Ndërlidhjet

LIDERËT KOSOVARË SHTYJNË PËR JAVËN TJETËR VENDIMIN PËR SIMBOLET


Zijadin Gashi

Liderët kosovarë, që përfaqësohen në Ekipin e Unitetit, kanë zhvilluar sot një takim me Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, por nuk kanë arritur që të gjejnë konsensus për kriteret, mbi bazën e të cilave do të fillohej procedura e miratimit të simboleve shtetërore. Anëtarët e këtij Ekipi, fillimisht, kanë zhvilluar një takim me dyer të mbyllura, para se të takojnë Kryesinë e Kuvendit, mirëpo rezultati i vetëm, sipas tyre, ishte që bisedimet duhet të vazhdojnë edhe ditëve në vijim. Ndërsa dje, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës doli me një propozim, që simbolet e presidentit Rugova të hyjnë në procedurën e zyrtarizmit, sot presidenti Fatmir Sejdiu tha se Ekipi i Unitetit nuk ka asnjë propozim dhe se ende është vetëm në fazën e miratimit të kritereve. “Nuk ka propozime konkrete prej askujt. Natyrisht, se mund të ketë parti politike dhe mund të ketë propozime të tjera që kanë qenë në variantet e prezantuara deri tash para opinionit publik, por ne zyrtarisht nuk mund të themi asgjë. Për ne, është shumë me rëndësi që kriteret e përgjithshme, që janë të përcaktuara në dokumentin e presidentit Ahtisaari, të jenë kriteret tona orientuese, themelore, dhe do të punojmë në këtë drejtim”, theksoi presidenti Sejdiu. Ndërkohë, duke u ndërlidhur me propozimin e djeshëm të LDK-së, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se simbolet e partitë politike nuk mund të jenë model i simboleve shtetërore. “Çështja e simboleve dhe selitë e partive politike nuk janë adresa e zgjidhjes së simboleve shtetërore, por do të jetë vendim i përbashkët, shumë unik”, ka pohuar Thaçi. Ndërkaq, Veton Surroi, kryetar i Partisë Reformiste Ora, tha se ende nuk mund të bëhet fjalë për propozimin e simboleve, përderisa nuk janë caktuar as kriteret, mbi të cilat do të ndërtohen simbolet e shtetit të Kosovës. “Nuk është çështje që e dallon ose që krijon dallime se a do të hyjë ky apo ai propozim. Çështja është unifikimi i kritereve dhe në momentin kur unifikohen kriteret, shpallet konkursi dhe çdo propozim do të jetë i barasvlefshëm në një procedurë normale”, ka thënë Surroi. Përderisa anëtarët tjerë të Ekipit kosovar, që në fjalorin politik quhet edhe Ekipi i Unitetit, u shprehen të bindur, se Kosova do t’i ketë simbolet dhe nuk do të krijohet vakuum në këtë drejtim, kryeministri Agim Çeku, megjithatë, është ndalur edhe në disa dilema të Prishtinës dhe pasojat që mund të prodhojë vonesa në miratimin e simboleve. “Duhet të përcaktohen kriteret e qarta të konkursit për përcaktimin e simboleve. E kemi të përcaktuar pakon e Ahtisaarit, e kemi një konsensus gjithë-partiak se simbolet duhet të jenë ndryshe nga ato që sot janë në përdorim, qoftë nga partitë politike apo jo. E dyta, duhet të përcaktojmë procedurën për definimin e simboleve të Kosovës dhe do të shkojmë përmes konkursit që do të shpallet nga Kryesia e Parlamentit”, theksoi kryeministri Çeku. Ai tha po ashtu, se nxjerrja e simboleve të Kosovës është e lidhur ngushtë me miratimin e rezolutës në Këshillin e Sigurimit, pasi që për validitetin e të gjitha akteve juridike dhe simboleve do të nevojitet miratimi i përfaqësuesit ndërkombëtar, që do të udhëheqë Zyrën Civile Ndërkombëtare në Kosovë pas statusit, si autoriteti më i lartë për mbikëqyrjen e zbatimit të Marrëveshjes për statusin. Nëse nuk do të gjendet ndonjë zgjidhje e qëndrueshme, Çeku tha se të paktën mund të gjendet zgjidhje për pasaportën kosovare, në mënyrë që qytetarët të mos mbeten të izoluar nga bota, pas largimit të UNMIK-ut. Një përparim më i madh në lidhje me caktimin e kritereve, sipas Ekipit të Unitetit, është i mundshëm të arrihet gjatë një takimi që do të zhvillohet të martën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG