Ndërlidhjet

logo-print

RIFILLOJNË BISEDIMET PR-BG PËR TË ZHDUKURIT


Albana Isufi

Një vit pas takimit të fundit formal, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar do të mbajë një takim tjetër mes autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, në përpjekje për të zbuluar fatin e më se dy mijë personave, që figurojnë si të zhdukur. Takimi i shtatë me radhë mbahet të enjten, më 31 maj, në Prishtinë, ndërkohë nga palët pritet që të sjellin informacione mbi vendndodhjet eventuale të personave të pagjetur. Zëdhënësi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Idriz Gashi, thotë se do të kërkohet një angazhim më i madh për të zgjidhur këtë problem, jo vetëm nga palët, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar. “Komuniteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq vazhdimisht e ka potencuar nevojën për një angazhim më të madh të qeverive të Beogradit dhe të Prishtinës, rreth zbardhjes së fatit të personave të pagjetur. Ndoshta, një ndër arsyet që nuk është mbajtur që një vit një takim formal, po e quaj, edhe pse takime joformale të delegacioneve përkatëse janë mbajtur rregullisht, ka qenë ajo se si të gjendet mënyra që të funksionalizohet më shumë ky mekanizëm”, u shpreh Gashi. Anëtari i Grupit Punues, Arif Muçolli, thotë se pala kosovare sërish do të kërkojë zbardhjen e fatit të atyre personave, që sipas tij, janë zhdukur në mënyrë të organizuar nga regjimi serb i Millosheviqit. “Ne kemi fakte dhe argumente, sepse e dimë në kohën e caktuar, në vendin e caktuar, njësitë që i kanë marrë dhe nuk e dimë vendin ku i kanë deleguar dhe ku kanë mbetur ata. Prandaj, ne këto fakte dhe argumente do t’i përsërisim”, theksoi Muçolli. Megjithatë, ai thotë se pala kosovare është e gatshme të bashkëpunojë dhe të ofrojë ato informata që ka për vendndodhjen e personave të zhdukur, pavarësisht se cilit komunitet i takojnë ata. ”Ne do të përpiqemi që bashkërisht t’i identifikojmë, të vijmë te informacionet, edhe për rastet tjera, pavarësisht a janë shqiptarë apo të përkatësive tjera etnike”, ka thënë Muçolli. Ndërkohë, në këtë takim, pritet po ashtu të sillen informacione të reja, lidhur me një varrezë të mundshme masive në Serbi, në të cilën është thënë se gjenden trupat e pajetë të shqiptarëve. Njoftimet flasin për një varrezë masive në afërsi të fshatit Rudnicë, tek vendkalimi kufitar në veri të Kosovës me Serbinë. “Informatat janë këmbyer. Çështja e kësaj varreze, diku në kufi me Kosovën, është një nga lokacionet e mundshme që është diskutuar. Dhe, janë marrë seriozisht këto supozime për ekzistimin e këtij lokacioni dhe është punuar në drejtim të hulumtimit të tij”, tha Gashi. Këshilltari i kryeministrit, Arif Muçolli, thotë se më 5 qershor, palët e përfshira në procesin e zbardhjes së fatit të të zhdukurve do të vizitojnë vendin në fjalë dhe do të fillojnë hulumtimin e pjesës ku dyshohet të ketë varrezë masive.
XS
SM
MD
LG