Ndërlidhjet

KUPCHAN:"RUSIA MUND TË PRISHË PUNË NË KËSHILLIN E SIGURIMIT"


Charles KUPCHAN, Këshilli për Marrëdhënie të Jashtme/SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Kupchan, si e shihni kundërshtimin e Rusisë për planin e Kombeve të Bashkuara mbi statusin e ardhshëm të Kosovës?

CHARLES KUPCHAN
Është vështirë të dihet saktësisht se çfarë ka ndër mend presidenti Putin. Fillimisht, pozicioni rus ishte se ata ishin kundër pavarësisë dhe ndoshta mund të ushtronin të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Por së fundi, ata duket sikur më pak po flasin për veton, dhe vetëm në përgjithësi e theksojnë kundërshtimin ndaj planit të Ahtisaarit. Kështu që, unë mendoj se në këtë pikë nuk e dijmë nëse rusët do të jenë të gatshëm për veto apo do të apstenojnë. Por mendoj që mund të thuhet me bindje të plotë se Moska sot ndjehet shumë e sigurtë. Putini është i shqetësuar me Shtetet e Bashkuara për mënyrën, me të cilën ai mendon se ato e kanë trajtuar Rusinë. Prandaj, për mua është tërësisht e besueshme që Rusia mund të prishë punë në Këshillin e Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
A është e mundur të pritet konfrontim më i madh mes Rusisë dhe vendeve të Perëndimit në Këshillin e Sigurimit lidhur me çështjen e Kosovës?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se nëse pyeteni se çfarë mund të fitojë Rusia, përgjigja është jo diçka të madhe. Kosova nuk ka naftë, rusët nuk i japin Kosovës teknologji bërthamore, nuk ka tregëti ndërmjet Rusisë dhe Kosovës. E vetmja gjë që mund të thuhet është se loja ka të bëjë me një farë vëllazërie me Serbinë. Ata gjithashtu kanë thënë se kjo shkakton precendet të keq, pra nëse Kosova bëhet e pavarur, atëherë çfarë do të ndodhë me Osetinë jugore apo Abkhazinë në Gjeorgji. Por këto çështje janë shumë larg njëra tjetrës. Pyetja që më vjen ndër mend është nëse Putini është i përgatitur të pranojë një plasaritje të madhe politike me Perëndimin për një çështje, e cila është minore në kuptimin e interesit kombëtar të Rusisë. Prandaj mendoj se në fund, rusët me gjasë nuk do t'i vënë veto pavarësisë, dhe për momentin ata me gjasë po kërkojnë një farë hapësire për manovër diplomatike që të mbeten faqebardhë, e cila Beogradit dhe Rusisë do t'i jepte diçka në këmbim të abstenimit rus.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, z. Kupchan, çfarë mendoni rreth propozimeve të Rusisë për disa ndryshime në planin e Martti Ahtisaarit?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se varet se çfarë lloj ndryshimesh do të kërkonin rusët. Për shembull, së fundi ishte një raport i Grupit Ndërkombëtar të Krizave i cili sugjeronte emërimin e një të dërguari të Kombeve të Bashkuara, i cili do të merrej me kthimin e sebrëve dhe mbrotjen e të drejtave të minoriteteve. Unë besoj se raporti i GNK gjithashtu sugjeronte moratorium mbi anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, i cili pastaj mund të hiqet pas një apo dy vitesh. Kështu, pavarësia formale, e cila po duket në horizont, mund të ngadalësohet dhe të jetë e përkohshme. Por nëse flasim për ndryshime më të rëndësishme, si p.sh. ndarjen e Kosovës, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ose lloje të ndryshme të zgjidhjeve territoriale, unë mendoj se ka shumë pak gjasa që Këshilli i Sigurimit do të ecë në atë drejtim. Mendoj se KS në përgjithësi e mbështet planin e Ahtisaarit, dhe me gjasë mund të pranojë ndryshime në margjina, por nuk mendoj se do të pranonte ndryshime fundamentale në parimet kryesore të propozimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç thatë, Këshilli i Sigurimit do të kundërshtonte idenë për ndarjen e Kosovës. Por disa analistë dhe ish diplomatë kanë sugjeruar se njëra nga opcionet mund të jetë ndarja e Kosovës. Çfarë janë gjasat reale për diçka të tillë?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se bashkësia ndërkombëtare, këtu i kam parasysh SHBA-të, BE-në, Ahtisaarin, lojtarët e ndryshëm në procesin e zgjidhjes së statusit final të Kosovës, në përgjithësi kanë qenë shumë skeptikë që çështjen e ndarjes ta shtrojnë në tavolinë, dhe prej fillimit kanë sugjeruar se ky nuk është opcion. Pikëpamja im është pak më e dykuptimtë. Unë nuk jam ndonjë ithtar i ndarjes, por nga ana tjetër, mendoj se për shumë arsye, kjo mundësi nuk duhet përjashtuar.
Njëra është se nga ajo që kemi kuptuar, Beogradi e ka shtyrë përpara ndarjen e Kosovës në veri të lumit Ibër, dhe ky territor në pjesën veriore të Kosovës është kryesisht i banuar me serbë. Pra ky mund të jetë në një farë mënyre karremi që Serbia dhe Rusia të përpiqen të përfitojnë.
Çështja e dytë, gjithashtu e rëndësishme, është se nëqoftëse Kosova mbetet në kufijtë aktualë të saj dhe bëhet e pavarur, atëherë në territorin e saj do të ketë një thelë të rëndësishme në veri të lumit Ibër, e cila nuk dëshiron të jetë pjesë e një vendi me 90% shumicë shqiptare. Kështu, shteti i ri do të kishte një fillim të vështirë. Sidoqoftë, unë nuk do të prisja që ndarja të shtyhet përpara nga ana e Këshillit të Sigurimit. Mendimi im është se do të ketë një situatë "merre ose lere", që do të përfundojë me miratimin e planit të Ahtisaarit me disa ndryshime të vogla.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Kupchan, çfarë është mendimi juaj për mundësinë e njohjes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nëse Këshilli i Sigurimit do të dështonte të miratojë rezolutë të re?

CHARLES KUPCHAN
Nëse do të ndodhte kjo dhe rusët do të ushtronin veto, atëherë unë do të prisja që Kosova shumë shpejt njëanshëm të shpallë pavarësinë. Mendoj se do të ishte një situatë shumë destabilizuese në kuptimin se mund të ketë dhunë në Kosovë nëse Këshilli i Sigurimit do futej në një udhë pa krye. Ndosha disa ekstremistë shqiptarë mund të përpiqen të nxisin trazira. Nëse do të kishte shpallje të njëanshme të pavarësisë, do të prisja që Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të BE-së pas një kohe të njohin pavarësinë e Kosovës.
Është e qartë se kjo është një qasje më pak e dëshirueshme se sa ajo me një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit, që do ta zëvendësonte rezolutën 1244. Por, mbetet të shihet nëse Këshilli i Sigurimit do të mund të arrijë një konsenzus.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG