Ndërlidhjet

TOPALLI: JEMI ME FAT QË LIDERË NË PROCESIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS JANË SHBA-JA DHE BE-JA


Zijadin Gashi

Parlamenti i Shqipërisë i mbështet angazhimet e Kosovës dhe legjislativit të saj për zbatimin e obligimeve, që dalin nga marrëveshja për statusin e Kosovës, ka pohuar sot në Prishtinë, Jozefina Topalli, kryetare e Parlamentit të Shqipërisë. Gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, Topalli është pritur nga udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe shefi i administratës së UNMIK-ut. Pas takimeve me liderët vendorë, Topalli tha se besonte që pavarësia e Kosovës është një çështje e kryer dhe se tani, fokusi i bisedimeve është përqendruar në fazën e zbatimit të marrëveshjes, që ka të bëjë me nxjerrjen e Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të domosdoshme. Në këtë drejtim, ajo premtoi ndihmën e legjislativit të Shqipërisë për Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq, lidhur me çështjen e nxjerrjes së rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, Topalli tha se beson që Rusia nuk do të përdorë veton dhe kjo rezolutë do të miratohet së shpejti. “Besoj se jemi me shumë fat, që liderë, në këtë proces të mbështetjes së pavarësisë, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë Bashkimi Evropian. Gjatë gjithë kësaj periudhe, asnjëherë realisht nuk kemi dëgjuar të thuhet nga Rusia për veto të veçantë saj. Kjo është e para, e natyrisht, janë shumë gjëra të tjera që më bëjnë të jem optimiste, e në fakt jam shumë optimiste”, u shpreh Topalli. Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Parlamenti i Shqipërisë në vazhdimësi e ka ndihmuar Parlamentin e Kosovës, për çka ai është shprehur mirënjohës. Sejdiu tha se beson në shtimin e bashkëpunimit dhe komunikimit mes dy vendeve. “Për ne është me rëndësi, që të krijojmë rrethana të mira për komunikimet në procesin e integrimeve të përgjithshme, që do të rrugëtojmë kah integrimet euro-atlantike, e po ashtu edhe të integrimeve shpirtërore që janë të natyrshme për një popull”, ka pohuar presidenti Sejdiu. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, pas takimit me Topallin, tha se rajoni ka një perspektivë të përbashkët evropiane dhe se të gjithë shtetet duhet ta shohin vendin e tyre në këto integrime. “Bashkëpunimi i Shqipërisë dhe i Kosovës është një bashkëpunim i natyrshëm, dhe nuk duhet e as nuk ka asnjë arsye që ta shqetësojë apo të brengosë dikë, por duhet ta kuptojnë si një bashkëpunim të natyrshëm, si një bashkëpunim vëllazëror”, ka theksuar kryeministri Çeku. Për rolin, që aktualisht po luan shteti shqiptar në raport me Kosovën, Topalli ka marrë edhe falënderimet e shefit të UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Ndërkohë, që kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se vizita e Topallit në Kosovë, në këtë kohë, është e veçantë, për faktin se së shpejti në Tiranë do të qëndrojë presidenti amerikan, George Bush. “Vizita e presidentit Bush në Tiranë është vizitë edhe për Kosovën, edhe për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Është inkurajues qëndrimi i përbashkët dhe shumë unik i politikës shqiptare të Tiranës për Kosovën, në mbështetje të propozimit të presidentit Ahtisaari për Kosovën e pavarur, me mbikëqyrje civile ndërkombëtare dhe me prezencë të NATO-s”, tha Thaçi. Një takim tjetër në agjendën e Topallit ishte ai me kryetarin e Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi. Ky i fundit tha se e ka njoftuar Topallin dhe delegacionin e Parlamentit të Shqipërisë me përgatitjet që po bëhen në Kosovë, për zbatimin e marrëveshjes për statusin. “A sillet rezoluta sot apo javën tjetër, të gjitha obligimet nga ajo paketë mbesin për t`u implementuar. Dhe, kur njeriu sheh se sa ka për t`u punuar, është dashur të fillohet jo tash, por shumë më herët”, deklaroi Surroi. Përfaqësuesit kosovarë thanë sot po ashtu, se vizitat e vazhdueshme të udhëheqësve të lartë shqiptarë në Kosovë, në këtë kohë vendimtare për statusin e saj, kanë simbolikën e vet dhe dëshmojnë mbështetjen e fuqishme, që shteti shqiptar po i jep pavarësimit të Kosovës. Jozefina Topalli ka mbërritur dje në Prishtinë, ku është pritur nga kryeparlamentari Kolë Berisha, kurse sot pasdite kthehet për në Tiranë.
XS
SM
MD
LG