Ndërlidhjet

LDK: SIMBOLET E PRESIDENTIT RUGOVA TË JENË EDHE SIMBOLE SHTETËRORE


Zijadin Gashi

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbështetur sot nismën, që kjo parti t’i propozojë simbolet e presidentit Rugova, për simbole shtetërore të Kosovës. Pas një mbledhjeje të Kryesisë së LDK-së, nënkryetari i parë i saj, Eqrem Kryeziu, tha se do të bisedohet edhe me forcat tjera politike në Kosovë, si dhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë, që simbolet e presidentit Rugova të hyjnë në procedurat e zyrtarizmit për simbole shtetërore. “Reagimi më normal politik i secilit anëtar të LDK-së, dhe jo vetëm i veprimtarëve të saj dhe zyrtarëve të saj, është që simbolet e dizajnuara nga presidenti Rugova të jenë edhe simbole shtetërore. Ky është reagimi më normal i mundshëm. Personalisht, Kryesia nuk e di se sa do të kundërshtohet kjo”, tha Kryeziu. Mirëpo, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë, që simbolet e presidentit të ndjerë Rugova të mos kalojnë, përkatësisht të mos marrin përkrahjen e opozitës, apo edhe të konsiderohet se nuk janë në harmoni me pakon e Ahtisaarit, e cila kërkon që simbolet e Kosovës të reflektojnë shumetnicitetin e saj. Në këtë rast, Eqrem Kryeziu tha se LDK-ja nuk do të dalë si pengesë, por do të jetë e hapur edhe për opsione të tjera, që nënkupton edhe largimin nga pozicioni i tanishëm. “Nuk është që kemi marrë vendim definitivisht sot, por do të reagojmë. Nëse kemi hapësirë, është krejt normale që LDK-ja të ketë propozime. Të dominojnë propozimet, në qoftë se kemi hapësira, por varet prej rrjedhës së ngjarjeve që do të shkojnë, për të cilat ne, natyrisht, që jemi shumë optimist”, theksoi Kryeziu. Gjatë takimit të sotëm, Kryeziu tha se edhe brenda Kryesisë së LDK-së kishte propozime që të hiqet dorë nga propozimi i simboleve të presidentit Rugova, pasi që ato nuk janë në harmoni me pakon e Ahtisaarit. Mirëpo, në fund, Kryesia e LDK-së kishte vlerësuar se procesi i statusit është në vazhdim e sipër dhe nuk dihet se çfarë do të përmbajë rezoluta e re e Këshillit të Sigurimit. Kështu që, LDK-ja kishte vendosur, që fillimisht të kërkohet konsensusi me spektrin politik kosovar, që të propozohen simbolet e presidentit Rugova. Çështja e simboleve do të diskutohet edhe nesër në kuadër të takimit të Ekipit të Unitetit, ku pritet që pozicionet e tyre ndaj këtij propozimi të LDK-së, t’i japin edhe liderët e partive opozitare.


XS
SM
MD
LG