Ndërlidhjet

RUECKER:”SUBSTANCA E STATUSIT ËSHTË NË DUART E KËSHILLIT TË SIGURIMIT”


Joachim RUECKER, Shef i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ruecker, aktualisht diskutimet rreth statusit të Kosovës janë të përqëndruara rreth asaj se kur do të zgjidhet kjo çështje. Ju çfarë mendoni, kur do të ndodhë kjo?

JOACHIM RUECKER
Unë mendoj se ne, si UNMIK, nuk do të duhej të merreshim me datat, sepse fundja kjo çështje nuk është në duart tona. Natyrisht, ne jemi duke e ndihmuar procesin e statusit, por vendimin e merr Këshilli i Sigurimit në New York. Personalisht, pritjet e mia janë se kemi të bëjmë me disa javë dhe jo me muaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka mbështetur fuqishëm planin e hartuar nga presidenti Ahtisaari, por kohët e fundit ka pasur diskutime për disa përshtatje të mundshme të planit. A mendoni se këto përshtatje mund t’i zgjidhin problemet aktuale në këtë drejtim?

JOACHIM RUECKER
Sërish, ne jemi mandatuar për ta ndihmuar procesin e statusit dhe këtë jemi duke e bërë. Sa për substancën e statusit, kjo çështje është në duart e Këshillit të Sigurimit. Natyrisht, është e rëndësishme për ne ajo që është thënë që prej 26 marsit të këtij viti, se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara veçanërisht, e ka mbështetur tërësisht planin e zotit Ahtisaari ashtu siç është. Megjithatë, të shohim se çfarë do të thotë Këshilli i Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe a shpresoni se Këshilli i Sigurimit do të adoptojë rezolutën në bazë të planit të Ahtisaarit?

JOACHIM RUECKER
Po, kam shpresa se po.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, nëse Këshilli i Sigurimit dështon në adoptimin e kësaj rezolute, çfarë mendoni për mundësinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga autoritetet vendore?

JOACHIM RUECKER
Unë kam besim të plotë tek komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi dhe veçanërisht tek Këshilli i Sigurimit për të gjetur një zgjidhje në korniza të procesit multilateral të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara. Nuk do të dëshiroja të spekuloj për dështimet e këtij procesi, unë nuk mendoj se do të dështojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ruecker, cilat do të mund të ishin sfidat përpara për ta bërë Kosovën, ashtu siç synojnë udhëheqësit e saj, një shtet funksional?

JOACHIM RUECKER
Mendoj se tani kemi bazët për funksionimin e demokracisë, për funksionimin e sundimit të ligjit dhe të ekonomisë së tregut. Megjithatë, përmirësime të mëtutjeshme janë të nevojshme. Para së gjithash, në periudhën e famshme të tranzicionit, që nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit e deri tek dorëzimi konkret i pushtetit nga UNMIK-u, ne – institucionet e përkohshme dhe komuniteti ndërkombëtar, duhet të sigurojmë miratimin e ligjeve që janë paraparë me pakon e zotit Ahtisaari. Me këto ligje, Kosova jo vetëm që do të bëhet një entitet funksional, por njëkohësisht do të mundësohet edhe zbatimi i vetë pakos. Kjo është baza e statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët zbatimin e pakos, sa mendoni se do të jetë i suksesshëm ky proces, duke marrë parasyshë kundërshtimet mbi këtë pako nga përfaqësuesit e komunitetit serb?

JOACHIM RUECKER
Komuniteti serb në Kosovë është i pasigurtë për të ardhmen, prandaj edhe nuk janë duke folur qartazi, nuk janë duke folur me një zë. Unë kam shenja gjithnjë e në rritje se komuniteti serb në Kosovë, të paktën një pjesë e madhe e këtij komuniteti, është duke e shikuar nga afër pakon e Ahtisaarit. Ata e dijnë se propozimi gjithëpërfshirës u jep atyre jo vetëm një të ardhme të sigurtë, por gjithashtu një të ardhme në të cilën serbët dhe pakicat tjera në Kosovë, do të kenë perspektiva politike dhe ekonomike. Dhe mendoj se këto çështje janë marrë parasyshë. Prandaj, nuk do të thosha assesi se komuniteti serb në Kosovë është i bashkuar në kundërshtimet ndaj planit të Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, si do të zbatohej plani në veri të Kosovës për shembull, aty ku kundërshtimet ndaj tij janë më së shumti të përqëndruara?

