Ndërlidhjet

PETROVIQ:”PAVARËSISHT NGA STATUSI, NE DO TË JETOJMË NË KOSOVË”


Slobodan PETROVIQ, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petroviq, cili është pozicioni aktual i serbëve të Kosovës, në kuptim të procesit për përcaktimin e statusit të Kosovës?

SLOBODAN PETROVIQ
Gjithsesi, nëse shikojmë nga pozicioni i Partisë së Pavarur Liberale, ne jemi të vetëdijshëm, se mundësitë tona na bëjnë me dije, se nuk mund të ndikojmë në statusin e ardhshëm të Kosovës. Por, ajo që për ne është shumë e rëndësishme, krahas statusit të Kosovës, është pikërisht statusi i qytetarëve që do të jetojnë në Kosovë. Ne tash jemi dëshmitarë të faktit, se as Prishtina as Beogradi nuk mund të ndikojnë në statusin e ardhshëm të Kosovës. Prandaj, ajo që ne tash dëshirojmë dhe shpresojmë, është që dy fuqitë e mëdha, Amerika dhe Rusia, të gjejnë një zgjidhje kompromisi, që do të ishte në interesin e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po cila do të ishte ajo zgjidhje që do të ishte edhe e pranueshme, edhe e mirë për të dyja palët?

SLOBODAN PETROVIQ
Gjithsesi, cilado që të jetë zgjidhja, kemi edhe shembullin e propozimit të Ahtisaarit, me të nuk do të jenë të kënaqur të gjithë. Dhe, ajo që ne duam të theksojmë është pozicioni i qytetarëve, pasi kemi rast të shohim, se në shumicën e rasteve po përmendet territori, po përmendet historia dhe assesi nuk po përmendet ajo që është shumë e rëndësishme, domethënë qytetarët dhe pozita e njeriut.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuptim, zoti Petroviq, cili është pozicioni i partisë suaj ndaj planit të Ahtisaarit si tërësi, në kuptimin e jetës së përditshme të njerëzve, të realizimit të interesave të tyre e kështu me radhë?

SLOBODAN PETROVIQ
Në secilën situatë, ne shohim për diçka që është pozitive. Natyrisht, se as ne nuk jemi të kënaqur me atë propozim, pasi që, pak më parë thashë, gjithherë dikush do të jetë i pakënaqur. Mirëpo, dëshira jonë është implementimi i propozimit, përkatësisht garantimi i implementimit të planit të Ahtisaarit, pasi tash kemi rastin, kur edhe tash në Kosovë ekziston Rezoluta 1244 që jep shumë hapësirë për bashkësitë e tjera etnike. Mirëpo, kjo është vetëm një shkronjë në letër, prandaj ne mendojmë se më e rëndësishme se vetë propozimi, është implementimi apo garancia për atë propozim.

RADIO EVROPA E LIRË
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thonë se sfida më e madhe, me rastin e implementimit të statusit të Kosovës, do të jetë pozicioni që do të marrin serbët e Kosovës. Sipas jush, cili do të jetë reagimi i serbëve të Kosovës, në rast të miratimit të propozimit të Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur?

SLOBODAN PETROVIQ
Pikërisht, në këtë temë, kemi pasur një takim me shefin e UNMIK-ut, Ruecker, dhe me zëvendësin e tij, Steven Schook, dhe kemi shprehur shqetësimin tonë pikërisht për këtë çështje. Në të vërtetë, ne kemi apeluar te bashkësia ndërkombëtare, por edhe tek elita politike shqiptare, që në këtë periudhë të vështirë të japin kontribut, që të mos ketë ndonjë dhunë dhe të mos ndodhë ndonjë gjë që nuk e dëshirojmë askush prej nesh. Qëndrimi i Partisë së Pavarur Liberale, në këtë kuptim, është krejt i qartë – pavarësisht nga statusi i Kosovës, ne jemi përcaktuar të jetojmë në Kosovë dhe apelojmë edhe te anëtarët tanë, se çfarëdo që të jetë statusi i Kosovës, ai duhet të pritet në paqe dhe tolerancë. Unë shpresoj, se do të mbizotërojë arsyeja, por gjithsesi, janë reale mundësitë që të ndodhë ndonjë dhunë dhe kjo do të ishte edhe një pamje e keqe. Prandaj, mendoj se të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë dhe ne jemi të gatshëm, pavarësisht që nuk kemi shumë ndikim, krahasuar me bashkësinë ndërkombëtare, mirëpo natyrisht që do të japim kontributin tonë. Sa na përket neve, do të apelojmë, që çfarëdo që të jetë zgjidhja për statusin e Kosovës, ajo duhet të pritet në mënyrë civilizuese para së gjithash.

INTERVISTOI: RRAHMAN PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG