Ndërlidhjet

LYALL GRANT: MË ME RËNDËSI ËSHTË REZULTATI I DUHUR, SESA REZULTATI I SHPEJTË


Albana Isufi

Drejtori politik i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, Mark Lyall Grant, ka shfaqur shpresën sot në Prishtinë, se rezoluta për statusin e Kosovës do të miratohet në javët e ardhshme, në Këshillin e Sigurimit. Por, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të pësojë ndryshime projekt- rezoluta, për të cilën po negociohet tani ndërmjet vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. “Tani nuk po shikojmë për alternativa të tjera. Duam që të miratohet rezoluta, por është e qartë se do ketë negociata mes të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Nuk dua të them tash, se çfarë ndryshimesh do të bëhen në draft-rezolutën, e cila është në tavolinë dhe po negociohet. Ky është një proces negociator, një proces dinamik. Ne po kërkojmë një rezultat, që do të sjellë qartësi për statusin e ardhshëm të Kosovës, por në të njëjtën kohë, të jetë një rezultat që përkrahet nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit”, është shprehur Lyall Grant. Megjithatë, përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme britanike ka thënë se nuk ka ndonjë afat të caktuar kohor, se kur do të miratohet rezoluta për Kosovën, e cila ka për bazë planin e Ahtisaarit, që ofron pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. “Nuk ka afate kohore. Siç e kam thënë edhe më parë, është më e rëndësishme që të ketë rezultat të duhur, sesa një rezultat të shpejtë”, ka theksuar Mark Lyall Grant. Ai ka thënë se kosovarët kanë shumë punë për të bërë, për të siguruar të gjitha komunitetet se edhe ato do të kenë të ardhme në Kosovën e pavarur. “Është e rëndësishme, që të kryhet kjo punë dhe të çojë në rritje të besimit tek e tërë popullata, përfshirë komunitetet joshqiptare, se edhe ato kanë të ardhme në Kosovën e pavarur, ato, familjet dhe fëmijët e tyre. Qeveria britanike do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën, për të arritur këtë qëllim”, ka thënë Lyall Grant. Pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu, Lyall Grant ka kërkuar nga kosovarët që të jenë të durueshëm dhe të mos shpejtojnë, por të presin për një rezultat të duhur. Nga ana tjetër, presidenti Sejdiu pret që në Këshillin e Sigurimit të ketë një qëndrim të përbashkët për Kosovën, dhe kosovarët të mos kenë nevojë që të veprojnë njëanshëm. “Ne besojmë se procesi do të shkojë mirë, besojmë se do të miratohet rezoluta në Këshillin e Sigurimit, pra në bashkëpunim të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Dhe besojmë, se po kështu, Kuvendi i Kosovës do ta bëjë aktin e vet të nevojshëm, për të rikonfirmuar vullnetin politik të popullit të Kosovës dhe për të hapur procesin e ri të zhvillimit të Kosovës”, ka thënë presidenti Sejdiu. Ndërkaq, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me drejtorin e ri politik në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, tha se i ka konfirmuar atij edhe një herë, zotimet e institucioneve dhe partive politike të Kosovës për kryerjen e obligimeve. “Kosova edhe po punon edhe po pret në mënyrë shumë të përgjegjshme vendimin për status – pavarësinë. Është e përgatitur dhe është unike në këtë drejtim. Agjenda jonë është edhe agjendë e përbashkët me ndërkombëtarët”, ka theksuar Thaçi. Para se të vijë në Kosovë, drejtori i ri politik i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me zyrtarët më të lartë serbë. Ai, po ashtu, ka takuar edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG