Ndërlidhjet

SA REFLEKTON UNITET EKIPI I UNITETIT?


Zijadin Gashi

Ekipi Negociues kosovar, që tani, pas përfundimit të procesit negociator, quhet vetëm si Ekip i Unitetit, me gjithë vështirësitë dhe polarizimet e brendshme, ka arritur ta arsyetojë funksionin që e ka marrë, vlerësojnë përfaqësues politikë kosovarë. Ndërkohë, që për negociatat nuk jepen shumë vërejtje në punën e tij, ngecjet e fundit në çështjen e simboleve të Kosovës, potencohen si sfidë, që do të mund të reflektohet në funksionimin e këtij Ekipi në bazë të unitetit dhe konsensusit të brendshëm. Zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e çmon mjaft lart punën e këtij Ekipi. “Delegacioni i Unitetit ka punuar shumë, edhe përmes autoriteteve, presidenti, kryeministri, liderët e dy partive të opozitës, koordinatori i procesit, Blerim Shala, në lobim aktiv në sigurimin e përkrahjes nga shumë shtete, nga një numër i madh i shteteve”, vlerësoi Haziri. Ndërkohë, që negociatat për statusin janë përmbyllur, kurse çështja e marrëveshjes apo fati i pakos së Ahtisaarit për statusin e Kosovës po vendoset në qendrat më të rëndësishme të politikës botërore, në Prishtinë politika kosovare ka për obligim ta përgatisë vendin për fazën e pas statusit dhe implementimin e marrëveshjes. Në këtë drejtim, që nga data 12 mars, Ekipi i Unitetit dhe Kuvendi nuk kanë arritur të gjejnë marrëveshje për kriteret, mbi të cilat do të ndërtoheshin simbolet e Kosovës. Zëvendëskryeministri Lutfi Haziri thotë se simbolet patjetër që paraqesin një sfidë, por ai nuk e sheh këtë si një krizë të pakalueshme. “Nuk do t’i quaja mospajtime, do t’i quaja më shumë mundësi që të arrihet një konsensus. Do të ishte mirë, që Kosova t’i ketë simbolet e veta dhe do të ishte mirë që Kosova, në ditën e parë, të njihej me simbolet e saj”, theksoi Haziri. Ndërsa negociatat për simbolet vazhdojnë, LDK-ja ka dalë këtë javë me propozimin, që simbolet e presidentit Rugova të hyjnë në procedurat e zyrtarizmit, si simbole shtetërore. Me një propozim të tillë nuk pajtohet pjesa tjetër e spektrit politik nga opozita. Jakup Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se të gjitha partitë politike i kanë simbolet e veta, por kur flitet për simbolet shtetërore, ai kërkon që ato të jenë simbole që e identifikojnë shtetin e Kosovës, dhe jo simbole që identifikojnë partitë politike. “Ne konsiderojmë, që ato kanë qenë më shumë simbole partiake dhe janë përdorur nga partia. Por, vërtet ka nevojë që Kosova t’i ketë simbolet, që të gjithë qytetarët e Kosovës, para atyre simboleve, ta ndjejnë veten mirë. Do të thotë, ne po krijojmë një shoqëri të re”, u shpreh Jakup Krasniqi. Mirëpo, sa është e gatshme LDK-ja që të heqë dorë nga propozimi i simboleve të presidentit Rugova, sidomos nga flamuri i Dardanisë, që presidenti Rugova e përdorte për simbol shtetëror të Kosovës? “Ne jemi të gatshëm, që për interesa të shtetit të Kosovës dhe të së ardhmes së Kosovës, të gjejmë rrugën dhe mundësinë më të mirë, që këto simbole të jenë vullnet dhe të jenë nën një konsensus”, tha Lutfi Haziri. Ndërsa LDK-ja shprehet e gatshme për konsensus për simbolet, megjithatë politikanë kosovarë rikujtojnë se propozimet e ndryshme, për të cilat paraprakisht dihet se nuk kanë përkrahjen e spektrit tjetër politik, shkaktojnë vonesa në punën e palës kosovare. Nazim Jashari, deputet i Partisë Reformiste Ora, thotë, se shikuar në tërësi, Ekipi i Unitetit ka arritur të bëjë një punë të mirë, por ai rikujton ndarjet në qëndrime, lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në Konferencën e vendeve islamike në Islamabad dhe simbolet, si dy momentet më të freskëta, për të cilat Ekipi megjithatë identifikohet si jo shumë unik. “Kur lëshohemi në çështje konkrete, siç është çështja e Islamabadit apo ajo e simboleve, sigurisht që vijmë në situatë që duhet ta shprehim pakënaqësinë tonë, që ky unitet, i cili në aspektin elementar ka qenë shumë pozitiv dhe ka qenë mirë që është mbajtur, nuk ia ka dalë që të jetë më i plotë, nuk ia ka dalë që të jetë më funksional”, vlerësoi Jashari. Ai thotë po ashtu, se nëse për çështje jo shumë problematike ka kaq shumë zvarritje, mund të shtrohet dilema se si do të sillet lidershipi në çështje edhe më të rëndësishme dhe më të ndjeshme, që pasojnë pas miratimit të rezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. “Grupi i Unitetit duhet t’i gjejë format që këtë unitet ta operacionalizojë, qoftë lidhur me gjetjen e zgjidhjes për simbolet, që është një domosdoshmëri, një detyrim, ngase pa të, ne nuk mund të hyjmë në gjetjen e zgjidhjeve për çështje tjera më madhore, në çështjen e definimit të funksionalitetit të shtetit, siç është Kushtetuta. Nëse nuk mund të merremi vesh për simbolet, si do të merremi vesh për Kushtetutë?”, shtron çështjen Jashari. Reflektimet e zhvillimeve të brendshme politike nuk mund të thuhet se nuk kanë ndikuar edhe në punën e Ekipit të Unitetit, por ky Ekip e ka arsyetuar emrin që e mban, vlerëson njeriu që ka marrë pjesë në të gjitha takimet e delegacionit të Kosovës, zëdhënësi i grupit, Skënder Hyseni. Ai thotë, se pavarësisht ideve apo mendimeve e propozimeve, të gjitha vendimet e deritashme në Ekipin e Unitetit janë marrë me konsensus. “Është krejt e natyrshme. Nuk do të duhej të shihej kjo si problem ose si pengesë, përkundrazi ndonjëherë vetëm e pasuron debatin që zhvillohet në Ekipin e Unitetit për çështje të ndryshme. Puna e Ekipit në momentet kyçe, në momentet vendimtare, ka reflektuar unitet, konsensus, ka reflektuar pajtim rreth çështjeve fundamentale”, theksoi Hyseni. Ekipi Negociues i Kosovës apo Ekipi i Unitetit, që në përbërjen e vet ka përfaqësuesit më të lartë të pozitës dhe opozitës, është themeluar me qëllim të përmbylljes së procesit të statusit dhe përgatitjes së Kosovës për tranzicionin dhe marrjen e autorizimeve nga administrata e UNMIK-ut, për ta udhëhequr Kosovën. Aktualisht, angazhimet kryesore të këtij Ekipi dhe grupeve punuese që ka themeluar, janë Kushtetuta, simbolet dhe pakoja ligjore, që bie më shumë në kurriz të Qeverisë dhe Kuvendit, për zbatimin e marrëveshjes për statusin. Ndërkaq, pas kalimit të fazës së tranzicionit, Ekipit i mbetet të përcaktojë edhe kohën për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në të dy nivelet.
XS
SM
MD
LG