Ndërlidhjet

NDIKIMI I MIGRACIONIT NË ZHVILLIMIN EKONOMIK


Nadie Ahmeti

Ditët e para pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës do të jenë shumë të rënda në aspektin ekonomik, thonë ekspertë vendorë për çështje ekonomike. Sipas tyre, në këtë periudhë do të shfaqen problemet, që deri më tash kanë qenë nën ombrellën e statusit, thotë Rifat Blaku, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Ai pohon se institucionet vendore duhet të përgatisin ndonjë strategji për kontrollimin e situatës, pas zgjidhjes së statusit të Kosovës. “Me zgjidhjen e statusit do të fillojnë problemet jetike, sociale. Aty do të fillojë një jetë normale dhe do të dalin shumë probleme që janë akumuluar për një kohë të gjatë, që kanë rezultuar nën ombrellën e pavarësisë”, u shpreh zoti Blaku. Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se qytetarët e Kosovës nuk duhet të presin përmirësim të madh të gjendjes së tyre sociale, pas zgjidhjes së statusit. “Unë shumë dyshoj, se për një kohë shumë të shkurtër, ne do të kemi probleme ekonomike. Të them të drejtën, më shumë i frikohem trazirave sociale, sepse e dimë që Kosova ka nivelin më të lartë të papunësisë në rajon, dhe në një formë, statusi i Kosovës dhe vetëdija e qytetarëve për të fituar pavarësinë, në një mënyrë i ka mbajtur ata, që të mos ketë trazira sociale. Kështu që, mos të shpresojmë se statusi do t’i zgjidhë trazirat ekonomike”, theksoi zoti Keqa. Ekspertët e ekonomisë thonë së tash është momenti i fundit, që institucionet e Kosovës të përgatisin plane për punësimin e të rinjve kosovarë, qoftë edhe me punësim sezonal. Zoti Blaku, i cili udhëheq edhe Institutin për Hulumtime të Migrimit, pohon se për këtë duhet gjithsesi, të krijohen mekanizma, që kontrollojnë migracionin. Sipas tij, në forma të ndryshme ilegale, brenda një viti Kosovën e braktisin deri në 15 mijë qytetarë. “Kosovarët duhet, më në fund, të pozicionohen dhe të hartojnë politikën e tyre për migracionin, e cila gjithnjë do të korrespondojë me aktet dhe dokumentet e atyre shteteve për punëtorë e sidomos për të rinjtë, qoftë me punësim sezonal, dhe me marrëveshje dypalëshe ta zbusë papunësinë në vend, dhe fitimi do të jetë reciprok“, u shpreh zoti Blaku. Edhe Flamur Keqa thotë se një ndër faktorët që do të ndikojë në uljen e papunësisë, është kontrollimi i migracionit kosovar. “Është shumë me rëndësi, që kontrollimi të bëhet nga vetë shteti, sepse shteti ka mundësi të bëjë vlerësime, se çfarë fuqie punëtore, çfarë kualifikimesh ka Kosova, në mënyrë që këto kapacitete pastaj t’i kanalizojë për migrime jashtë vendit”, tha zoti Keqa. Ndryshe, në Kosovë aktualisht nuk ekziston ndonjë mekanizëm përkatës, që kontrollon migracionin. Në këtë kuadër, Ministra për Punë dhe Mirëqenie Sociale ka bërë përpjekje, duke organizuar punësim sezonal të studentëve në vende të ndryshme të Evropës.

XS
SM
MD
LG