Ndërlidhjet

logo-print

QYTETARËT TË LODHUR NGA PREMTIMET E LIDERËVE


Albana Isufi

Liderët kosovarë sërish kanë zhvendosur datën e zgjidhjes së statusit final të Kosovës. Përderisa, disa javë me radhë, është thënë se në fund të majit do të ketë një vendim në Këshillin e Sigurimit, tashmë ky premtim ka kaluar për muajin qershor. Anëtari i Ekipit Negociator, Veton Surroi, ka thënë se qytetarët nuk duhet të shqetësohen, pasi sipas tij, zgjidhja e statusit të Kosovës nuk mund të lidhet fort me kalendarin. “Nuk duhet bërë nervozë, pasi që kjo çështje nuk është vënë me ndonjë automatizëm kalendarik. Nuk është se statusi vendoset brenda një stine apo brenda një stine tjetër, me automatizëm. Po kalon nëpër një proces, i cili është politik, dhe në këtë proces ka kundërshtime. Po të mos kishte kundërshtime, statusi i Kosovës do të zgjidhej kaherë. Por, ekzistojnë depërtime të ndryshme, ekziston një pozicion i fortë i Rusisë, i cili në masë të madhe, deri më sot, e ka penguar rrjedhën e një rezolute të shpejtë, ashtu siç do të dëshironim ne”, tha Surroi. Kryeministri Agim Çeku, në fjalimin e fundit drejtuar qytetarëve, u ka kërkuar atyre, që të mos preokupohen me datat e zgjidhjes së statusit final. Por, analisti Baton Haxhiu thotë se janë pikërisht liderët, ata që janë duke u marrë me, siç thotë ai, shpikjen e datave dhe momenteve vendimtare. “Ata e bëjnë këtë për të mbetur në pushtet dhe duke krijuar një opinion fals, duke krijuar një iluzion të ri. Dhe, ky iluzion mund të hakmerret, pasi njerëzit me durueshmëri e kanë sjellë Kosovën në këtë realitet, e jo liderët”, është shprehur Haxhiu. Në mesin e qytetarëve ka të atillë që tashmë e kanë humbur besimin tek liderët. Tomë Krasniqi porosit liderët që të mos japin premtime, nëse ato nuk kanë fuqi t’i realizojnë. “Na mbytët për Zotin, na shkatërruat, çfarë shpejt, veç janë duke gënjyer, se s’ka asgjë nga ta, s’kanë punuar asgjë”, shprehet Krasniqi. Albana Zogaj thotë, se në rast të zgjidhjes së shpejtë të statusit, kjo do të jetë meritë e ndërkombëtarëve, e jo e liderëve kosovarë. “Mendoj se kjo nuk është çështje tanimë e liderëve vendorë. Ata disa herë na kanë dhënë premtime të kota. Optimizmin tim e mbështes në organet vendimmarrëse botërore. Sa u përket liderëve, shumë herë na kanë gënjyer, e edhe kur flasin të vërtetën, s’e di sa do t’u besojmë”, thotë Zogaj. Ruzhdi Dina thotë se ai tashmë është bindur, se asgjë nuk varet nga liderët e Kosovës. “Diçka ka shkuar si gjatë. Liderët tanë janë shqiptarë, u kemi besuar atyre, por kemi humbur këtë besim dhe i jemi drejtuar perëndimit. Tash, ne presim nga amerikanët ose anglezët, që siç thonë, të na sjellin sofën në oborr dhe ne të bëjmë amin”, shprehet Dina. Analisti Baton Haxhiu thotë se liderët duhet të jenë të vetëdijshëm, se premtimet e njëpasnjëshme janë duke shkaktuar nervozë dhe konfuzion në opinion, meqë popullata, sipas tij, është në pritje të një lloji të pavarësisë tash 17 vjet. Haxhiu thotë se liderët nuk janë ata që vendosin për data dhe momente, por para opinionit dalin me qëndrime të tilla për arsye të tjera. “Ata, në një mënyrë, e kanë detyrë të gënjejnë, pasi bashkësia ndërkombëtare kërkon nga ta, që ta mbajnë peshën e situatës dhe sigurinë në Kosovë, sepse çdo shmangie nga kjo siguri dhe nga kjo qetësi, shkakton probleme serioze për të ardhmen e procesit”, theksoi Haxhiu. Ai thotë, se në rast të shtyrjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës deri në shtator, atëherë pas kësaj kohe, asnjë nga liderët e tashëm nuk do të duhej të qëndronte në politikë. “Fundi i fundit të fundit do të jetë shtatori, fundi, edhe pse mendoj se në qershor mund të gjendet një kompromis për rezolutën, e kur them kompromis, ai është i rëndë. Pas shtatorit, asgjë nuk do të jetë e paprekur, dhe pas kësaj date, liderët tanë janë të vdekur, pasi që procesi politik nis nga fillimi”, vlerësoi Haxhiu. Miratimi i rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit është bërë peng i dallimeve të mëdha për çështjen e Kosovës mes perëndimit në njërën anë, dhe Rusisë në anën tjetër. Rezoluta ka për bazë planin e Ahtisaarit, plan ky që është kundërshtuar nga Rusia, dhe si rrjedhojë, zyrtarët rusë kanë kërcënuar me përdorimin e vetos në Këshillin e Sigurimit.



XS
SM
MD
LG