira dhe në momente kritike”, ka thënë kryeministri Çeku. Shefi i Kabinetit të Qeverisjes së Mirë, Hajredin Kuçi, tha se kosovarët duhet ta respektojnë dinamikën që është duke u zbatuar nga fuqitë e mëdha në Këshillin e Sigurimit. “Është vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe i politikës kosovare, që të respektohet dinamika e vendimmarrjes dhe njëkohësisht, përmbajtja e rezolutës së re të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Natyrisht, që dinamika momentale është në duar të Këshillit të Sigurimit, por ne duam të besojmë se kjo dinamikë do të respektohet. Dhe njëkohësisht, përmbajtja nuk do të jetë e tillë që do të kundërshtohet apo të jetë e papajtueshme për ne“, është shprehur Kuçi. Përfaqësuesit kosovarë kanë thënë disa herë, se zgjidhja e statusit do të bëhet në fund të muajit maj. Megjithatë, në një intervistë për një gazetë franceze, kryeministri Çeku ka përmendur qershorin, si muaj kur do të dëshironte ta shihte shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, në adresimin e tij të përjavshëm, kryeministri Çeku kërkoi sot nga qytetarët, që të mos shqetësohen se kur do të zgjidhet statusi. “A do të jetë nesër, apo në fund të majit, apo në fillim të qershorit, festa e pavarësisë së Kosovës, kjo nuk duhet të na shqetësojë. Kemi të gjitha arsyet që të besojmë në një zgjidhje të shpejtë, por nuk duhet të lejojmë që jeta të shndërrohet në metaforë të pritjes”, ka theksuar Çeku. Analisti kosovar, Shkëlzen Maliqi, tha se liderët e Kosovës e kanë hutuar opinionin kosovar, duke dhënë premtime rreth zgjidhjes së shpejtë të statusit të Kosovës, premtime këto që në fund, sipas Maliqit, nuk janë realizuar. Ai thotë, se meqë zgjidhja e statusit më nuk gjendet në duar të kosovarëve, u mbetet liderëve që t’ua sqarojnë opinionit zhvillimet aktuale për këtë kohë dhe ato që priten pas statusit. “Detyra e tyre është që të punojnë më shumë me opinionin tonë, ose ta qetësojnë, ose të jenë më transparentë, t’i sqarojnë rrethanat, ose ndonjëherë të mos krijojnë huti me premtime të kota. Kohëve të fundit, po shohim një lloj gare mes tyre, se kush ka kontribuar më shumë, që ndonjëherë është kundërproduktive. Ata, deri tash, kanë qenë unikë, por jo pse e bëjnë këtë me shumë bindje, por se procesin e kanë kontrolluar faktorët e huaj”, tha Maliqi. Në anën tjetër, si pozita, ashtu edhe opozita, thonë se nuk do të veprojnë njëanshëm, në rast se fuqitë perëndimore dhe Rusia nuk arrijnë marrëveshje për rezolutën e re për Kosovën. “Këto janë veprime që duhet t’i mendojë mirë politika e Kosovës dhe duhet të jenë në koordinim permanent me politikën ndërkombëtare, që është identifikuar me liberal-demokracinë, respektivisht me mbështetjen e deritanishme, që nënkupton me SHBA-të dhe BE-në. Për Kosovën dhe të ardhmen e saj është shumë më mirë, që të miratohet rezoluta në Këshillin e Sigurimit, dhe ajo të jetë e pranuar nga të gjithë”, ka thënë Kuçi. Analisti Shkëlzen Maliqi është optimist, se një zgjidhje kompromisi do të arrihet mes vendeve perëndimore dhe Rusisë. Ai beson se vendimi për statusin, sipas të gjitha gjasave, do të dihet gjatë vizitës së presidentit të SHBA-ve, George Bush, në Evropë, në kuadër të cilit turne, do të vizitojë edhe Shqipërinë. “Deri atëherë, do ta kemi një prononcim të shpallur, për një marrëveshje a zgjidhje, e cila do të jetë më shpresëdhënëse, edhe pse mund të afatizohet për 3-4 muajt e ardhshëm. Nëse nuk ka pajtim ose nëse Rusia kërcënon me veto, atëherë do të gjendet një ‘by-pass’, që do të lejojë që në Kosovë të instalohet misioni mbikëqyrës, siç është paraparë me planin e Ahtisaarit dhe proceset do të shkojnë përpara. Por, shpallja e pavarësisë do të vonojë për disa muaj”, tha Maliqi. Ndryshe, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ashtu sikurse edhe Beogradi zyrtar, kërkojnë që statusi të mos zgjidhet menjëherë, por të vazhdojnë negociatat. Ata kanë refuzuar planin e Ahtisaarit, i cili ofron pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Rezoluta për Kosovën, e cila pritet të paraqitet para Këshillit të Sigurimit, ka për bazë planin e Ahtisaarit.

XS
SM
MD
LG