Ndërlidhjet

EKIPI I UNITETIT NGARKON KOMISIONIN KUSHTETUES ME KRITERET PËR SIMBOLET


Zijadin Gashi

Delegacioni i Kosovës për statusin dhe Kryesia e Kuvendit janë marrë vesh, sot, që të procedohet me propozimin e kritereve për simbolet e Kosovës. Ekipi i Unitetit, ku përfaqësohen udhëheqësit e institucioneve dhe ata të opozitës, ka marrë vendim që Komisioni Kushtetues të propozojë kriteret për konkursin, lidhur me simbolet e Kosovës. Presidenti, Fatmir Sejdiu, tha se bisedimet e gjata në këtë temë kanë rezultuar sot me kërkesën dhe nevojën, që Kosova të ruajë dinamikën dhe të marrë me kohë vendimet për simbolet shtetërore. “Ne kemi një akordancë të përbashkët pas një debati të gjatë, që një ekip, i cili në fakt është bërthama që ka punuar deri tash edhe në draftin kushtetues, t’i përgatisë kriteret e përgjithshme, të cilat do t’ia ofrojë Kryesisë së Kuvendit për procedim të mëtejshëm. Dhe, përmes konkursit, natyrisht që Kryesia dhe Kuvendi të jenë autorët finalë të përzgjedhjes së simboleve të Kosovës”, u shpreh presidenti Sejdiu. Procedurat e mëtutjeshme u tha se kanë të bëjnë me shpalljen e konkursit dhe përcaktimin e jurive për vlerësim. Anëtari tjetër i Ekipit të Unitetit, Veton Surroi, tha se bashkë me vendimin për simbolet, ka një qëndrim dhe në lidhje me pasaportën e Kosovës. “Sot u dakorduam, që formulari, i cili duhet të përgatisë pasaportën, të shkojë me emërimin 'Republika e Kosovës', kurse përfundi të shënohet 'pasaportë' në tri gjuhë. Është lënë zbrazësia për stemën, sepse kjo zbrazësi mund të mbushet gjatë procesit”, theksoi Surroi. Përveç simboleve, Ekipi kosovar ka diskutuar edhe në lidhje me procesin aktual të nxjerrjes së rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Ndonëse i tërë procesi tashmë është zhvendosur nga Prishtina, liderët vendorë thanë se besojnë, që nuk do të ketë kompromise të reja në dëm të zgjidhjes së shpejtë dhe të drejtë të statusit të Kosovës. Presidenti Sejdiu tha se ka informacione të përgjithshme dhe beson që statusi i Kosovës po kalon në fazën përmbyllëse. “Është me rëndësi, se po bëhet një përpjekje shumë serioze e bashkësisë ndërkombëtare, flas në radhë të parë, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Bashkimit Evropian, që të kapërcejnë edhe këtë pjesë, ta quajmë të ngecjes, në relacion të bisedimeve që kanë zhvilluar edhe me Federatën Ruse. Për ne është inkurajuese pikërisht kjo qasje e re dhe kujtojmë se do të bëhet zgjidhja më e mirë e mundshme, në kuadër të mbështetjes së pakos së Ahtisaarit dhe hapjes së perspektivës për Kosovën”, vlerësoi presidenti Sejdiu. Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nuk pret shtyrje, por zgjidhje të shpejtë të statusit. Po kështu, Thaçi tha se Prishtina nuk është e njoftuar për mundësitë e një moratoriumi, lidhur me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, pas definimit të statusit. “Mendoj se për statusin e Kosovës nuk duhet dhe nuk do të ketë moratoriume. Me rëndësi është që Kosova po përgatitet shumë mirë për status, do të thotë edhe për çështjen e Kushtetutës, edhe për zgjedhjet, edhe sot për grupin punues për përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e simboleve shtetërore. Kështu që Kosova po e pret në mënyrë shumë të përgatitur pavarësinë dhe shumë unike”, ka pohuar Thaçi. Në kuadër të përgatitjeve për fazën e pas statusit, gjatë takimit të sotëm, liderët kosovarë, në emër të subjekteve politike që përfaqësojnë, janë pajtuar edhe në lidhje me disa çështje kryesore, që kanë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Sipas vendimit të sotëm, Kosova do të jetë një zonë elektorale, kurse do të votohet me lista të hapura. Ndërkohë, ka mbetur çështje e hapur forma e zgjedhjes së kryetarit të Kosovës dhe zgjedhja e kryetarëve të komunave.


XS
SM
MD
LG