JOACHIM RUECKER
Unë shpresoj gjithashtu se udhëheqësit në veri do ta rishikojnë me kujdes edhe një herë planin e zotit Ahtisaari dhe përmbajtjen e tij. Kësisoji do të hynim bashkërisht në periudhën e zbatimit, këto janë pritjet e mia për javët dhe muajt e ardhshëm. Vendimi i Këshillit të Sigurimit siç e thashë, por këto janë pritjet e mia. Nuk do të jetë e lehtë, na duhet një dialog i vazhdueshëm dhe ky dialog është duke u zhvilluar midis udhëheqësve në veri dhe të tjerëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova aktualisht vuan nga papunësia e lartë dhe varfëria; në tetë vitet e fundit investimet kanë qenë të rralla, nëse në fakt ka pasur fare. Si mendoni se do të duket kjo situatë pas zgjidhjes së statusit?

JOACHIM RUECKER
Mendoj se është mjaft e qartë se statusi nuk do t’i zgjidhë problemet ekonomike në mënyrë automatike, por do të ndihmojë vetëm zgjidhjen e disa prej këtyre problemeve. Problemet tjera do të fillojnë pasi të jetë zgjidhur statusi dhe rrjedhimisht mendoj se ekonomia mbetet një sfidë e madhe. Le t’i shikojmë vetëm disa nga çështjet në rrafshin ekonomik, si për shembull niveli i lartë dhe i papranueshëm i papunësisë. Në këtë drejtim janë të nevojshme dy gjëra, fillimisht duhet pasur shkallë më të larta zhvillimi, nuk janë keq edhe ashtu siç janë, por mund të përmirësohen dhe kjo është e mundshme në një ekonomi transformimi. Por, gjithashtu është i domosdoshëm edhe një mekanizëm që kontrollon migracionin, të paktën atë që njihet si migracion sezonal. Nuk mund të zgjidhet kjo situatë vetëm me shkallë më të lartë zhvillimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Një pjesë të Misionit tuaj pritet ta trashëgojë misioni i ardhshëm i Bashkimit Evropian. Cili do të ishte mesazhi juaj për misionin që do të vijë?

JOACHIM RUECKER
Më lejoni të nënvizoj se përgjegjësitë e UNMIK-ut do të barten tek autoritetet e ardhshme të Kosovës. Trashëgimtarët e UNMIK-ut do të jenë institucionet e ardhshme vendore dhe jo misioni i ardhshëm i Bashkimit Evropian. Natyrisht, disa detyrime dhe obligime do të barten edhe tek Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar dhe Zyrën Civile Ndërkombëtare. Mendoj se është e rëndësishme dhe kam besim të plotë tek njerëzit që do ta udhëheqin misionin e ardhshëm. Një mesazh i rëndësishëm është se duhet ndërtuar një marrëdhënie besimi dhe rrespekti me autoritetet në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe derisa Misionit tuaj i afrohet fundi, mendimet për efektivitetin e tij janë nga më të ndryshmet. Cili është mendimi juaj, për tetë vitet e UNMIK-ut në Kosovë?

JOACHIM RUECKER
Mendoj se gota është gjysëm e mbushur dhe jo gjysëm e zbrazur.Gjithashtu mendoj se bashkërisht me institucionet e përkohshme kemi arritur të vendosim themelet e një demokracie funksionale, të një sundimi funksional të ligjit dhe të një ekonomie funksionale të tregut. Dhe të gjitha këto janë pranuar edhe nga misioni faktmbledhës Këshilli i Sigurimit. Prandaj, besoj se këto nuk janë arritje të vogla.

INTERVISTOI ARBANA VIDISHIQI

XS
SM
MD
LG