Ndërlidhjet

BURGOSJA E FËMIJËVE – MUNDËSI E FUNDIT PËR REHABILITIMIN E TYRE


Nadie Ahmeti

Burgosja e fëmijëve, të cilët kanë bërë akte kriminale, duhet të shërbejë si mundësi e fundit për rehabilitimin e tyre. Standardet ndërkombëtare përcaktojnë masa dhe alternativa të tjera, që u ofrojnë fëmijëve rehabilitim, arsimim dhe aftësi të nevojshme për riintegrim në shoqëri. Kështu është thënë sot, gjatë një debati mbi sistemin e drejtësisë për të miturit në Kosovë. Ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihu, tha se ka vërejtje në sistemin e drejtësisë për të miturit, me gjithë faktin se, sipas tij, ky sistem është më i miri në rajon. “Ne po përpiqemi të krijojmë standarde të larta në trajtimin e të miturve. Unë besoj se ia kemi arritur, kemi një bazë legjislative, kemi Kodin Penal për të Mitur. Nuk do të thotë që ai kod nuk do të përmirësohet në të ardhmen, ka vend që të bëjmë disa amandamentime. Por, besoj se në rajon, ne prijmë në këtë lëmi”, tha ministri Salihu. Arbena Kuriu, nga Fondi për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNICEF, tha se nevojitet një zbatim më efektiv i legjislacionit në çështjet që kanë të bëjnë me fëmijët. “Të krijohen masa rehabilituese për fëmijët, të cilët kanë kryer ndonjë krim. Për këta fëmijë ka nevojë që të krijohen programe rehabilituese, ku do të bashkëpunohet me arsimtarë, punëtorë socialë, policinë e komunitetit, dhe do të punohet direkt me fëmijë, në mënyrë që të parandalohet krimi, që fëmijët të kthehen në shkollë dhe të mënjanohen sjelljet asociale tek ta”, u shpreh zonja Kuriu. Përveç masave alternative që duhet të merren, në mënyrë që të shmanget masa e burgimit për fëmijët, në debatin e sotëm është diskutuar edhe për një projekt, i cili prej ditës së sotme, synon edhe përmirësimin e kushteve nëpër qendrat korrektuese në Kosovë. Ministri Salihu, në këtë kuadër, ka përmendur hapësirën e vogël në Qendrën Korrektuese për fëmijë në Lypjan. “Unë besoj, se ky projekt do të na japë shanse që të zgjerojmë hapësirën e veprimit të tyre, sepse do të investohet. Ka aktivitete që do të shkojnë në këtë drejtim, që të zhvillohet një hapësirë me e mirë për ta”, tha ministri Salihu. Problem tjetër në këtë qendër, është niveli i ulët i arsimimit të fëmijëve, thotë Ragip Zekolli, udhëheqës i Arsimit të Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Me zbatimin e këtij projekti, Ministria e Arsimit do të krijojë kushte më të mira për këta fëmijë, duke rritur numrin e mësimdhënësve, tha zoti Zekolli. “Vërtet ka qenë në një situatë tejet të rëndë gjendja e fëmijëve, të cilët, në një farë forme, janë detyruar të vijnë deri te krimi. Kjo gjendje është aq më keq, për faktin se në qendrat përmirësuese të Kosovës nuk ka qenë i organizuar mirë mësimi”, vlerësoi zoti Zekolli. Projekti “Drejtësi për Fëmijë“, qëllimi i të cilit është që të themelojë sistemin gjyqësor për të miturit në Kosovë, bazuar në të drejtat e fëmijëve dhe promovimin e programit për parandalimin e krimit të të miturve, do të zgjasë deri në vitin 2009. Ky projekt është financuar nga Agjencia Evropiane për Rindërtim, çmimi i të cilit do të arrijë deri në dy milionë euro.

XS
SM
MD
LG